Pretendimi: Triatleti olimpik në këtë foto volli si pasojë e ujit të ndotur të lumit Seine në Paris
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————
Lojërat Olimpike që u mbajtën këtë verë në Paris tërhoqën një sërë kritikash, një prej të cilave kishte të bënte me zhvillimin e disa garave në lumin Seine që përshkon qytetin.
Kjo sepse Parisi, si shumë qytete të vjetra, ka një sistem kanalizimi të kombinuar, që do të thotë se ujërat e zeza të qytetit dhe ujërat nga stuhitë rrjedhin nëpër të njëjtat tubacione. Në kohë shirash të dendur ose të zgjatur, tubacionet arrijnë kapacitetin e tyre, që do të thotë se ujërat e zeza të papërpunuara derdhen në lumë në vend të një impianti trajtimi. Prania e ujërave të zeza në ujë zakonisht tregohet nga prania e bakterit E.Coli.
Të notuarit në lumin Seine ishte i ndaluar që në vitin 1923 si pasojë e ndotjes. Megjithatë, përpara nisjes së Lojërave Olimpike, bashkia e Parisit harxhoi 1.5 miliardë dollarë për pastrimin e lumit. Për të provuar sigurinë e ujit të Seine, kryebashkiakja Anne Hidalgo, Presidenti i Komitetit Olimpik Tomy Estanguet dhe zyrtarë të tjerë notuan në lumë përpara nisjes së Olimpiadës.
Në rrjete sociale po qarkullon foto e një atleti duke vjellë pas garimit në Seinë, me pretendimin se kjo ishte pasoja e zhytjes në lumë.
Atleti në foto është kanadezi Tyler Mislawchuk, i cili garoi në triatlonin për burra më 31 korrik, duke përfunduar i nënti.
Triatloni është një garë që përfshin tre elemente: një not 1.5 km, një udhëtim me bicikletë 40 km, dhe një vrap 10km. Këto gara plotësohen njëra pas tjetrës në këtë rend, dhe pa pushime mes tyre.
Mislawchuk tha për Triathlon Magazine Canada se ai kishte vjellë 10 herë pas përfundimit të garës. Megjithatë, ai nuk ja vë fajin për këtë ujit të ndotur të Seine, por vapës.
“Në Olimpiadën time të fundit pata një dëmtim dhe me të gjitha gjërat që ndodhën kishte shumë “po sikur”. Volla 10 herë pas garës… u bë nxehtë në xhirot e fundit,” tha triatleti.
Në një tjetër intervistë me CBC, Mislawchuk shpjegoi më tej: “Qëlloi që gëlltita shumë ujë atë ditë gjatë garës. Nuk ka të bëjë fare me cilësinë. Thjesht stomaku im ishte jashtëzakonisht plot, dhe kjo përfundoi duke qenë një faktor kufizues për mua në garë. Bashko këtë me një orë e 40 minuta e të dhënit maksimumin që ke, ndonjë gjë do të ndodhë.”
Ai theksoi sërish klimën, duke thënë se, si dikush i mësuar me të ftohtin kanadez, nuk ishte përshtatur krejtësisht me klimën e verës franceze.
Lucie Segalas nga Surfrider, një OJQ që mbledh kampionë nga uji i Seine çdo dy javë, tha për Le Parisien se “prania e tepërt e bakterit Escherichia coli mund të shkaktojë sëmundje të lehta si gastroenteriti dhe konjuktiviti ose infeksione më serioze si stafilokoku.”
Sipas prefektit rajonal Marc Guillame, në kampionët e ujit të marra nga organizata Olimpike dhe shteti më 31 korrik u gjetën “rreth 500-600 njësi E.Coli për 100 ml, ndërsa kufiri është 1000.”
Mjeku Michael Rochoy tha për Le Parisien se reagimi gastrointestinal i triatletit nuk ka gjasa të ketë lidhje me ujin e ndotur. “Koha nga notimi tek vjellja është shumë e shkurtër për të patur lidhje me ujin. Në varësi të tipit të E.Coli, mund të kesh të vjella disa orë ose ditë pas ekspozimit,” tha ai për median franceze.
Ndërkaq, mjeku sportiv Jean-Bernard Fabre theksoi gjithashtu temperaturat e larta duke shpjeguar se “normalisht atletët mësohen me banja të nxehta, trajnohen duke u mbuluar, por këtu temperaturat kanë ndryshuar shumë në pak ditë, është shumë e vështirë për trupin të përshtatet.” Ai madje u shpreh i habitur që “më shumë atletë nuk janë sëmurë.”
Parisi nuk është qyteti i parë që përballet me probleme bakteriale gjatë organizimit të Lojërave Olimpike. Në krye të lojërave të vitit 2016, zyrtarët nga brazilianë dhe Komiteti Ndërkombëtar Olimpik pranuan se ujërat ishin të kontaminuara, por thanë se vendet ku atletët do të garonin përmbushnin standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ekspertët thanë se Olimpiada tërheq vëmendje të veçantë ndaj këtyre sfidave çdo katër vjet.
“Shpresojmë se kjo tërheq vëmendjen drejt problemit të ndotjes së lumenjve që duhet të adresohet çdo ditë, jo vetëm për atletët olimpikë,” tha Karen Levy, profesore në Departamentin e Shkencave Mjedisore dhe Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit.