Pretendimi: Ish-presidenti Barack Obama është burgosur në Guantanamo
Verdikti: E pavërtetë
Në prag të zgjedhjeve presidenciale në ShBA, në rrjetet konspiracioniste ka nisur të qarkullojë përsëri pretendimi se ish-presidenti amerikan Barack Obama është arrestuar për tradhëti ndaj vendit të tij. Dy fotografi të skedimit të tij nga policia, shoqërojnë këto postime si një provë e izolimit penal ndaj ish-presidentit.
Krahas postimit thuhet se listës së të burgosurve në burgun famëkeq të Guantanamos, i janë shtuar edhe të burgosur të tjerë elitarë.
“Përveç listave që kemi publikuar më parë, dje dhe sot është shtuar kjo listë me plot arrestime të reja, aktakuza dhe ekzekutime në kampin e burgimit të Guantanamos për mijëra ish-të burgosur të rinj elite”- shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Këto postime janë pjesë e lëvizjes QAnon, një teori konspirative politike amerikane e ekstremit të djathtë dhe lëvizje politike që filloi në 2017. QAnon përqendrohet në pretendimet e fabrikuara të bëra nga një individ ose individë të njohur si “Q”. Besimi i tyre thelbësor është se një grup elitar politikanësh dhe biznesmenësh drejtojnë një rrjet global të trafikimit të seksit të fëmijëve që komplotuan kundër presidentit Donald Trump.
Faktoje bëri një verifikim të këtyre pretendimeve, fillimisht duke përdorur mjetet e verifikimit të imazheve për të kuptuar më tepër rreth vërtetësisë së fotove. Nga kërkimi gjetëm se në fakt imazhet janë të manipuluara.
Imazhet janë të gjeneruara me “Meme Generator”, një krijues falas i imazheve në internet që ju lejon të shtoni tekst, imazhe. Në këtë aplikacion ka template të gatshme, por lejon edhe krijimin e tyre sipas dëshirave të gjithsecilit.
Në kërkimet e bëra shihet gjithashtu se këto foto të Barack Obamës janë shpërndarë edhe në faqe interneti në gjuhë të huaj dhe duket qartë që janë imazhe të modifikuara, në disa raste me qëllime satirike dhe në të tjera për të manipuluar lexuesit.
Imazhi është postuar edhe në Reddit, ku shkruhet: “Imagjinoni çfarë do të thoshin nëse do të ishte Obama”. Ndërkohë, komentuesit theksojnë qartë që kemi të bëjmë me një foto të manipuluar.
Faktoje ka verifikuar edhe më herët lajme të rreme që kanë qarkulluar në lidhje me ish-presidentin e ShBA-ve, Barack Obama.