MERXHAN DACI
Shqipëria u rendit në vendin e 63-të nga 190 shtete për lehtësinë e të bërit biznes, në raportin e Bankës Botërore “Të bësh biznes 2019”. Shqipëria mbetet e parafundit në rajon, duke lënë pas vetëm Bosnje-Hercegovinën. E para në rajon ishte Maqedonia, që madje u rendit e dhjeta në botë. Po pse është e vështirë të bësh biznes në Shqipëri dhe çfarë mund të përmirësohet? Ekspertë të ekonomisë dhe njerëz të biznesit thonë se disa gjëra duhet të ndryshojnë duke u marrë më seriozisht.
Treguesit e raportit vjetor ku Shqipëria rezultoi më dobët ishin marrja e lejeve të ndërtimit, sigurimi i energjisë elektrike dhe pagimi i taksave. Treguesit më pozitivë ishin mbrojtja e të drejtave të minoriteteve, tregtia përtej kufijve dhe zgjidhja e paaftësisë paguese.
Megjithëse vendi ynë këtë vit vjen me dy pozicione në ngjitje në renditjen e Bankës Botërore, përsëri mbetet larg vendeve të rajonit si Maqedonia, Kosova apo Serbia të cilat ofrojnë më shumë lehtësi në të bërit biznes.
Raportet e Doing Business për dhjetë vitet e fundit tregojnë se Shqipëria ka pasur disa luhatje jo të vogla në renditjen që Banka Botërore bën çdo vit për ekonomitë botërore përfshirë edhe vendin tonë.
Në vitin 2009 Shqipëria renditej në vendin e 86-të në botë për lehtësinë e të bërit biznes ndërkohë këto dhjetë vite nga 2009-2019, klasifikimin më problematik vendi e ka pasur në vitin 2016 duke u renditur në vendin e 97-të.
Rezultati më i mirë në këtë dhjetëvjeçar ka qenë në vitin 2017 ku Shqipëria u rendit në vendin e 58-të në botë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hapur këtë vit tre herë një tender për asistencë teknike për hartimin dhe zbatimin e reformave të të bërit biznes.
Tenderi i hapur për herë të parë është hapur në 23 mars të këtij viti me fond limit 59,920,120 lekë por është anuluar.
Në 23 maj të po këtij viti ministria e ka rihapur tenderin por ai është anuluar përsëri.
Edhe në 1 gusht, ministria e rihapi tenderin për herë të tretë por përsëri tenderi u anulua.
Sipas Agjencisë së Prokurimeve Publike, arsyeja e anulimit tre herë të tenderit është se asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit.
Shqipëria dhe klima e ftohtë e të bërit biznes
Zef Preçi, ekspert i pavarur ekonomie, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike thotë për “Faktoje” se klima e të bërit biznes në Shqipëri nuk është e favorshme kryesisht prej moszbatimit të ligjeve në fuqi dhe mungesës së konkurueshmërisë.
“Problemi më i madh është moszbatimi i kuadrit ligjor. Mungesa e investimeve të huaja “brand name”, shpjegohet me përkeqësimin e konkurueshmërisë. Nëse qeveria krijon favore fiskale për klientë të saj, jep shuma të caktuara parash si PPP në duar të klientëve, është e njëanshme në respektimin e ligjeve, investitorët janë të ndjeshëm dhe nuk konkurojnë dot në një treg të tillë. Një e treta e tenderave në 2017-ën është kryer pa shpallje publike, ka deformim serioz të konkurencës dhe kompanitë e huaja nuk kanë si të konkurojnë sepse duhet të negociojnë e të paguajnë ryshfet”, thotë Preçi teksa shton se politikanët shqiptarë u referojnë të huajve me krenari që nuk ka sindikata dhe se mund të përfitojnë nga fuqia punëtore e lirë duke nxitur skllavërinë moderne.
Preçi shkon më tej teksa e lidh klimën e pafavorshme të të bërit biznes me një sërë problemesh, disa të trashëguara prej vitesh por edhe të reja si paqartësia mbi pronën apo ikja e popullsisë.
“Bankat nuk kreditojnë ekonominë dhe është tregues që nuk besojnë se do të përmirësohet shpejt. Dhjetë vitet e fundit 1/5 e popullsisë kanë ikur, kompanitë vendase dhe të huaja nuk kanë mundësi investimi. Çfarë kuptimi ka investimi pa konsumatorë? Paqartësia mbi pronën, mbivendosja e kuadrit rregullator dhe kompetencave, eksperimentet nga qeveri që nuk i kanë dhënë zgjidhje kthimit e kompenesimit të pronave, procesi i legalizimit të trojeve tokave bujqësore janë probleme reale. Tregu jonë është xhungël”, tha për “Faktoje” Preçi duke shtuar se të gjithë këto probleme rëndojnë mbi cilindo investitor që do të guxonte të investonte në vendin tonë.
Lidhur me faktin se vendet e rajonit si Maqedonia kanë klimë më të favorshme të biznesit, Preçi thotë se Shqipëria nuk i konkuron dot këto ekonomi pasi shërbimet bazë janë më të konsoliduara e ka më shumë politika nxitëse në sistemin fiskal.
Maksim Caclli, drejtori i Deloitte Albania, i ftuar në emisionin “Ekopolitikë” në Ora News tha se të bësh biznes në Shqipëri është më e vështirë se në çdo vend të botës.
“Ambienti i biznesit në Shqipëri është ndryshe nga çdo vend tjetër i botës. Këtu është më vështirë se në çdo vend tjetër. Më vjen keq por kjo është e vërteta. Këtu mungon sistemi, këtu mungon kuptimi nga ana e pushtetarëve për rëndësinë që ka biznesi në ekonominë e këtij vendi. Biznesi shihet vetëm se i duhet marrë lekë, harron shteti që duhet ta ndihmojë”, u shpreh Caclli duke shtuar se shteti është aksioner në çdo biznes pasi merr 15% të fitimit.
Megjithatë qeveria ka miratuar ligjin e ri për “Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj synon nxitjen dhe tërheqjen e investimeve strategjike, vendase dhe të huaja, në sektorët e ekonomisë, të identifikuar prej këtij ligji si sektorë strategjikë, nëpërmjet vendosjes së procedurave të posaçme administrative favorizuese, lehtësuese apo përshpejtuese të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve.
Ligji parashikon si “Investime strategjike” investimet private, investimet publike dhe/ose investimet publike-private në disa sektorë të ekonomisë si turizmi, energjia etj.
Gjithsesi ajo që shihet qartë është se Shqipëria ndodhet mbrapa fqinjve sa i takon klimës së të bërit biznes, madje më dobët edhe se shteti i ri i Kosovës.