Intervistë me Dr. Roberto De Bernardi
Përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri
Përllogaritet se një në pesë fëmijë në Evropë është viktimë e një forme të dhunës seksuale. E njëjta situatë shqetësuese shtë edhe në Shqipëri. Të dhënat e INSTAT-it për vitin 2017 raportojnë se 61% e të gjitha krimeve seksuale janë kryer ndaj fëmijëve, gjithsej 70 raste, ku 26 prej tyre ishin raste përdhunimi. Kjo është një përllogaritje e përafërt pasi nuk ka një sistem të mirëfilltë regjistrimi.
Dhuna seksuale ndaj fëmijëve mund të marrë forma të shumëfishta. Është një nga llojet më të tmerrshme dhe shkatërruese të dhunës që mund të ndodhë, si online, ashtu dhe me prezencë fizike dhe, shpesh, shoqërohet me lloje të tjera të dhunës, si dhuna në familje apo dhuna mes të rinjve. Një fëmijë i ekspozuar ndaj çfarëdolloj forme të dhunës është në rrezik të stresit toksik – një gjendje që ndryshon strukturën dhe funksionimin e trurit, sistemit nervor dhe funksioneve të imunitetit. Për më tepër, viktimat e dhunës janë në rrezik të shtuar për depresion, ankth, çrregullim të stresit post-traumatik dhe sjellje vetëvrasëse.
Parandalimi dhe adresimi i dhunës ndaj fëmijëve kërkon një përgjigje të strukturuar dhe shumëplanëshe. Ky është pikërisht rasti lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore, një krim i rrënjosur në dhunë. Kur kryhet për shfrytëzim seksual, trafikimi i qenieve njerëzore mund të konsiderohet si një formë tejet shkatërruese e dhunës me bazë gjinore.
Fuqizimi i sistemit të mbrojtjes së fëmijëve nuk është trajtuar ende në mënyrë të qëndrueshme
Për të trajtuar këto sfida të ndërlikuara ndërkombëtare, UNICEF Shqipëri, në bashkëpunim me Koordinatorin Kombëtar Anti-Trafik të Shqipërisë si dhe me financimin e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, po zbaton programin “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria”. Duke u bazuar në një qasje shumëpalëshe, programi bazohet mbi prova dhe nxit qasje të komunikimit strategjik për të ndryshuar mendimet rreth stigmës, abuzimit dhe shfrytëzimit. Ai trajton drejtësinë kombëtare dhe organizatat ligjzbatuese lidhur me parandalimin e krimit dhe mbështetjen e personave në rrezik duke i ndihmuar ata të marrin shërbimet që janë kritike për mbijetesën e tyre.
Por, ndërsa trajtohen nevojat e menjëhershme të të mbijetuarve të dhunës seksuale, një zgjidhje vërtet e qëndrueshme kërkon ndryshime sistemike më të thelluara. Parandalimi dhe mbrojtja nga dhuna duhet të integrohen plotësisht me sistemin kombëtar të mbrojtjes së fëmijëve siç njihet edhe nga strategjia e Bashkimit Evropian për të Drejtat e Fëmijës.
Gjatë viteve të fundit, qeveria Shqiptare ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor me miratimin e Ligjit për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës (18/2007) dhe Kodin e Drejtësisë Penale për të miturit (37/2017). Por munngesa e fondeve e vështirëson zbatimin e tyre të plotë.
Ndërkohë që reformat shtetërore janë përqendruar bindshëm në realizimin e anëtarësimit në BE, fuqizimi i sistemit të mbrojtjes së fëmijëve mbetet ende për t’u trajtuar në mënyrë të qëndrueshme.
Që Shqipëria të jetë e suksesshme në luftën kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve, duhet të zbatohen tri kërkesa: investimi për parandalimin e dhunës, përfshirja kuptimplotë e fëmijëve, dhe ngritja e kapaciteteve të punonjësve të mbrojtjes së fëmijëve.
Dhuna mund të parandalohet. Ka zgjidhje.
Programet e parandalimit mund të funksionojnë vetëm kur financohen në mënyrë të mjaftueshme. Pavarësisht progresit, vetëm 9% e e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) së Shqipërisë alokohet për shërbime të mbrojtjes sociale, krahasuar me mesataren evropiane prej 28%. Buxheti i Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës (ASHDMF) për vitin 2018 prej 12,400,000 lekësh, apo rreth 100,000 eurosh, mbetet i pamjaftueshëm për të përmbushur nevojat dhe përgjegjësitë në rritje, duke përfshirë monitorimin e shërbimeve të mbrojtjes së fëmijës.
Me qëllim fuqizimin e zërave të fëmijëve dhe nxitjen e kulturës së ngritjes së zërit për dhunën dhe abuzimin, veçanërisht për dhunën seksuale, UNICEF Shqipëri prezantoi në Shtator 2020 fushatën ndërgjegjësuese #TëBesoj “Të besoj, kam besim te ti”, e cila mbledh dhe tregon histori të vërteta të abuzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri. Fushata mbuloi rreth një milion persona në Shqipëri, duke përfshirë një numër të madh fëmijësh, dhe nxiti një debat për politikat me qeveritë vendore dhe atë qendrore rreth urgjencës së ndalimit të abuzimit seksual ndaj fëmijëve.
Së fundmi, edhe pse mbarë vendi numëron rreth 236 punonjës të mbrojtjes së fëmijëve, pjesa më e madhe e tyre nuk janë të trajnuar në punë sociale ose nuk janë të punësuar me kohë të plotë. Sistemi ka nevojë për dyfishimin e punonjësve aktualë për të siguruar mbulim në mbarë vendin. Gjithashtu, nevojitet trajnimi i çertifikuar para dhe gjatë shërbimit të punonjësve të prokurorisë, policisë, kujdesit shëndetësor dhe kujdesit social për të siguruar identifikimin e hershëm, hetimin dhe menaxhimin e rastit të abuzimit seksual të fëmijës.
Qeveria e Shqipërisë është angazhuar plotësisht për të punuar mbi tri kërkesat e lartpërmendura, dhe mbështetja duhet të sigurohet nga të gjitha palët e interesit.
Dhuna mund të parandalohet. Ka zgjidhje. Dhënia fund e dhunës ndaj fëmijëve është një investim i zgjuar dhe i dobishëm që shpëton jetë!