.

.

BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitTë moshuarit në Kolonjë, sfida për t’i mbijetuar me dinjitet izolimit nga pandemia dhe varfërisë

Të moshuarit në Kolonjë, sfida për t’i mbijetuar me dinjitet izolimit nga pandemia dhe varfërisë

DHORJELA CULE

Në Bashkinë Ersekë, ku shumica e banorëve të mbetur pas emigracionit janë të moshuar, izolimi nga pandemia u kthye në sfidë mbijetese. Autoritetet vendore raportojnë se gjatë periudhës së karantinës u katërfishua numri i pensionistëve të cilëve u dërgohej pagesa në shtëpi. Kur vjen fjala tek ndihmat jetike, shumë të moshuar në Kolonjë dëshmojnë se i dolën zot vetes, me ato pak fuqi, apo u mbështetën tek ndihma e fqinjëve, siç e kanë për traditë. Pensionistët në Kolonjë treguan për “Faktoje” se tjetër iu premtua dhe tjetër përjetuan gjatë karantinës.


Qëndrimi në shtëpi dhe shmangia e vendeve të mbushura me njerëz mund të ndihmojë të moshuarit të zvogëlojnë rrezikun e tyre ndaj infektimit me virusin Covid-19. Por ky izolim për pensionistët e Kolonjës u shoqërua me shumë kosto, veçanërisht për ata me probleme shëndetësore. Ndërsa pandemia vazhdon të përhapet edhe në rajonet që deri pak kohë më parë ishin “zona të gjelbra”, edhe të moshuarit vazhdojnë të kufizojnë sa më shumë daljet.

Gjatë periudhës së karantinës ata u përballën me sfida të vështira, jo vetëm psikologjike, për shkak të izolomit të menjëhershëm. Për të siguruar ilaçet, atyre u duhej të shkonin deri nëKorçë, ndërsa nevoja për ushqime në kushtet kur askush nuk mund t’i ndihmonte, i detyroi të dalin nga shtëpitë, pavarësisht se kjo i ekspozon ndaj prekjes nga Covid-19.

Në Kolonjë sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës së izolimit që nisi prej marsit dhe zgjati disa muaj, iu dërgua pensioni në shtëpi 2765 të moshuarve, nga të cilët rreth 1/3 jetojnë të vetmuar. Ndërsa bashkia mori në patronazh 474 familje gjithsej, përfshirë këtu edhe familjet në vështirësi ekonomike.

Për një pjesë të të moshuarve, marrja e pensionit në shtëpi ishte shërbim që përfitohej edhe para pandemisë, kundrejt tarifës prej 100 lekësh, të përcaktuar nga Posta Shqiptare. Sapo masat kufizuese u hoqën, pensionistët iu rikthyen radhës nëpër sportele për ta marrë vetë pensionin.

“Para pandemisë, pensione që shpërndaheshin në familje ishin 719. Gjatë izolimit, gjithsej u shpërndanë në familje 2765 pensione. Aktualisht pensione në familje janë 775. Dega Posta Ersekë përpiloi lista të sakta të pensionistëve duke i ndarë sipas fshatrave. Për ndarjen e pensioneve në familje u angazhua gjithë personeli dhe administrata. Ajo mori përsipër fshatrat më të largët dhe për fshatrat më të afërt mori përsiper rolin e shoqëruesit të shpërndarësit. Kemi patur bashkëpunim shumë të mirë me bashkinë dhe me kryetarët e fshatrave për këtë proces.”- tha për “Faktoje” drejtori i Postes Shqiptare Korçë.

Pensionistët në qytet dhe fshatra tregojnë se ky shërbim u vonua disa ditë dhe në kushtet e izolimit kjo ishte penalizuese.

“Nuk di ta them me saktësi se ma zgjidhën fëmijët nga Tirana këtë pjesën e formularëve a ku di unë se çfarë kërkohej, se unë vetë nuk dija ta bëja. U vonua disa ditë dhe kur je në fund të muajit i llogarit ato qindarkat, por bëmë si bëmë. Pak ditë ishin dhe ne jemi mësuar ta nxjerrim muajin me siklet. Për ne problem është që pensioni nuk na del dhe u biem në qafë fëmijëve”- tha e moshuara A. H, banuese në Kolonjë.

Pak ditë pasi nisi izolimi i përgjithshëm i vendit dhe u premtua ndihmë për çdo familje në vështirësi, sidomos për të moshuarit, Bashkia Kolonjë përmes një statusi në faqen zyrtare, publikoi atë që e konsideroi paketën e ndihmës për moshën e tretë duke sqaruar edhe disa nga shërbimet që u ofroheshin atyre.

