Petendimi: Kemtrajlet përmbajnë viruse, bakterie mikroskopike, plazmë njerëzore, dhe mikromakineri aliene.

Verdikti: E paprovuar

———————————————–

Në rrjetet konspiracioniste po shpërndahet video e një burri që pretendon se vazhdat e avullit që lënë pas avionët përmbajnë mikroviruse, plazmë njerëzore, makineri aliene dhe substanca helmuese.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se personi në video quhet Bill Deagle dhe klipi i mësipërm është shkëputur nga një referat 4-orësh që ai ka mbajtur në 7 dhjetor 2006 në Forumin Granada në Los Angeles. 

Gjatë këtij referati ai flet për një numër teorish konspirative, dhe përshkruan një numër suplementesh që dëgjuesi mund të blejë me anë të kompanisë së tij Nutrimedical. Nga fundi, referati transformohet në profetizëm fetar.

Në klipin e mësipërm, Deagle dëgjohet të thotë:

Kemtrajlet. Dhe kemtrajlet, meqë ra fjala kemtrajlet kanë kripëra bariumi, ato janë 10,000 herë më toksike për sistemin tuaj nervor sesa plumbi. Ato përmbajnë viruse mykobakteriale, baktere Pseudomonas, plazma njerëzore. Pyes veten se çfarë bën plazma e njeriut në kemtrajle? Dhe kjo nuk është hamendje, kam bërë shumë hulumtime përpara se ta them këtë — por këto kemtrajle janë të këqija. Dhe ka tre arsye për kemtrajlet.

E para është që ata – dhe unë fola me miqtë e mi të NSA-së në Fort Carson, Baza e Forcave Ajrore Peterson dhe Buckley ku në fakt isha mjeku i tyre që kujdesesha për pilotët që fluturonin dhe spërkatnin kemtrajlet kështuqë e di që është e vërtetë. Nëse dikush thotë se nuk është e vërtetë, ata po ja fusin kot. OK, sepse unë jam një sinjalizues i brendshëm, kjo nuk është për diskutim. Dhe miqtë e mi të NSA-së më thanë, 95 përqind e tyre më thanë, ata ishin atje lart duke u përpjekur të spërkatnin për të reflektuar diellin për të ndaluar ngrohjen globale. Pra, shumica e tyre janë aq budallej sa besojnë ato broçkulla.

OK? Dhe gjithashtu në kemtrajle, dhe ka një lidhje direkt që Jeff Rense e ka zbuluar dhe unë do të kem Dr. Stan këtu dhe Dr. [e padëgjueshme] pas rreth një jave në emisionin tim radiofonik. Dhe unë kam bërë disa hetime dhe ka prova shumë të forta tani që Morgellons shkaktohet nga një formë jete si nanomakineri me bazë silikoni që nuk e ka origjinën në planetin Tokë. A nuk është interesante? Kjo është një formë jete me bazë silikoni që është inteligjente si bletët ose milingonat dhe kundërpërgjigjet.

Kjo i referohet teorisë konspirative të kemtrajleve (chemtrails), që pretendon se vazhdat që lënë pas avionët janë spërkatje me kimikate të urdhëruara nga disa “ata” misteriozë. Këto vazhda fajësohen për rritjen e sëmundjeve dhe shumë fenomene të tjera negative që ndodhin në tokë. 

Kjo teori konspirative pretendon se qeveria apo palë të tjera janë të angazhuar në një program sekret për të futur kimikate toksike në atmosferë nëpërmjet avionëve në një mënyrë që formon vazhda në qiell, si ato që duken pas avionëve.

Sipas Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit dhe NASA, vazhdat e bardha që duken pas avionëve në qiell quhen vazhda kondensimi (contrails), përbëhen kryesisht nga uji, dhe “nuk janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.”

Vazhdat e kondesimit formohen kur avulli dhe grimcat e hirit të imët nga djegia e karburantit të avionit ngrijnë në kristale akulli. Në ajër me lagështi të ulët, kristalet thjesht shpërbëhen. Nëse ajri ka më shumë lagëshit, ato mbeten, dhe krijojnë vazhdat e avullit që duken me sy nëpër qiell. Ky ndryshim në nivelin e lagështisë së ajrit shpjegon pse disa avionë kanë vazhdë kondensimi dhe disa jo.

Më 22 nëntor 2016, një sondazh i shkencëtarëve atmosferikë u botua nga Environmental Research Letters. 76 nga 77 (98.7%) e shkencëtarëve që morën pjesë në këtë studim thanë se nuk kishte prova të ekzistencës së një programi sekret të spërkatjes atmosferike në shkallë të gjerë dhe se të dhënat e cituara si prova mund të shpjegoheshin përmes faktorëve të tjerë.

Një ekip kërkimor në Harvard ka për qëllim të nisë një projekt për të mësuar rreth gjeoinxhinierisë diellore. Projekti Eksperimenti i Perturbimit të Kontrolluar Stratosferik (SCoPEx)  do të përdorte një tullumbace stratosferike për të lëshuar një sasi të vogël pluhuri karbonat kalciumi në atmosferë, duke matur më pas ndryshimet. Testi i platformës ishte caktuar të ndodhte nga Suedia në qershor 2021, por u anulua dhe u shty për një kohë të pacaktuar nga komiteti këshillues i SCoPEx. Nuk ka asnjë provë, siç pretendohet nga Deagle, që kërkime me një interes të ngjashëm në gjeoinxhinieri janë kryer me aeroplanë nga bazat e Forcave Ajrore duke spërkatur kimikate toksike, viruse, baktere dhe “forma të jetës me bazë silikoni”.

Deagle u licencua për të ushtruar mjekësi në Kolorado në 1994. Në mars 2004, një hetim mbi recetat e ilaçeve kundër dhimbjeve dhe vdekjen e një pacienti rezultoi në pezullimin e licencës së tij. Atij iu rikthye më pas licensa me kushte mbikëqyrjeje që ai i quajti të patolerueshme, dhe në korrik 2004 ai e mbylli praktikën e tij. Licenca e Deagle për të ushtruar mjekësi u hoq zyrtarisht nga Bordi Shtetëror i Ekzaminuesve Mjekësorë të Kolorados më 15 gusht 2007.

Faktoje ka verifikuar edhe më parë pretendime lidhur me të ashtuquajturat kemtrajle.