Teoritë konspirative mbi vaksinat dhe shëndetin të Robert F. Kennedy

82
Photo by Frederic J. BROWN / AFP

Kabineti i presidentit të ri-zgjedhur Donald Trump është plot me politikanë e figura me histori personale dhe bindje të diskutueshme. Por një nga emërimet më të diskutuara është emërimi i Robert F. Kennedy si Sekretar për Departamentin e Shëndetit. Kennedy është një emër i njohur në politikën amerikane dhe ndërkombëtare pasi ai vjen nga familja e famshme e Kennedy-ve, dhe presidenti John F. Kennedy (i cili u vra në vitin 1963) ka qënë xhaxhai i tij. Ai kandidoi si i pavarur përgjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 derisa u tërhoq për të mbështetur Trump-in, dhe ka një të shkuar mbushur me skandale personale.

Megjithatë, ai është një figurë e diskutueshme për shkak të bindjeve të tij në fushën e shëndetit, sidomos përsa i përket vaksinave. Në fakt, emërimi i Kennedy ka rikthyer në faqet e mediave shqiptare një narrativë dizinformuese të cilët mjekët dhe hulumtuesit tashmë e kanë hedhur poshtë: pretendimi i rremtë se vaksinat shkaktojnë autizëm.

Burimi: Top Channel

Trumpi emëroi Kennedy për postin e Sekretarit të Shëndetit më 15 nëntor 2024. Në mediat shqiptare, ky lajm u qarkullua menjëherë duke vënë në dukje skepticizmin e Kennedy-t ndaj vaksinave. Disa i mëshuan besimit të Kennedy se vaksinat shkaktojnë autizëm që në titull, ndërkohë të tjerë përdorën fjalët e Trump-it duke e përshkruar Kennedy si një mendje brilante, edhe përse ai nuk ka asnjë kualifikim në fushën e mjekësisë apo shëndetit publik. Për më tepër, nuk i kundërshtuan besimet e Kennedy në trupin e artikujve, që kanë publikuar mbi këtë temë edhe përse mund të përmendin faktin se zgjedhja e Trumpit është pritur me mëdyshje dhe frikë nga publiku amerikan.

Burimi: Gazeta Express

Prej shumë kohësh, Kennedy i ka vënë fajin vaksinave si shkaktare të autizmit. Së fundi, ai ka thënë se së bashku me avokatin e tij Aaron Siri, do të paraqesin një peticion për të tërhequr vaksinën kundër polios dhe 13 vaksina të tjera, duke vënë në pikëpyetje shëndetin publik. Në Shtetet e Bashkuara, numri i personave që besojnë se vaksinat shkaktojnë autizëm është dyfishuar (nga 6% në 2015-tën në 13% në 2024-të), si pasojë e fushatave të dezinformimit. Kjo ka shkaktuar po ashtu një ulje në numrin e personave, që janë të gatshëm të vaksinojnë fëmijët e tyre kundër sëmundjeve, si lija apo polio.

Narrativa se autizmi shkaktohet nga vaksinat ka nisur prej një artikulli të publikuar në revistën mjekësore ‘Lancet’ në vitin 1998 nga doktori britanik Andrew Wakefield. Në këtë artikull Wakefield pretendonte se vaksina e fruthit shkaktonte autizëm, por ai është hedhur poshtë dhe ‘Lancet’ u detyrua ta tërheqë artikullin nga publikimi si pasojë e problemeve të shumta me punën kërkimore të Wakefield. Në tre dekadat e fundit, mjekë dhe hulumtues e kanë shpjeguar me kohë që vaksinat nuk shkaktojnë autizëm dhe ato shpëtojnë jetën e njerëzve. Studime të shumta nga profesionistë mjekësor kanë treguar se nuk kanë lidhje midis vaksinave të ndryshme që ju administrohen fëmijëve dhe autizmit.

Burim: Science Direct

Në fakt, hulumtuesit janë duke studiuar cilat janë shkaqet që shkaktojnë autizmin. Studimet e deritanishme janë fokusuar tek arsyet gjenetike, pasi ndryshime në kodin gjenetik duket të kenë një impakt në zhvillimin e autizmit. Ndërkohë që, kohët e fundit janë shtuar edhe përpjekjet për të kuptuar sesi faktorët mjedisor mund të ndikojnë tek zhvillimi i autizmit, si për shembull ekspozimi i nënës ndaj ndotësve të dëmshëm gjatë shtatzanisë mund të shkaktojë një mutacion gjenetik, që çon në autizëm tek fëmija i saj.

Besimi se vaksinat shkaktojnë autizëm është bazuar dhe në numrin në rritje të personave të diagnostifikuar me autizëm në dekadat e fundit. Sipas statistikave në SHBA, në vitin 2000, autizmi prekte 1 në 150 fëmijë; sot është 1 në 36 fëmijë. Diçka e ngjashme po vihet re dhe në Shqipëri, ku sipas shifrave të fundit po shohim një rritje në diagnostifikimin me autizëm. Por, kjo rritje nuk do të thotë se kemi një rritje të personave me autizëm krahasuar me të shkuarën.

Këtu bëhet fjalë për një ndryshim në mënyrën e diagnostifikimit. Sipas sociologes amerikane Catherine Tan, është bërë më e lehtë për prindërit të dallojnë kur fëmijët e tyre mund të jenë autik pasi ka pasur një ndërgjegjësim të publikut mbi natyrën e autizmit, si dhe një zgjerim të kritereve, që përdoren për të diagnostifikuar personat me autizëm.

Pavarësisht fakteve të shumta që tregojnë se nuk ka lidhje midis vaksinave dhe autizmit, vendimi i Trump që të vendosë një person si Kennedy në krye të Departamentit të Shëndetësisë, pritet për tu parë se çfarë pasojash do të ketë.

Sekretari i Shëndetit është personi përgjegjës për t’u përgatitur dhe për t’iu përgjigjur emergjencave të shëndetit publik dhe mjekësor, siç ishte COVID-19 dhe po bëhet tashmë edhe gripi i shpendëve. Për momentin, emërimi i Kennedy-t duhet të aprovohet nga Senati i SHBA-së, por duke qënë se Kongresi kontrollohet tërësisht nga Partia Republikane e Trump-it ky duket të jetë një fakt i kryer.