Shumë nga të moshuarit e vetmuar të kësaj bashkie nuk e morën ndihmën e premtuar, edhe për shkak të ndërprerjes së komunikimit si pasojë e izolimit, ndaj u detyruan ta gjejnë vetë zgjidhjen për të mbijetuar, qoftë edhe duke shkelur rregullat që ndalonin daljen nga shtëpia. Masat për të penguar përhapjen e virusit ndikuan në mënyra të ndryshme tek gjithsecili, por disa kategorive i mohuan marrjen e shërbimeve jetike. Një prej këtyre kategorive ishin të moshuarit pa përkrahje, të cilët u përballën me prova të forta mbijetese.

Në sheshin qendror të Ersekës rrallë sheh të rinj, janë kryesisht të moshuarit ata të cilët qëndrojnë gjatë orëve të ditës dhe shkëmbejnë biseda me njëri-tjetrin, ndërsa të tjerë vërtiten tek marketet aty rrotull sa për të marrë ushqimet që u nevojiten.

Neim Jaçe

Neim Jaçe është një prej pensionistëve të vetmuar të Ersekës, i cili nuk ka krijuar familje dhe jeton në një dhomë së bashku me dy shokët e tij.

“Nuk kam marrë ndonjë ndihmë përveç pensionit. E kam pensionin 17 mijë lekë dhe me atë jetoj. Do ta kisha më pak, por kam punuar disa vite në minierë. Kur na mbyllën brenda e pata vështirë, sepse nuk jam në gjendje të gatuaj. Detyrohesha të dilja që shkoja merrja ndonjë gjë për të ngrënë, edhe ilaçet shkova i bleva vetë, çdo gjë vetë e bëra. Me kujdes se mos më zinte policia e mos më shihte njeri se më vinte turp që po shkelja rregullin, por këto ishin nevoja”- tregon 70-vjeçari.

Efgjeni dhe Qirjako Dhoska

Efgjeni dhe Qirjako Dhoska tregojnë se nuk përfituan asnjë shërbim dhe se i dolën zot vetes në kushtet e izolimit.

“Pensionin e morëm në shtëpi, ama të gjitha të tjerat i bëmë vetë. Shkoja në dyqan, bleva ilaçet, cfarë më duhej. Shtëpia ka nevojë për çdo gjë. Nuk na trokiti askush në derë të na pyeste a ishim gjallë apo jo. Fëmijët s’i kemi këtu dhe vetëm me telefon flisnim. Si kukudhi ishim. Kishim nevojë edhe ne për ndihma se disa të tjerëve u dhanë edhe pako ushqimore, por ne jo. Se si i përzgjodhën nuk e dimë. Hesapin tonë të shtëpisë nuk na e bëjnë dot ata nga jashtë, por ja që ne na lanë kështu. Të tjera dëgjuam në televizor e të tjera jetuam”- tregon për “Faktoje” çifti i bashkëshortëve 70 dhe 80-vjeçarë.

Disa të tjerë e patën edhe më të vështirë, jo vetëm mbijetesën në izolim, por edhe vetminë me të cilën u përballën. Sigurimi i mbështetjes shtesë për njerëzit e moshuar që u nevojitet për të përdorur teknologjinë dhe për të ruajtur komunikimin me të afërmit që kanë larg, ishte gjithashtu i pamundur.

Tahir Ocelli duke folur për Faktoje

“Jetoj i vetëm. Bashkëshorten nuk e kam, ndërsa djali me nusen janë në Tiranë e nuk lëviznin dot. Në shtëpi nuk më hynte njeri. Isha unë dhe fotografitë në mure. Apo dimë ne nga internetet e gjithë ato gjëra që nxirrnin, apliko këtu e apliko aty! Kush të m’i bënte. Ndihmë jo e jo dhe një burrë plak vetë kuptohet si mund të rrojë. Ku ngrënë e ku pa ngrënë. Pagova ilaçet, pagova ujë, drita, televizor, telefon. Çfarë më mbeti mua nga pensioni, as vetëm për pllakën e bukës nuk dilte.” – rrëfeu 75-vjeçari.

Kalia Zhidro

Në fshatrat e Kolonjës emigracioni ka reduktuar në masë popullsinë dhe ata pak banorë që kanë mbetur janë kryesisht të moshuar, një brez që me gjithë vështirësitë e mungesën e mundësisë për një jetë më të mirë, i qëndron stoik vendimit për të mos braktisur vendlindjen. Në fshatin Borovë takojmë 76-vjeçaren Kalia Zhidro. Teksa ecën gjysmë përkulur nga pesha e torbës së ngarkuar me ushqim për bagëtinë, thotë me zë të lartë kur e pyesim sesi e përjetoi izolimin nga pandemia:

“As sa maja e këtij gishtit tim të vogël nuk na ndihmuan. Ja vetëm me burrin jetoj edhe të gjitha vetë i bëra. Fëmijët i kam jashtë, se këtu s’jeton dot, punë nuk ka, asgjë nuk ka! Mua nuk më ndihmoi njeri. Ja këto shpatulla! Edhe ilaçet vetë i morëm se nuk m’i sollën. Pamë ç’pamë, vumë maskat edhe i dolëm vetes zot. Burri shkoi në Ersekë që i bleu ilaçet se ndenjëm dy ditë pa to, ngaqë na kishin mbaruar. Kush mendon për ne?”

