.

.

BallinaAktiviteteTë rinjtë: Kemi nevojë të mësojmë më shumë si mund të dallojmë informacionin e rremë

Të rinjtë: Kemi nevojë të mësojmë më shumë si mund të dallojmë informacionin e rremë

“Sot në epokën dixhitale, informacioni që marrim duhet të verfikohet. Mjetet e verfikimit të fakteve që mora në këtë trajnim më ndihmojmë, që të jem më e kujdesshme që të mos bie pre e informacioneve të rreme”- na thotë Suela, një e re nga Shkodra.

Ajo është një nga 165 të rinjtë të moshës 15-25 vjeç, që kanë marrë trajnimin që Faktoje po realizon në disa qytete të Shqipërisë me qëllim nxitjen e tyre për të patur një mendim kritik, për të qenë më të kujdesshëm në informacionet që lexojnë dhe shpërndajnë. Me shumë pyetje dhe aktiv në diskutime të rinjtë kanë ndarë me gazetarët e Faktojes, shqetësimet e tyre për informacionet e rreme që lexojnë në rrjet dhe nevojën e tyre të njohur më shumë mjetet online që mund të përdorin.

Faktoje po vijon serinë e trajnimeve me 300 të rinj nga Korça, Kurbini, Vlora, Librazhdi, Kamza, Peshkopia, Durrësi dhe Shkodra, në kuadër të projektit “Youth Reporting Albania Program”, në bashkëpunim me IREX.

*Të rinjë e Shkodrës gjatë trajnimit me Faktoje.al

Rreth 20 të rinj të qytetit të Shkodrës, zhvilluan më 8 Prill trajnimin e radhës për fact-checking.  Të rinjtë u njohën me metodologjinë e verifikimit të fakteve dhe se si të jenë të kujdesshëm që mos të bien pre e dizinformimit. Krahas pajisjes së të rinjve me njohuri për edukimin mediatik dhe verifikimit të fakteve, përgjatë trajnimit Faktoje do të ofrojë mundësinë që ata të jenë vetë kontribues me shkrime në media mbi temat më me interes për ta dhe komunitetet ku ata jetojnë. Në përfundim të trajnimit ata u shprehën se ndihen falendërues për njohuritë e përfituara.  “Ju jemi shumë falenderues për trajnimin, pasi tashmë ne e kemi më të thjeshtë të kuptojmë cilat janë lajmët e rreme. Gjithmonë kam dashur të mësoj më shumë rreth mënyrave se si mund të verifikoj nëse një foto është e vërtetë. Teknikat që mësova në këtë trajnim rreth kërkimit në internet me foto, do më ndihmojnë shumë në të ardhmen”, -tregon një prej nxënëseve Suela.

*Të rinjë e Kamzës gjatë trajnimit me Faktoje.al

Më 15 mars, ekipi i Faktoje zhvilloi trajnimin e radhës me mbi 30 të rinj në Kamëz. Në këtë takim u ndanë informacione të rëndësishme mbi mënyrën e verifikimit të lajmeve të rreme dhe disa mjete që mund të përdoren për të mos rënë pre e tyre. Gjatë trajnimit, të rinjtë bënë të ditur që kishin rënë shpesh pre e lajmeve të rreme sidomos gjatë pandemisë apo edhe gjatë konflktit aktual Rusi-Ukrainë. Në fund të takimit, ata sugjeruan disa tema që i prekin drejtpërdrejt, si mësimi me turne, apo edhe mungesa e mjediseve sportive në shkolla. Këta tema do të trajtohen nga të rinjtë në bashkëpunim me stafin e Faktoje.

*Të rinjë e Durrësit gjatë trajnimit me Faktoje.al

Rreth 20 të rinj nga Durrësi u bënë pjesë e trajnimit të radhës të Faktoje të mbajtur më 11 prill. Interesi i të rinjve ishte mjaft i lartë për sa i përket metodave të prezantuara mbi mënyrën e verifikimit të fotove apo videove të rreme. Të rinjtë bënë të ditur se informacionet kryesore i marrin nëpërmjet rrjeteve sociale dhe se shpesh herë kanë rënë pre e dizinformimit. Ata ishin mjaft aktiv, duke dhënë shembuj konkret nga përditshmëria në lidhje me fake-neës, por ndanë edhe tema interesante për t’u ndjekur në vazhdimësi.  Kushtet në shkolla dhe qendra shëndetësore, apo edhe mungesa e një kopshti zoologjik ishin vetëm disa nga shqetësimet e ngritura nga të rinjtë, të cilat meritojnë vëmendje më të madhe nga institucionet publike përkatëse.

*Të rinjë e Librazhdit gjatë trajnimit me Faktoje.al

Më 18 Mars, Faktoje zhvilloi trajnimin e radhës për projektin Youth Reporting Albania Program (Youth- RAP) me një grup të rinjsh në Librazhd. Gazetaret e Faktoje, Ina Allkanjari dhe Ilda Hoxha paraqitën para të rinjve shembuj konkretë nga puna e përditshme në verifikimin e fakteve dhe sa rëndësi ka ky proces në përcjelljen e një informacioni të saktë, të plotë dhe të paanshëm. Gjatë trajnimit u diskutua gjatë edhe mbi temat që shqetësojnë të rinjtë në Librazhd. Kushtet në shkolla, kushtet në spitale si dhe mungesa e aktiviteteve argëtuese dhe zhvilluese ishin disa nga shqetësimet e tyre.

“Ndër problemet kryesore që shqetësojnë rininë e Librazhdit janë mungesa e aktiviteteve jashtëshkollore. Do kisha shumë dëshirë të realizoja një artikull në lidhe me këtë problematikë e cila duhet të gjejë zgjidhje sa më shpejt”, u shpreh gjimnazistja Denisa.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img