Pretendimi: Libanezët nisën festën pas nisjes së raketave balistike të Iranit ndaj Izraelit
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon “libanezët [që] festojnë me muzikë e kërcim raketat balistike të Iranit ndaj Izraelit.”
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video në fjalë është postuar në Instagram më 14 qershor 2025.
E etiketuar si bashkëpunëtore në postim është llogaria djskya_, e cila duket se i përket një DJ libaneze. Në llogarinë e saj, ajo ka postuar edhe pamje të tjera të “një tjetër feste nën raketa” në klubin HAI Beirut.
Në llogarinë e Instagram të klubit gjejmë se DJ Skya ishte e ftuar të luante mbrëmjen e të shtunës, më 14 qershor. Kjo konfirmon më tej se video e mësipërme është xhiruar në Beirut më 14 qershor 2025, kur Irani lëshoi një numër raketash me shënjestër Izraelin.
Megjithatë, në asnjë nga postimet origjinale, apo postime të tjera nga po e njejta natë, nuk përmendet gjëkundi se libanezët në video po festojnë sulmet iraniane kundër izraelit. Përkundrazi, përshkrimet e videos origjinale theksojnë absurditetin e situatës.
Video tregon një natë tipike në një klub nate, ku njerëzit shkojnë për të dëgjuar muzikë dhe për të festuar, qoftë edhe nën dritën e raketave balisitike.