Pretendimi: Adrenokromi është droga e elitave që nxirret nga gjaku i fëmijëve dhe lë shenja të errëta rreth syve
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————
Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, vijon të qarkullojnë teori mbi adrenokromin, “drogën e elitave” që përftohet nga gjaku i fëmijëve dhe përdoret nga personat e famshëm dhe të pushtetshëm. Postimi shoqërohet me një video të portretit të manipuluar të presidentit francez Macron dhe disa personazheve të tjera të njohura të politikës dhe artit, me shenja të errëta rreth syve, që pretendohet se është një pasojë e përdorimit të adrenokromit.

Narrativa e trafikimit të fëmijëve për t’u nxjerrë adrenokromin që përdoret nga elitat për të zgjatur jetën dhe rininë e tyre u shfaq për herë të parë në 2017 në ShBA, si pjesë e teorisë konspirative QAnon. Kjo teori përshkruan presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një grup elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.
Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një ring trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe shtiu me armë.
Sa i përket adrenokromit, kjo substancë prodhohet nga oksidimi i adrenalinës. Ajo është studiuar në vitet 1950-70, por sot nuk ka asnjë përdorim mjekësor. Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) nuk e ka aprovuar përdorimin e adrenokromit. Mbi të gjitha, nëse një kabal elitash do ta donte gjithsesi këtë substancë të deklaruar të padobishme nga shkenca, nuk do t’i duhej të rrëmbenin fëmijë nëpër tunele nëntokësore për ta përftuar atë. Adrenokromi mund të krijohet në laborator, madje mund të blihet në internet lehtësisht.

Adrenokromi mund të blihet lehtësisht në internet
Joseph A. Schwarcz, drejtori i Zyrës për Shkencën dhe Shoqërinë në Universitetin McGill, shkruan se teoria konspirative e adrenokromit ka ngjyrime anti-Semite, duke cituar një histori të gjatë të akuzave se hebrenjtë përdorin gjakun e fëmijëve të krishterë në ritualet e tyre fetare. Këto akuza kanë shërbyer historikisht për të justifikuar dhe nxitur persekutimin e hebrenjve në Europë.






