.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëTërhiqet qeveria, taksimi progresiv i profesionistëve të lirë nis në 2024-n

Tërhiqet qeveria, taksimi progresiv i profesionistëve të lirë nis në 2024-n

Qeveria ka bërë një hap pas, duke e shtyrë me një vit taksimin progresiv të profesionistëve të lirë. E gjendur përballë kundërshtive të forta të rreth 17 mijë profesionistëve, në një vit zgjedhor si 2023, mazhoranca ka shtrirë në kohë diskutimet për ligjin e ri të tatimit mbi të ardhurat, duke shtyrë taksimin e avokatëve, noterëve, kontabilistëve, audituesve e gjithë profesioneve të tjera të lira në janar të 2024.

Esmeralda Topi

“Janë rreth 16 700 tatimpagues të regjistruar, të cilët ofrojnë shërbime profesionale dhe për të cilët propozohet që skema e taksimit të fillojë nga 1 janari 2023.” – deklaroi ministrja e Financave Delina Ibrahimaj më 2 dhjetor 2022, teksa prezantonte ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, i hedhur për konsultim në muajin qershor nga Ministria e Financave, parashikon ndryshime thelbësore në skemën e tatimit të biznesit të vogël, por pjesa më e madhe e tyre do do të hyjnë në fuqi në vitin 2029.

Përjashtim bëjnë vetëm personat fizikë që veprojnë si profesionistë të lirë, për të cilët parashikohej aplikimi i tatimfitimit duke filluar nga 1 janari 2023.

“Në gjykimin e qeverisë shqiptare, 1 Janari 2023 vazhdon të mbetet data kur do të nisë zbatimi i ligjit për tatimin e profesioneve e lira.”– shkruante në një përgjigje për Faktoje, Agjencia për Media dhe Informim më 23 tetor, teksa financat po përballeshin me kundërshtitë e grupeve të interesit lidhur me ligjin e ri të të ardhurave.

Përballë presionit të shtuar të profesionistëve të lirë dhe një viti zgjedhor si 2023, qeveria bëri një hap pas.

“Ligji tani do të shqyrtohet në janar, mendojmë që efektet e ligjit në pjesën më të madhe do të hyjnë në janar të 2024.”pohoi Eduard Shalsi më 16 dhjetor, teksa drejtonte mbledhjen e komisionit për ekonominë dhe financat ku po diskutohej projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Për të mësuar arsyet e këtij vendimi, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Financave.

Akti është në proces diskutimi në Kuvend.” – u përgjigj shkurtimisht ministria pak ditë më vonë, por pa dhënë arsye për shtyrjen e taksimit progresiv tek profesionistët e lirë.

“Profesionistët janë shumë të rëndësishëm, këta e bëjnë për arsye elektorale, unë e kuptoj që e bëjnë për arsye elektorale, sepse nuk janë pak. Veç kësaj, gjë e parë që do preket në momentin që do taksosh profesionistët do të thotë rritje e çmimit të gjithë shërbimeve.  Dhe kjo gjë do të rriste pakënaqësinë e qytetarëve.  – thotë për Faktoje, Fatjon Softa, nga Shoqata e Profesionistëve të Lirë.

Përtej arsyeve, të cilat mund të jenë edhe elektorale, profesor Sotiraq Dhamo thotë se e sheh si një zhvillim pozitiv shtyrjen me një vit të taksimit.

“E kanë shtyrë për të vijuar me diskutimet dhe e shoh këtë hap pozitiv. Ndonjë shpresë të madhe për të reflektuar kërkesat tona nuk kemi, por gjithsesi fakti që diskutimet janë shtyrë nënkupton që mund të bëhet diçka. Një arsye se përse u shty ishte dhe fakti që nuk ishte bërë koha e plotë e diskutimeve.” – thotë për Faktoje eksperti kontabël Sotiraq Dhamo, duke shtuar se nuk kanë ende informacion se kur do të rinisin diskutimet në Kuvend.

Ndonëse është në kalendarin e punimeve të Kuvendit për këtë fillimvit, projektligji nuk ka ende një datë shqyrtimi në seancë plenare, por në buxhetin e vitit 2023 parashikohen 2 miliardë lekë të ardhura nga taksimi i profesionistëve të lirë.

Kalendari i punimeve të Kuvendit (Për periudhën 17 Janar – 4 Shkurt 2023)

“Futja në skemën e taksimit të të ardhurave personale të furnizuesve të shërbimeve si profesione të lira, vlerësohet të kontribuojë në buxhetin e shtetit me 2 miliardë lekë në vit”, shkruhet në relacionin e projektbuxhetit të shtetit 2023.

Ministria e Financave thotë se ligji i ri synon të vendosë barazinë tatimore dhe të zgjidhë shmangiet që kishin lindur për shkak të shtigjeve që mundësonte ligji i deritanishëm, duke iu referuar profesionistëve të lirë. Drafti parashikon që kjo kategori të tatohet njësoj si të punësuarit me page, pasi shumë profesionistë kanë dalë nga skema e sigurimeve dhe janë regjistruar si të vetëpunësuar që të shmangnin tatimin që shkon deri në 23%.

Më konkretisht, me ligjin e ri shkalla tatimore do të jetë 13% për të ardhurat vjetore deri në 2 milionë e 40 mijë lekë, ndërsa mbi këtë prag shkalla e tatimit do të arrijë në 23%.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni  grumbulluar, vendosëm që deklaratën e ministrisë së Financave se taksimi i profesionstëve të lirë do të niste nga 1 janari 2023, ta kategorizojmë të Pavërtetë.

 

*Në linkun më poshtë gjeni një tjetër verifikim që Faktoje ka realizuar mbi draftin e ndryshimeve në ligjin për të ardhurat tatimore teksa pritej nisja e konsultimeve publike.

Ku ka ngecur drafti i tatimit mbi të ardhurat që u premtua se do shpallej në 1 qershor? – Faktoje.al

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img