Rrjetet sociale janë hapësira ku adoleshentëtet dhe të rinjtë shpenzojnë kohë të gjatë, pa e kuptuar se po përvetësojnë modele të shtrembëra.

Psikologët sjellin raste të fëmijëve që delirojnë të imitojnë dhe të bëhen si figurat më të errëta të historisë, ndërsa shifrat dëshmojnë për 5 fishim të incidenteve online përmes gjuhës së urrejtjes dhe mizogjinisë dhe 7-fishim të faqeve online me këtë përmbajtje, ku vajzat janë viktima në 60% të rasteve të raportuara, sipas CRCA. Njihuni me opinionet e tri ekspertëve: një të komunikimit, një psikiatreje dhe një të teknologjisë digjitale.

Nevila Gjata

Një prej pasditeve të dimrit, në zyrën e saj të punës, ia behu një 13 vjeçar.  “Unë dua të bëhem si Hitleri”, i tha ai.  

Mendimi i tij i ngultë nisi nga një postim që kish parë në rrjetet sociale për Hitlerin dhe filozofinë e tij.

Më pas kureshtja i ishte kthyer në obsesion.

Për disa javë, ai e kishte orientuar kërkimin rreth glorifikimit të jetës së Hitlerit, dhe postimeve që promovonin ideologji ekstremiste si supermacia e bardhë dhe neo-nazizmi.

Përfshirja në simbole, slogane, postera frymëzues se si Hitleri i shpërfaqej si “idealisti që bëri bashkë gjermanët”, ndikuan aq shumë tek ai, sa një ditë shprehu dëshirën të bëhej një diktator, si ai.

Psikoterapeutja, Manjola Çollaku, thotë se 13 vjeçari në këtë fazë të adoleshencës nuk kishte ende të zhvilluar aftësinë e përpunimit, organizimit apo arsyetimit, duke përthithur shabllon informacionin. 13 vjeçari kishte gjithashtu një familje me prejardhje socio-ekonomike të lartë, me një stil prindëror lejues, ku djali ishte rritur pa detyra apo impenjime/kërkesa familjare

E njëjta eksperte përmend edhe raste të tjera profilesh të adoleshentëve që shfaqin problematika nga ndikimi i rrjeteve sociale. 

Një vajzë 13 vjeç që shfaqte natyrë introverte në shtëpi dhe shkollë u zbulua më vonë se ishte pjesë kryesore e një grupi whatsappi që shpërndante gjuhë urrejtjeje dhe meme të shokëve të tjerë të klasës/shkollës.

Një 14 vjeçare ka modifikuar strukturën gjuhësore si pasojë e leximit/dëgjimit vetëm në anglisht.

“Ajo flet pastër shqip, por me strukturë fjalie në anglisht”, thotë Çollaku e cila po ashtu ka trajtuar rastin në fjalë.

Përballja e shpeshtë në rrjete sociale me “VIP-a”/Influencera që supozohet se nuk bëjnë shumë për të arritur diçka dhe aksesi i shpejtë i informacionit nga media (youtube psh) ka sjellë sipas saj ndikim të jashtëzakonshëm në filozofinë e jetës së të rinjve.

 “Ajo që shoh në terapi është ndryshimi në aspirata dhe pritshmëri. Pjesa dërmuese e adoleshentëve nëse do kishin mundësi të ndryshonin diçka në jetën e tyre, do eliminonin shkollën. Shkollën nuk shohin si burim dijesh (sepse në internet e marrin më shpejt dhe pa sforco) dhe të panevojshme për plotësimin e ëndrrave të tyre” 

Një pacient 13 vjeçar shfaqte nota të larta nostalgjie për të shkuarën (moshën 7-8 vjeçare).

Ai jetonte në një shtëpi me stil lejues prindërimi, në kushte shumë të mira ekonomike.

“Por përballja me ‘vështirësitë’ e shkollës dhe futja në adoleshencë e trembte atë në aspektin e përgjegjësisë. Pacientin e agravonin shumë postimet nostalgjike në Instagram, pasi ato shërbenin si nxitës të nostalgjisë së tij. Përdorimi i medias sociale dhe konsumimi i lajmeve online mund të ndikojë në perceptimin e tyre për vetveten dhe botën rreth tyre” , rendit Çollaku. 

Grupmosha më e prekur në rastet që ajo trajton janë adoleshentët, por edhe ata në para-adoleshencë. Kjo e lidhur ngushtësisht me sasinë e kohës së shpenzuar në rrjetet sociale dhe përmbajtjen.

