Verën e kaluar, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, foli për herë të parë për tarifën e tunelit të Llogarasë, 5 euro. Një vit më vonë, Balluku përditësoi shifrën në 250 lekë me TVSH, duke ironizuar raportimet paraprake si “muhabete behari” 

Esmeralda Topi

Verën e vitit të kaluar, kur qeveria hapi përkohësisht tunelin e Llogarasë, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, dha një shifër për tarifën e kalimit.

“Është një përllogaritje diku tek 5 euro, por nuk e kam të saktë duke qenë se duhet të përfundojë gjithçka”,  tha Balluku gjatë një interviste televizive. 

Kjo ishte hera e parë që u dha një çmim për kalimin në tunel. 

Mediat raportuan gjerësisht këtë deklaratë, duke përmendur shifrën e mundshme prej 5 eurosh për një kalim, e duke llogaritur 10 euro vajtje-ardhje. Nga ana tjetër opozita ngriti akuza për kostot e ndërtimit të tunelit si dhe vlerën e lartë të tarifës.

Tuneli i Llogarasë (Fotografi nga Atdhe Mulla)

Në krye të një viti, ministrja mohoi indirekt shifrën që e kish pohuar vetë. 

Këtë fillim shtatori Balluku gjatë bilancit për sezonin veror, dha një tjetër shifër për kalimin në tunelin e Llogarasë duke shprehur habi për tarifën që vetë kishte parashikuar më herët. 

“Çmimi i një kalimi në tunel për autoveturat është 250 lekë me TVSH. As 10 euro, as 5 euro, as 50 euro, se kemi dëgjuar shifra nga më të ndryshme”,  tha Balluku, duke ironizuar ato që i konsideroi ‘muhabete behari’. 

Kostot e ndërtimit 

Tuneli i Llogarasë ka vlerën totale 20,4 miliardë lekë dhe nuk është ndërtuar nëpërmjet një koncesioni. Fillimisht ishte parashikuar një model PPP, por mungesa e interesit nga investitorët privatë bëri që projekti të financohej plotësisht nga buxheti i shtetit. Ky është një tjetër element që ka qenë objekt akuzash të opozitës dhe debateve publike mbi transparencën e shpenzimeve dhe vendosjen e tarifës. 

Eksperti i ekonomisë, Eduard Gjokutaj, shpjegon se në këtë rast tarifa është e nevojshme sepse tuneli ka kërkesa të veçanta: ventilim, ndriçim, staf teknik dhe siguri 24/7. 

“Këto shpenzime operative janë të larta dhe nuk mund të mbulohen plotësisht nga buxheti i përgjithshëm”, pohon Gjokutaj për Faktoje.

Gjokutaj thekson se tarifa mund të kishte qenë edhe më simbolike, për ta bërë më të pranueshme për qytetarët. Por kjo do të rrezikonte mosmbulimin e kostove operative.

Shkelja e afateve 

Punimet për tunelin 5.9 km nisi në nëntor të vitit 2021. Kontrata parashikonte që punimet të zgjasnin tre vite, por ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, premtoi se gjithçka do të përfundonte më herët.  Angazhimi publik nënkuptonte se tuneli do të ishte gati verën e vitit të kaluar. Verifikimet e Faktoje një vit më parë treguan se ndryshe nga sa u premtua, punimet për të dorëzuar projektin infrastrukuror u shtynë me të paktën një vit. 

Tuneli u hap përkohësisht vitin e kaluar, nga korriku deri në nëntor. U rihap më 24 maj të këtij viti dhe u tha se pagesa do të niste nga mesi i muajit shtator. 

Megjithatë, verifikimet tregojnë se vjelja e tarifës nuk ka nisur ende.

Përfundim

Nga 5 euro si përllogaritje paraprake në 2024, tek 250 lekë të përditësuara në 2025, qeveria ka ndërtuar një narrativë që mohon faktin e thënë më parë. Ky është një shembull i qartë i propagandës.