Pensionistët që s’mundën të dilnin nga shtëpitë, qoftë nga frika e shkeljes së aktit normativ, apo nga gjendja jo e mirë shëndetësore, kërkuan ndihmë nga bashkëfshatarët. Në fshatin Mollas një pjesë e pensionistëve tregojnë se pavarësisht se jetojnë me fëmijet e tyre, pensionet janë e vetmja e ardhur me të cilat mbahen 5-6 frymë në shtëpi. Pavarësisht kësaj vështirësie, ata nuk u ndihmuan nga autoritetet, por nga fqinjët që sipas traditës i mbajnë derën hapur njëri-tjetrit për çdo ndihmë.

Satlihana Emini

“Bashkëshortin e kam me ilaçe që i kushtojnë 90 mijë lekë të vjetra në muaj. Ç’mbetet nga pensioni i tij hamë ne. Unë s’kam dalë ende në pension, ja po i numëroj muajt që të marrim dy lek më shumë. Jetojmë me djalin, nusen e fëmijët që i kam pa punë.” – tregon Satlihana Emini.

“Me komshinjtë u rregulluam, ç’të bënim, ja djali i zonjës që rri ngjitur shkoi m’i bleu ilaçet e burrit në Korçë se këtu nuk ka nga ato ilaçe. Edhe për disa të tjerë i mori se ai ka makinë dhe na i solli. Ka këtu edhe të moshuar që jetojnë vetëm, u kujdesëm edhe për ata se nuk lihen, janë njerëz me shpirt e me ndjenja.” – thotë gruaja, ndërsa hyn brenda në shtëpi ku e pret bashkëshorti, i cili vuan nga skleroza.

Hekuran Koroçi

Hekuran Koroçi, i moshuar dhe invalid thotë se nuk përfitoi asnjë ndihmë, pavarësisht statusit dhe pretendon se ndihma nga bashkia iu mohua për shkak se ka në pronësi një automjet.

“Fëmijët i kam në Greqi dhe më kanë ndihmuar vazhdimisht. Ja që në atë periudhë nuk më dërgonin dot. Pakot me ndihma i dhanë për kë donin. Për mua të sëmurin nuk kishte, jo nuk kishte, por nuk më takonte. Edhe më rëndë akoma, nuk më dhanë se kam makinë. As e ha makinën, e as mi paguan makina taksat.”- ankohet ai.

“474 familje në bashkinë e Kolonjës janë ndihmuar nga stafi i bashkisë për të gjitha nevojat e domosdoshme që i lidhin me botën e jashtme, që nga furnizimi me ushqime dhe medikamente. Po ashtu, edhe lidhur me pagesat e mundshme nëpër institucione. Ka edhe raste kur e kanë refuzuar ndihmën tonë me këto shërbime duke na deklaruar se e kishin zgjidhur me familjarët apo të afërmit.”- tha kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai për “Faktoje”. Ai konfirmon se personeli prej 68 personash ishte gjatë izolimit në gatishmëri përgjatë 24 orëve, për të ndihmuar të moshuarit, familjet me ndihmë ekonomike, ato që marrin pagesën e 6% të bllok ndihmës, si dhe familjet që marrin pagesa paaftësie.

Njerëzit e moshuar kanë pohuar se e kanë ndjerë dyfish vetminë gjatë pandemisë së koronavirusit, një situatë që mund të jetë shkatërruese jo vetëm nga ana fizike, por sidomos ajo psikologjike.

“Është paradoksi i pensionistëve ky, i atyre që jetojnë përmes pensionit. Të marrësh çdo shërbim në shtëpi duke paguar do të thotë që pensionistët e bëjnë këtë duke marrë një lloj ndihme financiare, përtej pensionit të tyre që sigurohet, mbase nga fëmijët. Shteti social, shteti human në këtë situatë mund të shihet si një faktor që lehtësoi disi, por në anën tjetër është individi. Që të arrihet një partneritet duhet të jetë edhe kontributi i individit, fëmijëve, të afërmve që këta pensionistë të jetojnë me dinjitet. Pra shteti mund të arrijë deri në një nivel dhe pjesa tjetër kompensohet nga njerëzit përreth. Janë njerëz që kanë kontribuar në këtë vend dhe pavarësisht çdo situate, që mund të jetë pandemia, duhen ndihmuar që të jetojnë me dinjitet.” – thotë Dion Tushi, profesor i asociuar në Universitetin “Fan Noli” të Korçës.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img