Pretendimi: Tërmetet artificiale krijohen duke përdorur teknologji mikrovalë dhe dridhje akustike

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————-

Një prej teorive më të përhapura në hapësirat konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se tërmetet mund të krijohen në mënyrë artificiale me anë të mikrovalëve apo dridhjeve zanore.

Zakonisht, përgjegjësia për këto tërmete artificiale i atribuohet projektit amerikan për studimin e jonosferës HAARP.

Megjithëse simulimet numerike mbështesin hipotezën se valët akustike mund të nxisë tërmetet duke pakësuar fërkimin midis shkëmbinjve brenda një çarjeje, shumica e tërmeteve shkaktohen nga fërkimi në koren e Tokës që vjen si pasojë e lëvizjes së pllakave tektonike. Aty ku takohen skajet e dy pllakave, quajtur çarje, energjia ruhet për shkak të skajeve të dhëmbëzuara të secilës pllakë.

Pllakat tektonike të Tokës

Kur ka mjaftueshëm forcë, fërkimi kapërcehet dhe energjia lëshohet në valë sizmike që emetohen nga epiqendra, e cila tund tokën dhe gjithçka mbi të.

Skematikë e një tërmeti

Mikrovalët janë valë të shkurtra elektromagnetike që përdoren për komunikime, imazhe satelitore dhe në furra duke rrotulluar molekulat për të prodhuar nxehtësi.

Ato mund të jenë të dëmshme përmes ekspozimit të drejtpërdrejtë ndaj indeve, por përdoren gjerësisht dhe në mënyrë të sigurt. Teknologjia e mikrovalëve mund të përdoret për të dobësuar shkëmbinjtë dhe xehet për nxjerrjen dhe heqje më të lehtë minerare, megjithëse kjo është ende eksperimentale.

Sa i përket fenomenit të “tërmeteve artificialë”, është e vërtetë se veprimtaria njerëzore mund të shkaktojë tërmete (zakonisht të shkallës së ulët) duke ndryshuar forcat e tensionit në koren e Tokës. Shkak për këtë është shpesh nxjerrja apo futja e lëngjeve nga/në thellësi të Tokës. Këto veprimtari, që janë pjesë e procedurave të shfrytëzimit të minierave dhe nxjerrjes së gazit dhe naftës, mund të bëhen shkas për tërmete duke ndikuar në presionin nëntokësor, si në diagramin e mëposhtëm.