Rrjetet sociale po keqpërdoren si arena sulmi dhe denigrimi, sidomos ndaj të miturve dhe grave. Policia konfirmoi se në 2023 pati 765 denoncime për sulme online, përmes profileve false, shantazhimit me foto intime dhe mashtrimit. Ndërsa, fillimi i 2024 -s kulmoi me vetëvrasje që dyshohet se kanë si shkak denigrimin e figurës në Tik-Tok. Mes alarmit të ekspertëve për shndërrimin e platformave online në armë kundër individit dhe dinjitetit dhe denoncimeve në rritje të qytetarëve, një draft me parashikime konkrete për krimin kibernetik dhe ndëshkimin e tij po punohet nga autoritetet.
Anila Hoxha
“Në rrjetet sociale Tik-Tok dhe Instagram janë hapur tre profile me emrin e shkollës “Arben Broci“. Nga këto profile shpërndahen foto të nxënësve të marra pa autorizim, të shoqëruara me shprehje fyese, bullizuese dhe ofenduese”. Kjo ishte përmbajtja e denoncimit që mësuesja 54-vjeçare, që jep mësim në këto shkollë, bëri e alarmuar në polici në mesin e shkurtit të këtij viti.
Adoleshentët, viktima dhe autorë të keqpërdorimit të rrjeteve sociale
Nga kërkimet e policisë doli se personi që dyshohet të ketë hapur profilet në Tik-Tok, ku denigrohen nxënës të shkollës “Arben Broci“, është një djalë 15 vjeç. Ai po hetohet në gjendje të lirë për “Falsifikim kompjuterik”, vepër e parashikuar nga neni 186/a i Kodit Penal, që parashikon dënimin nga 6 muaj deri në 6 vjet burg.
Si një psikologe klinike prej 2013, Anxhela Peza ngre shqetësimin e intimidimit në Tik-Tok nga të miturit ndaj bashkëmoshatarëve të tyre. Gjuha e urrejtjes po degradon gjithnjë e më shumë, duke krijuar një situatë alarmante, sipas psikologes e cila dëshmon për ngjarje konkrete se si abuzohet dhe shantazhohet në rrjet:
“Unë po trajtoj adoleshentë që u janë vjedhur fotografitë dhe iu përdoren në këtë rrjet për t’i shantazhuar, me qëllim për t’i diskredituar apo për t’u krijuar ankth dhe situatë bullizmi. Në disa raste, edhe për të marrë diçka në këmbim të parave më së shumti apo të sigurimit të një lidhjeje, por edhe për hakmarrje. Prindërit vijnë të shqetësuar në klinikë dhe më tregojnë ndryshimin e fëmijës, thonë që fëmija u është bullizuar në Tik-Tok.“
I tillë është rasti i një 13 vjeçareje nga Durrësi, e cila ka dëshmuar në prani të prindërve të cilët bënë denoncim në polici.
“Ka marrë fotografitë e mia dhe i ka publikuar në tik-tok duke krijuar profile false, në të cilat përshkrimet ishin fyese”, – ka pranuar vajza. Policia sqaron për Faktoje se, pas kërkimeve, ka identifikuar një bashkëmoshatar të vajzës nga fshati Cudhi i Krujës si personin që ka hapur profilin. Edhe ky rast po hetohet në gjendje të lirë për falsifikim kompjuterik dhe ndërhyrje në të dhënat kompjuterike.
Denigrimi në Tik-Tok nuk kursen as njerëz të ligjit
Video dhe foto të punonjësit të policisë rrugore Q.S, u bënë virale në rrjet në gusht të vitit 2022, kur sapo kishte gjobitur një person për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit. Efektivi paditi K.B dhe paraqiti si prova para gjykatësit, videot në Tik-Tok ku, i padituri betohet se do t’i vendosë njerëz ta korruptojnë, duke e etiketuar efektivin një përdorues droge.
“Publikimi i këtyre videove në Tik-Tok, Facebook dhe Instagram ka marrë komente të cilat më kanë cënuar personalitetin, nderin dhe moralin, duke më ulur kredibilitetin para rrethit familjar, miqësor dhe shoqëror. Më kanë shkaktuar ankth si rrjedhim i përjetimit jo të mirë të veprimit të ndërmarrë nga personi i akuzuar”, deklaron punonjësi i policies, i cili nuk është tërhequr nga akuza as gjatë seancës së pajtimit.
Kur Tik-Tok kthehet në armë kundër jetës
“Më 10 shkurt 2024 rreth orës 22.30 shërbimet e policisë u njoftuan se në rrugën ‘Teuta’, në Bathore, ka rënë nga lartësia e një objekti katër katësh shtetësja S.A., e cila, më pas, është dërguar në spital, ku ka gjetur vdekjen. Nga kqyrja e telefonit ka rezultuar se viktima ka patur komunikime në rrjetet sociale me personin nën hetim, në lidhje me një fotografi e cila ishte publikuar në Tik-Tok”, – shkruante prokurori në kërkesën për masën e sigurisë ndaj A.Ç, personit të dyshuar se shantazhoi 27 vjeçaren, e cila i dha fund jetës. I padituri është i paraburgosur, në pritje të gjykimit për këtë ngjarje.
Denoncimet për Tik-Tok në shifra
Në 5 vitet e fundit janë katërfishuar denoncimet për ngacmime, sulme apo mashtrime online. Nëse në vitin 2019 kishte 182 denoncime të kësaj kategorie, në vitin 2023 ato arritën në 765, sipas shifrave zyrtare të policisë.
