Pretendimi: Ky imazh tregon ushqim me shishe të hedhura në det nga egjiptianët për palesitnezët në Gaza

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————–

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se tregon ushqim me shishe të hedhura në det nga egjiptianët për palestinezët në Gaza.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, një në tre persona në Gaza “nuk ka ngrënë për ditë të tëra.” 

Disa raportime legjitime treguan inisiativën e disa egjiptianëve për të transportuar drithëra dhe ushqime të tjera të nëpërmjet shisheve plastike që mund të pluskojnë në det, me shpresën që do të arrijnë Gazën nëpërmjet rrymave detare. Ideja u propozua nga një inxhinier egjiptian me bazë në Japoni, i cili sugjeroi që shpërndarja e ushqimit nëpërmjet detit Mesdhe ishte metoda më praktike, duke pasur parasysh bllokadën e vazhdueshme në Gaza.

Në një postim në Facebook, ai shpjegoi se një bidon plastik 25 litra i mbyllur mirë mund të mbajë afërsisht gjashtë deri në tetë kilogramë ushqim, duke lënë një boshllëk ajri prej rreth tetë litrash për të siguruar pluskimin mbi ujë. Për të qënë të suksesshme këto dërgesa duhet të lëshohen të paktën katër kilometra larg bregdetit, në një kënd 60 gradë në verilindje, për të anashkaluar rrymat e kundërta.

Megjithatë, imazhet në postimin e mësipërm nuk janë autentike. Ato janë gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Në imazhin e njerëzve që mbanin shishe, një gisht i madh duket sikur përkulet në mënyrë të panatyrshme. Programet gjeneruese AI shpesh kanë vështirësi në krijimin e duarve dhe gishtërinjve realistë. Shishet në det janë gjithashtu të shtrembëruara, ndërsa tiparet e burrave në sfond janë shumë të paqarta dhe të vështira për t’u dalluar. Gjithashtu, disa nga shishet pluskojnë mbi sipërfaqen e ujit, duke sfiduar ligjet e fizikës.

Imazhi i shishes që noton në det, gjithashtu, duket jorealist. Nëse do të ishte e mbushur me ushqim, shishja nuk do të pluskonte aq shumë mbi sipërfaqe. Si pasojë e peshës së ushqimit, ajo duhet të ishte pjesërisht e zhytur në ujë.

Si përfundim, megjithëse ka raportime të besueshme se disa egjipitianë po hedhin shishe të mbushura me ushqim në det me shpresë se do të arrijnë popullin e Gazës, këto imazhe nuk janë të vërteta, por të gjeneruara me programe kompjuterike.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.