Teknologjia pas këtyre parashikimeve të serialit The Simpson

14

Pretendimi: Këto ngjarje janë parashikuar nga seriali The Simpsons

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————-

Një video që po qarkullon në hapësirat konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon ngjarje të viteve të fundit dhe paralelizmat e tyre të ‘parashikuara’ nga seriali vizatimor The Simpsons. 

Rezulton se imazhet që shfaqen në video, megjithëse i përngjajnë stilit vizatimor të The Simpsons, nuk janë shfaqur kurrë në ndonjë episod të serialit. 

Ato me gjasa janë prodhuar me anë të një prej shumë programeve kompjuterike të disponueshme online që transformojnë foto në imazhe të stilit The Simpsons.

Kështu, imazhet e videos janë krijuar duke kthyer në ‘stil Simpsons’ pikërisht skenat të cilat ato pretendohet se kanë ‘parashikuar.’

“Fatkeqësisht, është shumë e lehtë të krijosh ‘parashikime’ të tilla të rreme nga The Simpsons me qëllim mashtrimin e njerëzve,” tha Matt Selman, producent ekzekutiv i serialit për Reuters.

Më parë, seriali “The Simpsons” ka ‘parashikuar’ disa ngjarje, duke përfshirë këtu zgjedhjen e Donald Trump si president i ShBA në 2016, fituesin e një çmimi Nobel, dhe një grip të rrezikshëm që filloi në Azi, ndër të tjera

Kjo, sipas vetë autorëve të serialit, nuk vjen si pasojë e ndonjë aftësie mbinatyrore për të parë të ardhmen, por thjesht si pasojë e faktit që seriali ka mbi 700 episode dhe transmetohet që nga viti 1989. “Nëse bën më shumë episode për më shumë dekada se gjithë serialet e tjera, do të parashikosh më shumë gjëra saktësisht,” tha autori Selman. Ndërsa Bill Oakley, një ish-skenarist i The Simpson, tha për Hollywood Reporter se çfarë shihet nga disa si ‘parashikime’ të bëra nga seriali janë në fakt thjesht koinçidenca “sepse episodet janë aq të vjetra sa historia ripërsëritet. Shumica e këtyre episodeve janë bazuar në ngjarje të vërteta që kanë ndodhur në vitet ‘60, ‘70 ose ‘80.”

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë ‘parashikime’ të supozuara nga The Simpsons.