Njoftimi se Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë rënë dakord të takohen për të diskutuar luftën në Ukrainë prodhoi një valë lajmesh dhe titujsh sensacionalë në disa media shqiptare. Në shumë raste, theksi nuk është vendosur te faktet e konfirmuara, por te parashikime, interpretime dhe informacion i paverifikuar.
Shembulli më i spikatur është titulli “Më në fund po ndodh! Trump dhe Putin konfirmojnë lajmin e madh! Çfarë e pret botën”.

Kush e lexon këtë titull mund të mendojë se është arritur një marrëveshje paqeje, apo edhe se lufta mund të ketë përfunduar. Në realitet, i vetmi fakt i konfirmuar deri më tani është se të dy liderët kanë pranuar të zhvillojnë një takim. Nuk ka asnjë marrëveshje të shpallur, asnjë plan të detajuar për t’i dhënë fund luftës. Kjo, madje, shpjegohet edhe në tekstin e lajmit me titull tepër optimist dhe çorientues.
Lajme keqkuptuese dhe shpesh keqinformuese mbi këto zhvillime u shpërndanë edhe për aspekte të tjera të ndodhisë. Një prej tyre u nxit nga paqartësitë e deklaratave të vetë presidentit amerikan Donald Trump.
Disa media raportuan se Trump nuk do të takohej me Putin nëse ky i fundit nuk pranonte të takohej edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.


Kjo ishte deklarata e një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, por që pa kaluar as një ditë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Levitt deklaroi se Trump ishte i hapur për t’u takuar me Putin-in, edhe pse më e mira do të ishte një takim trepalësh. Kjo u konfirmua më vonë edhe nga një deklaratë publike e presentit Trump, i cili tha se “jo, ai [Putin] nuk duhet ta bëjë këtë”.
Pavarësisht këtij informacioni të përditësuar, lajmet në disa media online në Shqipëri mbeten të papërditësuara dhe ende përmbajnë informacionin e vjetër, tashmë të kundërshtuar nga vetë presideni Trump.
Një tjetër detaj i takimit për të cilin u shpërnda dezinformim në media, ka qenë vendi i mundshëm i takimit.
Putin përmendi Emiratet e Bashkuara Arabe si një vendtakim të mundshëm, por disa tituj e paraqitë sikur ky vendim është marrë dhe konfirmuar nga të dyja palët.
Kështu për shembull mediat Shqiptare njoftuan në 7 Gusht se “Takimi me Trump, Putin zbulon vendin ku do të kryhen bisedimet për paqen në Ukrainë

Në të vërtetë, asnjë njoftim zyrtar nuk konfirmoi vendndodhjen deri dy ditë më vonë. Dhe ajo ishte Alaska.
Një tjetër informacion i pakonfirmar dhe i shpërndarë në media të ndryshme shqiptare ishte ai për një plan të supozuar nga kampi i Trump, sipas të cilit Rusia do të ndalte luftën në këmbim të mbajtjes së territoreve të pushtuara dhe heqjes së sanksioneve nga SHBA dhe BE. Kjo informatë, e botuar fillimisht nga një gazetë polake, nuk është verifikuar nga burime të tjera dhe mbetet e pakonfirmuar.

Ndërkohë në një deklaratë publike, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ai do të mundohet që territoret e Ukrainës të pushtuara nga Rusia t’i kthehen pas ukrainasve. Në anën tjetër, Zelensky e ka refuzuar vazhdimisht çdo plan që i jep Moskës territore të pushtuara, çka e bën edhe më të diskutueshme mundësinë e një marrëveshjeje të tillë.
Sipas Ledion Krisafit, ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare, takimi mes Trump dhe Putin mund të shërbejë për të fituar kohë nga ana e Rusisë. Ai vëren se Kremlini e sheh Trump-in si mundësinë më të mirë, krahasuar me eurpianët, për të marrë shumicën e kërkesave që ata kanë në lidhje me Ukrainën.
Në anën tjetër – vijon Krisafi – Putin mund ta përdorë këtë takim si një mjet për të shmangur veprimet e padëshiruara të Trump ndaj Rusisë dhe për të projektuar një imazh të gatishmërisë për dialog, pa pasur realisht synim të ndalë luftën në këtë fazë. Nga ana tjetër, edhe Trump mund ta paraqesë takimin si një hap drejt paqes.
Në fund, rezultati që Ledion Krisafi parashikon nuk është ai që Trump trumpeton.
“Nuk mendoj që rusët kanë qëllim të ndalojnë luftën në këtë stad, edhe nëse shumica e kërkesave të tyre plotësohen. Qëllimi i tyre është shpartallimi i kombit ukrainas dhe kjo arrihet duke vazhduar këtë luftë të ngadaltë në dukje por që po e sfilit dhe bluan Ukrainën.” – përmbyll Krisafi.

Takimi i Trump dhe Putin për të folur mbi luften në Ukrainë u trajtua gjerësisht në media pasi përbën një nga çështjet më me interes në zhvillimet gjeopolitike botërore. Raportimi i saktë i informacioneve dhe verifikimi i tyre është thelbësor për të përmbushur misionin e informimit të publikut. Përfitimi nga situata e luftës në Ukrainë duke përdorur tituj keqinterpretues apo raportimi i deklaratave të njëanshme si fakte të kryera, vetëm çorienton lexuesit dhe ul besimin e tyre tek mediat.