Të gjeneruara këto pamje të spërkatjes me kimikate të frutave

14

Pretendimi: Kjo video tregon se si ngjyrosen frutat dhe perimet që i shiten publikut

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon pamje të frutave dhe perimeve që ngjyrosen me kimikate duke shkaktuar pasoja shëndetësore për popullatën. 

Megjithatë, video e mësipërme nuk është autentike. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike që përdorin inteligjencë artificiale (AI).

Një tregues parësor i kësaj është etiketa në cepin e majtë lart të videos ku shkruan “AI.” Mbishkrimi në gjuhën kineze në pjesën e poshtme të videos përkthehet në: “Pamjet video janë të kompozuara dixhitalisht dhe nuk ekzistojnë në realitet.”

Më tej, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar për herë të parë në TikTok nga një llogari që poston përmbajtje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale.

Pamjet e videos, gjithashtu, përmbajnë një numër treguesish se ajo nuk është autentike.

Sikur videoja të ishte e vërtetë, boja e aplikuar në këtë mënyrë do të kishte ngjyrosur jo vetëm frutat dhe perimet, por edhe sipërfaqen rreth tyre.

Në një skenë tjetër, ngjyra jeshile e pishinës së bojës artificiale nuk përputhet me rezultatin e mollës së kuqe. Për më tepër, personi arrin të mos i bëjë duart me bojë pavarësisht se nuk përdor doreza mbrojtëse.

Në këtë skenë, mollët nuk çahen edhe pse një njeri po ecën mbi to, duke sfiduar forcën e gravitetit.

Shohim që disa nga luleshtrydhet ndryshojnë ngjyrë vetë, përpara se të spërkaten.

Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë imazhe që shpërndahen si të ishin të vërteta, por janë krijuar në fakt me anë të programeve AI. Shpresojmë që identifikimi i këtyre rasteve të përdorimit të inteligjencës artificiale t’ju shërbejë lexuesve për të qënë më vigjilentë në besimin e imazheve dhe videove që u serviren online si prova të teorive të rreme.