Të gjeneruara pamjet apokaliptike të borës rekord në Kamchatka

8

Pretendimi: Kjo video tregon dëborën masive që ra në Kamchatka të Rusisë në janar 2026

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————————

Një video që duket se tregon një grumbull gjigand bore që mbulon pjesën e poshtme të pallateve të banimit po qarkullon në media dhe rrjete sociale me pretendimin se ajo tregon borën që ka rënë në Kamchatka, Rusi në janar 2026.

Gadishulli Kamchatka i Rusisë u godit nga stuhi dëbore që nga mesi i janarit, të shkaktuara nga një seri ciklonesh nga Deti i Okhotskut. Këto stuhi bllokuan hyrjet e shtëpive, duke bllokuar banorët brenda, duke paralizuar transportin dhe aeroportet, dhe duke detyruar mbylljen e shkollave. Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik rus, hera e fundit që kishte rënë një dëborë e tillë ishte para më shumë se 30 vitesh.

Kjo situatë ekstreme e motit është ndarë si lajm në të gjitha mediat botërore dhe më pas edhe në ato shqiptare. Megjithatë, videot e mësipërme që janë publikuar nuk tregojnë rekordet e borës në Kamchatka. Ato janë gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Fotot reale nga gadishulli tregojnë katet përdhese të mbuluara dhe njerëzit që përpiqen të hapin dyert. Në videot e inteligjencës artificiale, grumbullimet e borës shpesh shkojnë deri në lartësinë e një ndërtese nëntëkatëshe, që do t’i bënte ato mbi 60 metra të larta. Megjithatë, sipas autoriteteve vendase, shtresa e dëborës kishte arritur 2,5 metra në pikat më ekstreme.

Videot reale tregojnë pajisje të rënda për heqjen e borës, ndërsa videot e inteligjencës artificiale tregojnë pamje të banorëve që rrëshkasin nga dritaret e kateve të larta me slita plastike që fluturojnë vetë tëposhtë shpateve vertikale.

Gjithashtu, në videot e gjeneruara, dritaret dhe muret e ndërtesave “fluturojnë” ose ndryshojnë formë me lëvizjen e kamerës. Në një prej tyre, pjesa e poshtme e një shtylle ndriçimi duket e shkëputur nga pjesa e sipërme. Ndërsa dy makina të mbuluara nga bora duket sikur janë vendosur njëra mbi tjetrën.

Video e mësipërme u postua fillimisht në TikTok, ku ishte etiketuar nga krijuesi si e gjeneruar me AI.

Videot AI karakterizohen nga një kinematografi shumë perfekte dhe një metodë dukshëm e panatyrshme e kuadrimit. Ato janë shumë të pastra dhe u mungojnë detajet si elementë të vegjël të qytetit. Detajet e vogla zhduken ose anashkalohen. 

Më tej, në Kamchatka, nuk ka ndërtesa banimi shumëkatëshe. Për shkak të rreziqeve, përfshirë ato gjeologjike, Kamchatka karakterizohet nga ndërtesa të ulëta deri në rreth 5 kate.

Mediat serioze që ranë pre e këtyre imazheve të gjeneruara korigjuan gabimin pas pak kohësh, ndërsa në mediat shqiptare pamjet apokaliptike vijojnë të ngjallin habi mes lexuesve.