Takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump në Alaskë nuk prodhoi një rezultat konkret mbi çështjen që ka përfshirë botën, luftën në Ukrainë. Por ajo që la pas ishte një lumë narrativash të cilat, në mungesë të fakteve, morën jetë nëpër media online dhe rrjete sociale, duke spekuluar mbi gjithçka: nga shëndeti i Putinit deri te “roli shpëtimtar” i Trump.
Një gju që dridhet dhe shumë teori
Pak minuta pas daljes së tyre të përbashkët para mediave, një video që tregonte Putinin teksa përshëndetej me Trump u bë virale. Në pamjet e shpërndara gjerësisht, lideri rus shihej duke lëvizur gjurin dhe majën e këmbës së majtë në mënyrë të përsëritur, ç’ka u interpretua si “dridhje të dyshimta” ose “këmbë xhelatinoze.”
Kaq mjaftoi që në media ndërkombëtare, dhe me shpejtësi edhe në ato shqiptare, të shpërndaheshin hipoteza për një sëmundje misterioze të presidentit rus. Tituj si “Putin i sëmurë? Momenti kur këmbët i dridhen gjatë bisedës me Trump”, u kthyen në klishe për të tërhequr klikime.
Teza të tjera shkuan edhe më tej: disa pretenduan se Putin nuk kishte zbritur fare në Alaskë dhe se në vend të tij ishte dërguar një sozi.
Por narrativat nuk u ndalën vetëm te dridhjet e gjunjëve. Në median shqiptare qarkulloi një tjetër ide: se Rusia është “shumë pranë fitores” në Ukrainë. Artikuj të cilwt riprodhuan një shkrim të publikuar në gazetën italiane “La Repubblica” me tituj që njoftonin fitoren e Rusisë si “Ushtarë dhe dronë, një përparim i pandalshëm” u shpërndanë gjerësisht, por pa analizuar nëse realiteti në front përputhej me këtë lloj triumfalizmi.
“Nëse Trump do të ishte president…”
Një tjetër narrativë u ushqye drejtpërdrejt nga deklarata e vetë Putinit. Në një intervistë të dhënë pas takimit, ai pohoi se “nëse Trump do të ishte president i SHBA-së në vitin 2022, Rusia nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën.” Ky version, i riprodhuar me tituj të mëdhenj në mediat shqiptare, pasqyroi deklaratën e Putin pa dhënë asnjë kontekst apo analizë mbi arsyet e dhënies së kësaj deklarate apo asaj që Putin kërkon të arrijë me mbështetjen e kësaj narrative.
Ky mesazh, në përputhje me linjën e mëparshme të Kremlinit për ta paraqitur Trump si një figurë “më të pranueshme” për Rusinë, u përhap si konfirmim se mes dy liderëve ekziston një marrëdhënie e veçantë.
Në disa media online, ngjarja u përdor për të përhapur lajme të brendshme me tituj keqinformues si “Takimi Trump–Putin/ Berisha befason me reagimin surprizë në ‘Alaskë’…”, por brenda lajmit nuk kishte asnjë befasi, vetëm qëndrime të parashikueshme të liderit të opozitës shqiptare, në linjë me retorikën pro-Trump.
Narrativa që largojnë vëmendjen
Në vend që të përqendrohej tek të kuptuarit dhe analizimi i situatës dhe rezultatit që takimi prodhoi, shpesh diskursi publik u zhvendos drejt spekulimeve, interpretimit të gjesteve trupore dhe komenteve anësore, duke ushqyer opinionin publik më shumë me thashetheme sesa me fakte.
Në këndvështrimin e studiuesit të marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi, Trump po nxiton për të arritur një marrëveshje ndërkohë që rusët kanë për qëllim ta shtyjnë sa më shumë situatën deri sa Trump të mërzitet dhe të heqë dorë.
“Më duket e pamundur që Rusia të ndalojë luftën në këtë pikë. Që territori i pushtuar nga Rusia do i ngelet Rusisë në një mënyrë ose tjetër, kjo është e qartë pak a shumë tashmë. Qëllimi i Rusisë është shkatërrimi i plotë i popullit ukrainas”, vijon Krisafi.
Sipas tij, tashmë thelbi është tek garancitë e sigurisë që mund t’i jepen Ukrainës.
“Garancitë vështirë se funksionojnë në një situatw të tillë sepse vende si Gjermania, Britania, Franca, Italia që mund të çojnë trupat e tyre në Ukrainë vështirë se mund të luftojnë me Rusinë nëse ndodh një incident a provokim në vijën e re të kontaktit, vlerëson ai.