.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTërmeti në Turqi asnjë pasojë në baticat e detit Adriatik

Tërmeti në Turqi asnjë pasojë në baticat e detit Adriatik

Një video që po qarkullon në Facebook tregon uljen e nivelit të ujit në kanalet e Venecias më 6 shkurt. Konspiracionistët e hapesirave online po e lidhin këtë ulje të nivelit të ujit me tërmetin tragjik që goditi Turqinë dhe Sirinë në atë datë. Verifikimi i “Faktoje” tregon se ulja e nivelit të ujit është një fenomen i kahershëm dhe nuk ka asnjë lidhje me tërmetin e 6 shkurtit.

————————————————-

Video që tregon kanalet e Venecias të boshatisur nga uji, në brendi, shpjegon se në 6 shkurt Venecia kishte një zbaticë të jashtëzakonshme që e çoi nivelin e ujit në -58 cm, duke lënë disa kanale gati bosh.

Megjithatë, konspiracionistët e kanë postuar këtë video duke e shoqëruar me përshkrimin “Pas tërmetit të parë në Turqi ulet ndjeshëm niveli i ujit në brigjet e Italisë, Turqisë, Shqiperisë. Ku shkoi uji?! Pse nuk flasin ekspertët?!”

Në realitet, baticat dhe zbaticat shkaktohen kryesisht nga forcat tërheqëse të Hënës (dhe në nivel më të ulët, të Diellit) gjatë rrugës eliptike që bën ajo kur orbiton Tokën. Tërmetet shkaktohen nga lëvizjet tektonike, apo lëvizjet e pllakave të Tokës. 

Sa i përket fenomenit që u pa në Venecia në 6 shkurt, ekspertët italianë të motit thonë se ai nuk është i ri apo i pazakontë. Në 69% të rasteve, ky fenomen ndodh në dimer, mes muajve të Janarit dhe Shkurtit. Në 18 shkurt 2008, niveli i ujit në kanalet e Venecias arriti -83 cm, ndërsa në të njejtën periudhë në 2018, -66 cm. Niveli më i ulët i ujit i regjistruar në Venecia ka qenë në 1934, kur uji u ul deri në -121 cm.

Vlen të përmendet edhe se niveli i ujit në kanalet e Venecias vijoi të ulej edhe pas 6 shkurtit, ditën që tërmeti goditi Turqinë dhe Sirinë, duke arritur në -66cm më 20 shkurt. Në fakt, një nga tiparet e pazakonta këtë vit është kohëzgjatja e theksuar e këtij fenomeni.

Ky fenomen është vetëm një nga pasojat që një dimër i thatë ka shkaktuar në Itali. Në Alpe, skiatorëve u ka munguar bora, ndërsa liqenet dhe lumenjtë janë në nivele uji që shihen zakonisht gjatë verës. Sipas grupit ambientalist Legambiente, lumi më i gjatë i Italisë, Po, ka 61% më pak ujë se zakonisht në këtë periudhë të vitit.

Luigi Cavaleri, nga Instituti i Shkencave Detare të Venecias, tha se presioni i lartë mbi detin Mesdhe (fenomen që quhet anticiklon) që zgjati 20 ditë ka ndikuar gjithashtu në uljen e nivelit të ujit.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img