Teoria konspiracioniste që pretendon se sulmi që shkaktoi rënien e Kullave Binjake në ShBA u shkaktua apo u la të ndodhte nga presidenti i atëhershëm amerikan, George Bush, u shfaq brenda javëve pas ngjarjes së 11 shtatorit 2001. “Faktoje” verifikoi edhe njëherë provat e publikuara për të rrëzuar aludimet që gëlojnë online.
Patris Pustina
Konspiracionistët shqiptarë u janë bashkuar homologëve të tyre këtë vit. Faqja “Rezistenca” në Facebook postoi më 11 shtator:
“…Në këtë datë në 2001, u vranë qëllimisht mbi 2900 njerëz. Kullat binjake u shembën nga “2 avionë”. Këto avionë u deklaruan në tv si të al qaedas. Një gënjeshtër e madhe. Trarët e çelikut shkrihen vetëm në temperaturën mbi 1500 gradë celcius. Kurse karburanti i avionit tek 700-800. Kullat binjake ishin mbushur me eksplozivë, prej George Bush dhe miqve të tij”.
Edhe pse kanë kaluar 20 vite nga kjo ngjarje dhe nuk ka dalë ende në dritë ndonjë argument i ri që të provojë këto dyshime, “Faktoje” u detyrua të verifikojë edhe njëherë këto pretendime që gjallërohen në rrjet cdo përvjetor të 11 shtatorit.
Ky mishërim specifik i teorisë “Bush shkaktoi 11 shtatorin” pretendon se qeveria amerikane e shkaktoi qëllimisht sulmin. Si provë, autori sjell një ‘fakt’ të përdorur shpesh nga konspiracionistët e 11 Shtatorit, pretendimin se “karburanti i avionit nuk mund të shkrijë trarët e çelikut”. Aq i përhapur është ky pretendim (i gabuar), sa është bërë tashmë një objektiv ‘klasik’ talljeje në internet.
Sipas konspiracionistëve, godinat nuk mund të kenë rënë si pasojë e aeroplanëve të komanduar nga terroristët sepse karburanti i avionit nuk mund të shkrijë trarët e çelikut. Si rrjedhim, pretendohet me një kapërcim logjik mbresëlënës, godinat duhet të kenë qenë të mbushura me eksplozivë më parë, eksplozivë të cilët u shpërthyen në mënyrë të kontrolluar pasi aeroplanët goditën kullat. Autori i këtij shpërthimi të kontrolluar ishte, sigurisht, presidenti i atëhershëm, George Bush.
Megjithëse është e vërtetë se temperatura që arrihet nga djegia e karburantit të avionit është më e ulët se temperatura e shkrirjes së çelikut, shembja e godinave 110-katëshe nuk kërkon detyrimisht shkrirjen e trarëve të çelikut. Ndërsa temperatura e djegies së karburantit mund të arrijë 800 gradë Celsius, në rreth 600 gradë Celsius çeliku humb 50% të fortësisë. Hetimi i Institutit Amerikan të Standardeve dhe Teknologjisë (NIST) arriti në përfundimin se izolimi kundër zjarrit që vishte trarët e çelikut ishte dëmtuar në zonën e impaktit, duke e lënë metalin më vulnerabël ndaj nxehtësisë. Për më tepër, megjithëse karburanti ishte katalizatori për zjarrin, materialet e djegshme brenda godinave si perde, mobilje, tapiceri dhe letër, kontribuan në intensifikimin e tij. Kjo do të çonte në thyerje, përkulje dhe deformim të trarëve të çelikut që duhet të përballonin peshën e godinave.
Dr. Shyam Sunder, udhëheqësi i hetimit të NIST, shpjegoi se arsyeja kryesore për shembjen e kullave ishte dëmi nga goditja nga aeroplanët, pasuar nga zjarret e mëdha që u shpërndanë nëpër godina. Kombinimi i këtyre faktorëve çoi në ‘varjen’ e strukturave të kateve si pasojë e nxehtësisë, dhe në përkuljen e kolonave të jashtme që çoi në rënien e tyre. Si pasojë e dështimit të këtyre kolonave mbajtëse, pjesa e poshtme e strukturës nuk arriti ta mbante pjesën e godinës mbi pikën e impaktit (20-30 kate).
Popullariteti i teorive konspirative mbi sulmet e 11 shtatorit shpjegohen nga akademikët si pasojë e mosdashjes së pranimit të realitetit. Në 11 shtator 2001, paprekshmëria e një superfuqie botërore si ShBA u cënua. Kjo provokoi frikë, pasiguri dhe ndjenja pafuqie jo vetëm tek shtetasit amerikanë, por edhe tek një botë e tërë që pa një gjigand të plagosej. Kjo ‘lëkundje’ ishte e papranueshme për shumë njerëz, që zgjodhën të besojnë, më mirë, se ‘e keqja’ vinte nga dikush i zëvendësueshëm si George Bush.