Pretendimi: Në Izrael ka mbi 100 vjet që nuk bie tërmet
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se në Izrael nuk ka rënë tërmet në 110 vitet e fundit. Krahasuar me Turqinë, ku “një simester po dhe një tjetër po, bie tërmet” ky pretendim sillet si provë se tërmetet shkaktohen qëllmisht nga sistemi HAARP.
Megjithatë, pretendimi se Izraeli nuk ka parë asnjë tërmet në 100 vjet është i pavërtetë.
Një tërmet prej 6 ballësh vërtet goditi Izraelin afërsisht 100 vite më parë, më 11 korrik 1927, por ai nuk ishte tërmeti i fundit.
Tërmete 5-5.8 ballë kanë prekur sëirsh Izraelin më 1951, 1956, 1979, 1984, 1995, 1997, 2004, dhe 2008.
Sipas faqes monitoruese Volcano Watch, midis 24 prillit 1925 dhe 24 prillit 2025, Izraeli ka patur 15,420 tërmete me magnitudë deri në 7.2 ballë. Këto përfshijnë një tërmet mbi 7 ballë, 2 tërmete mes 6 dhe 7 ballë, 18 tërmete me magnitudë 5 dhe 6 ballë, 230 tërmete 4 dhe 5 ballë, 1631 tërmete 3 dhe 4 ballë, 7074 tërmete me magnitudë 2 dhe 3 ballë dhe 6464 tërmete nën 2 ballë, të cilat njerëzit zakonisht nuk i ndjejnë.
Një studim i vitit 2024 nga Shkolla e Shkencave Mjedisore të Universitetit të Haifa dhe Shërbimi Gjeologjik i Izraelit u përpoq të zbulonte pse tërmetet e mëdha të Turqisë nuk ndikuan ndjeshëm në çarjen e Detit të Vdekur mbi të cilën ndodhet Izraeli.
Sistemi i çarjeve të Detit të Vdekur
Sipas Uri Schattner, nga Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Departamenti i Gjeografisë dhe Studimeve Mjedisore në Universitetin e Haifa, “pas ngjarjeve të rëndësishme sizmike në Turqi në shkurt të vitit 2023, priteshin pasgoditje të njëpasnjëshme përgjatë çarjes së Detit të Vdekur së Izraelit. Megjithatë, një aktivitet i tillë nuk u materializua. Hulumtimi e sqaron këtë duke treguar se, në kundërshtim me konsensusin e mëparshëm shkencor, çarja e Detit të Vdekur nuk është tektonikisht e vazhdueshme me çarjen e Anadollit Lindor. Në vend të kësaj, energjia sizmike shpërndahet përmes lëkundjeve më të vogla nëpër rajone ndërhyrëse si Siria dhe Libani.”
Çarja e Detit të Vdekur (portokalli) dhe çarja e Anadollit Lindor (rozë) në hartë
Studiuesit kryen një analizë të plotë sizmologjike të të dhënave të tërmeteve nga bazat e të dhënave izraelite dhe turke, nga Eilat në Turqi dhe rajonet fqinje. Kjo u plotësua nga një përmbledhje gjithëpërfshirëse e studimeve gjeologjike mbi aktivitetin sizmik, tektonikën dhe vullkanizmin gjatë evolucionit të çarjes së Detit të Vdekur gjatë miliona viteve.
Gjetjet nga studimi nxjerrin në pah një lëvizje jo uniforme përgjatë çarjes së Detit të Vdekur, e cila shtrihet nga Deti i Kuq në jug deri në veri të Turqisë, pa formuar një lidhje të vazhdueshme me sistemin e çarjeve së Turqisë në segmentin e saj verior. Pjesa jugore (nga Eilat në Detin e Galilesë) përqendron aktivitetin sizmik pranë çarjes, me një zhvendosje kumulative prej afërsisht 65 miljesh midis strukturave lindore dhe perëndimore.
Zhvendosja e çarjes zvogëlohet në Liban dhe Siri në vetëm disa milje dhe mungon në periferi të Turqisë. Këtu, ngjarjet sizmike shpërndahen nëpër zona më të gjera në vend që të kufizohen në vijën e çarjes, duke reflektuar lëvizjen e përqendruar në jug kundrejt shpërndarjes së saj në veri.
Rreziku sizmik për Mesdheun Lindor nga Programi Global i Vlerësimit të Rrezikut Sizmik (GSHAP)
Nëse do të krahasojmë tërmetet në Turqi me ato në Izrael duhet marrë parasysh se territori i Turqisë është rreth 35 herë i Izraelit. Siç vërehet në hartën e mësipërme të rrezikut sizmik në Mesdheun Lindor, një pjesë shumë më e madhe e Turqisë është seriozisht më e rrezikuar nga tërmetet se sa e Izraelit.