***

Filozofi Bernard Williams shpjegonte në studimet e tij se mundësitë që mesazhet të shpërfillen në rrjetet sociale janë të ulëta dhe probabiliteti që vetë sistemi t’i ndihmojë njerëzit të qëmtojnë të vërtetat është edhe më i ulët.

Interneti, sipas tij, është shtylla e të gjitha thashethemeve dhe mesazheve të pastrukturuara që bartin shumëllojshmëri deklaratash, idesh, por edhe besëtyte skandaloze apo dashakeqe.

“Nëse të rinjtë përballen me informacion të gabuar ose të manipuluar nëpërmjet mediave sociale, ata mund të përjetojnë konfuzion dhe paqartësi në lidhje me atë se kush janë dhe ku përshkojnë në jetë”.

Efekti i rrjeteve sociale në jetën e përditshme të të rinjve, sipas saj, është shumëdimensional:

“Në një anë, ato ofrojnë mundësi për lidhje sociale të reja dhe për të ndarë interesat dhe përvojat me një audiencë të gjerë.

Nga ana tjetër, rrjetet sociale mund të krijojnë stres dhe ankth nëpërmjet krahasimeve, presionit për të pasur një prezencë të dukshme online dhe për të përballuar kritikën ose kundërshtimin nga bashkëmoshatarët si dhe ndjenja të paimagjinuara inferioriteti për shkak të krahasimit me jetën e të tjerëve në internet” -thekson Çollaku, e cila shton:

“Përdorimi intensiv i rrjeteve sociale, lojërave video, dhe përmbajtjes dixhitale të tjera, mund të shkaktojë ndjenjë izolimi nga realiteti fizik dhe një shkallë më të ulët të vetëdijesimit për ngjarjet dhe marrëdhëniet në botën reale. Në shumë raste, – vijon ajo, – ndërveprimet online po fillojnë të zëvendësojnë komunitetin fizik të një individi që mund të çojë në ndjenja izolimi dhe mungese të lidhjes emocionale reale”.

***

Në Shqipëri problemi mbetet më konkret. Ajo lidhet ngushtësisht edhe me median siç rezulton pas kërkimeve të ekspertëve të teknologjisë.

Çdo ditë publiku “bombardohet” në emisione televizive me terma si “idiot”, “skandaloz’ “i lig”, “grotesk”, “kriminel” “i trashë” etj.

Përmbajtja me gjuhë urrejtjeje, sharje, ose ekstremizëm shpesh ndalohet dhe shkurajohet nga platforma të ndryshme siç janë rrjetet sociale, forumet në internet, dhe motorët e kërkimit.

Por, në rastin e medias, psikoterapeutja Çollaku nënvizon të rëndësishme të bëhet thirrje për tolerancë dhe respekt ndaj të tjerëve.

“… Kjo përfshin raportimin e rasteve të gjuhës së urrejtjes tek autoritetet kompetente, ofrimin e mbështetjes për viktimat, dhe edukimin e publikut në lidhje me rrezikun dhe dëmin që shkakton gjuha e urrejtjes në shoqëri”, thotë ajo.

Studimet e sotme tregojnë se gazetarët apo autorët përmes formateve të ndryshme në tv apo platforma sociale kanë përgjegjësinë e tyre për përhapjen e gjuhës së urrejtjes, nisur nga pyetjet apo temat e lançuara.

Shpesh vetë media përmes paneleve bëhet nismëtare e një komunikimi të tillë.

Gazetari Ben Andoni ka parasysh këtë fenomen kur, gjatë një bisede për Faktoje tregon se pak ditë më parë, “një grup intelektualësh i kërkonin institucioneve shqiptare jo vetëm të mos pranonin në ekrane dhe në media kinse ‘specialistë’ por edhe të punohej për kufizimin e gjuhës së urrejtjes”.

“Përderisa suksesi i mediave të shkruara dhe ato audiovizive, kriter primar kanë klikimin, atëherë është e vështirë të gjesh rol pozitiv për ta fashitur gjuhën e urrejtjes apo shpifjen. Derisa në parlament, pushteti më i lartë, gënjehet hapur dhe akuzohet pa bazë, atëherë çfarë mund të presësh në nivele të tjera”- thotë Andoni duke ngritur supet.

