Të hershme këto pamje të zhytjes së Putin në ujit e akullt

5

Pretendimi: Kjo video tregon presidentin rus Vladimir Putin duke u zhytyr në ujë me rastin e festës së Epifanisë në janar 2026

Verdikti: Mungon konteksti

Më 19 janar 2026, ditën kur të krishterët orotdoksë festojnë Epifaninë, në rrjete sociale dhe mediat shqipfolëse u shpërnda një video e presidentit rus Vladimir Putin duke u zhytyr në një pishinë me ujë. Video shoqërohej me pretendimin se ajo tregonte zhytjen tradicionale që Putin kishte bërë në janar 2026. Kjo përmendet si një provë e mëtejshme e shëndetit të plotë që gëzon lideri rus, përkundër zërave në Perëndim se ai është i sëmurë. 

Agjensia shtetërore ruse e lajmeve Tass raportoi më 19 janar 2026 se Putin e kishte bërë zhytjen tradicionale me rastin e Epifanisë. Megjithatë, lajmi i konfirmuar për agjensinë nga zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, nuk shoqërohej me pamje filmike apo fotografike.

Video e mësipërme është nga 5 vite më parë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video origjinale është transmetuar më 19 janar 2021 nga televizioni shtetëror rus.

Çdo vit për Epifaninë, besimtarët ortodoksë zhyten në lumenj dhe liqene për të përkujtuar pagëzimin e Krishtit në lumin Jordan.

Putini ka krijuar një reputacion prej vitesh me foto që e tregojnë duke bërë aktivitete pa bluzë, si noti, kalërimi ose gjuetia, të cilat janë etiketuar si përpjekje për të forcuar imazhin e tij si një personalitet mashkullor dhe burrë i fortë.