Të gjeneruara këto foto që lidhin Mesin me Epstein

11

Pretendimi: Futbollisti argjentinas Lionel Mesi ka qenë vizitor i rregullt në ishullin privat të pedofilit dhe trafikantit amerikan Jeffrey Epstein dhe këto foto tregojnë Epstein dhe Messi

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se futbollisti argjentinas Lionel Mesi ka qenë vizitor i rregullt në ishullin privat të pedofilit dhe trafikantit amerikan Jeffrey Epstein. Ky pretendim shoqërohet dhe me dy imazhe që duket se tregojnë Epstein dhe Messi.

Megjithëse dosjet janë publike, postimi i mësipërm nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë nga to që të mbështesë pretendimin.

Të dyja imazhet e Messi me Epstein nuk gjenden në asnjë nga dosjet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë në lidhje me Epstein. Lexuesit mund të shfletojnë vetë emailet e Epstein këtu.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti një version më të madh të imazhit sipër majtas, ku fytyrat e ‘personave’ duken të deformuara, një tregues tipik i përmbajtjeve të gjeneruara me programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).

Më tej, ky version u gjet në faqen e Craiyon, një gjenerues falas online i imazheve të AI nga teksti, dhe mban titullin “imazh satirik i Jeffrey Epstein dhe Lionel Messi duke shijuar një pije në një ishull.”

Pra, ky imazh nuk është real, por i gjeneruar me AI.

Ndërkaq, imazhi tjetër që duket se tregon Messi dhe Epstein, poshtë majtas, gjithashtu është gjeneruar me AI.

Një kërkim pamor me Google Lens tregoi se imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

Faktoje ka verifikuar dhe më parë pretendime lidhur me Epstein, dhe një imazh të rremë që dukej se tregonte Messi dhe Epstein.