Edhe pse pak personazhe të botës mediatike dhe publike kanë zgjedhur përmes përvojës të shmangin gjuhën e urrejtjes, Andoni beson se, kjo situatë do të vazhdojë. “Sepse në media filtrohen gjithnjë e më shumë nivele poshtë mesatares dhe me kultura të cunguara, por mbi të gjitha me parime të munguara morale, ku kriter është debati për debat, që të pjellë klikime”.

Por, në Shqipëri, pasoja është më afatgjatë sesa fshirja e një mesazhi, këmbëngul Andoni: “Fuqia e kësaj lloj gjuhe për të nxitur dhunën e bazuar në urrejtje, që bëhet nga ankthi për klikime, po shoqërohet me kërcënimin që ajo paraqet për diskursin e sigurtë dhe civil.”

Psikoterapeutja Manjola Çollaku ndërkohë e sheh problematikën shumë më thellë, duke i mëshuar nevojës fillestare për edukimin e të rinjve përmes zhvillimit të mendimit të pavarur dhe kritik. Kjo fillon nga kurrikulat shkollore, përmes futjes së programeve edukative (në disa shkolla kanë filluar), “që synojnë të promovojnë, vetëdijen e fëmijëve për manipulimin e informacionit dhe rëndësinë e kritikës së medias”, sipas saj. Edhe projektet në nivel qytetar dhe shoqëror përmes organizatave jo fitimprurëse dhe nismave shoqërore apo fushatat e ndërgjegjësimit publik janë një mundësi tjetër në këtë drejtim.

***

Për herë të parë, që prej krijimit të Platformës Kombëtare iSIGURT.al bullizmi online është incidenti më i raportuar nga fëmijët dhe adoleshentët, në rreth 35% të rasteve, të ndjekur në 21% të rasteve nga gjuha e urrejtjes dhe 15% shantazhe dhe kërcënime online – thotë drejtori i CRCA, Altin Hazizaj për Faktoje.

Dhuna, ngacmimet dhe shfrytëzimi seksual online kanë kaluar në vend të katërt të incidenteve të raportuara.

Deri vjet, ky fenomen zinte incidentin kryesor të raportuar nga fëmijët dhe adoleshentët.

Nga viti 2018 raportohet se ka një rritje me 5 herë të incidenteve të mizogjinisë dhe gjuhës së urrejtjes.

Në tërësi, sipas Hazizajt, rezulton se vajzat raportojnë më pak incidente online, krahasuar me djemtë. Vajzat mbajnë vetëm 46% të peshës së raportimeve në iSIGURT.al, edhe pse analiza e rasteve tregon se ato janë viktimat kryesore të incidenteve në hapësirën kibernetike në mbi 60% të rasteve.

Vajzat e reja, sidomos adoleshentet e grup-moshës 14-17 vjeç, të ndjekura nga grup-moshat 18-24 dhe 30-40 vjeç janë ato që raportojnë më shumë.

Instagram, Tik-tok dhe Youtube janë platformat kryesore ku raportohen incidente të mizogjinisë dhe gjuhës së urrejtjes online, të ndjekura nga platforma të tjera sociale ose mediatike si Facebook apo ato lokale.

“Gjuha e urrejtjes është incidenti më i raportuar nga vajzat, ndjekur nga bullizmi dhe kërcënimet online. Jo vetëm numri i incidenteve ka ardhur në rritje, por edhe numri i faqeve të raportuara. Në vitin 2023 u raportuan 170 faqe me përmbajtje mizogjinie dhe gjuhës së urrejtjes, që korrespondon me një rritje prej 7 herësh, krahasuar me vitin 2018”, thotë Hazizaj.

Krahasuar me vitin e kaluar vihet re një rritje me 160% të incidenteve të raportuara. Çdo muaj raportohen të paktën 20 incidente online nga fëmijët, ose një person afër tyre.

Çfarë sjell ky fenomen?

“Kur individët shfaqin sjellje raciste, mizogjinie, ose homofobi nëpërmjet platformave të mediave sociale, ata rrezikojnë të kontribuojnë në kultivimin dhe përhapjen e diskriminimit dhe urrejtjes në shoqëri”, shpjegon znj. Çollaku e cila e sheh zgjidhjen tek angzhimi i tri hallkave kryesore që mbeten arkitrau i rregullimit të këtij fenomeni: prindërit, kurrikula shkollore (modelet e referimit arsimor) dhe media.

*Ky shkrim është realizuar nga Faktoje si pjesë e projektit “Thuaj po dashurisë, jo gjuhës së urrejtjes”, që mbështetet nga iniciativa rajonale e Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP.

Opinionet e shprehura këtu janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e UNFPA dhe UNDP.