Edhe pse mungojnë hollësi se në cilën prej platformave ka më shumë abuzim, policia pranon se në Tik-Tok gjuha e urrejtjes dhe shantazhet janë kthyer në makth për dhjetëra qytetarë, kryesisht të mitur.
“Të dëmtuarit kanë raportuar pranë Drejtorise për Hetimin e Krimeve Kibernetike se, persona të paautorizuar, kanë hapur profile në rrjetet sociale si Tik-Tok, Instagram, Facebook etj, duke përdorur fotot e të dëmtuarit dhe të dhënat personale. Gjithashtu, përmes këtyre profileve false, publikohen foto apo video të të dëmtuarve me mbishkrime dhe përmbajtje fyese dhe denigruese.
Forma të tjera të krimeve të ndodhura në rrjetet sociale janë ato të shantazhimit për publikimin e fotove apo videove intime, me qëllim përfitimin e vlerave monetare apo vjedhjen e llogarive personale të të dëmtuarve, me qëllim rikuperimin e tyre kundrejt një pagese të caktuar”, – sqaron për Faktoje Ervina Gjana, Drejtoresha për Hetimet e Krimeve Kibernetike, në Departamentin e Policisë Kriminale . Ajokonsideron alarmante situatat për kategorinë e të miturve dhe grave, si viktima të ‘dhunës online’.
“Mund të themi që numri më i madh i denoncuesve i përket gjinisë femërore. Atyre u krijohen llogari me të dhënat personale nga persona të paautorizuar, me qëllim dëmtimin e imazhit”, – shpjegon Gjana.
Sipas saj, vetëm në 2023-in u identifikuan 440 shtetas të dyshuar se kryen krime në botën virtuale përmes shantazhit dhe kërcënimeve online.
“Rreth 70% e tyre i përkasin veprave penale të kryera në fushën e falsifikimit dhe ndërhyrjeve kompjuterike, që lidhen me denoncimet e qytetarëve për krijim të profileve të falsifikuara, duke përdorur të dhëna të shtetasve të ndryshëm, publikim të fotove dhe videove të personave të ndryshëm, me përmbajtje denigruese, përfshirë edhe të mitur, kërcënime dhe përndjekje të qytetarëve”, – thekson zyrtarja e Policisë së Shtetit.
Ligj për ndëshkimin e krimit kibernetik
Për mbi një vit nga koha kur fliste si deputet i PS, në komisionin e integrimit dhe ku sugjeronte mbylljen e Tik-Tok, Taulant Balla, edhe si Ministër i Brendshëm, ka përsëritur qëndrimin për ashpërsim të ligjit ndaj sulmeve online.
“Përndjekja kibernetike nuk ekziston fare në legjislacionin tonë. Ngacmimi kibernetik, gjuha e urrejtjes në internet, nxitja e dhunës përmes urrejtjes, t’i marrim të gjitha këto dhe të përmirësojmë legjislacionin”, – deklaroi së fundmi Ministri i Brendshëm. Ai njoftoi se janë vendosur kontakte të dobishme me kompanitë më të mëdha të rrjeteve sociale: me Tik-Tok, me kompaninë META që zotëron Facebook, Instagram, Snapchat etj.
“T’i marrim të gjitha këto e të përmirësojmë legjislacionin, që të kontribuojmë sa të mundemi për ta kthyer vëmendjen e shoqërisë sonë në këtë fenomen”, – insistoi Taulant Balla.
Faktoje mësoi se po përgatitet një draft i ri për ashpërsimin e Kodit Penal ndaj autorëve që ngacmojnë duke shfrytëzuar mjetet e komunikimit elektronik apo keqpërdorin rrjetet online.
Risi e këtij drafti është edhe parashikimi për dëmtimin nga shpërndarja e materialeve, denigrimi në opinionin publik, deri në rastin më ekstrem që është dëmtimi i jetës dhe shëndetit të qytetarit. Ja cilët janë disa nga parashikimet e draftit në fjalë:
“Ngacmimi duke shfrytëzuar mjetet e komunikimit elektronik.
1. Një person, i cili pa të drejtë fillon çdo komunikim elektronik, me qëllim për të detyruar, frikësuar, ngacmuar ose shkaktuar shqetësime të konsiderueshme emocionale te një person tjetër, duke përdorur një sistem kibernetik, kryen keqpërdorim të të dhënave personale, bën që persona të tjerë t’i kontaktojnë, kërcënon me dëmtim të jetës, integritetit fizik, shëndetit ose lirisë së tij, të një të afërmi të tij ose të një personi tjetër të afërt, shpërndan një imazh të këtij personi, një prej të afërmve të tyre ose një personi tjetër të afërt me ta ose, e bën atë të aksesueshme për publikun, shpërndan materiale me përmbajtje që e bën personin të neveritshëm ose degradues në opinionin publik, nën pretendimin e autorësisë së personit, ose të bëhet i aksesueshëm për publikun, ose kryen sjellje të tjera të rënda, të përsëritura dhe armiqësore, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.
2. Po kjo vepër, kur shkakton vdekjen e viktimës apo dëmtim të rëndë të shëndetit të saj, të një të afërmi të viktimës ose një personi tjetër të afërt me viktimën, e vë viktimën, një të afërm të saj ose një person tjetër të afërt me viktimën në rrezik të vdekjes ose dëmtimit serioz të shëndetit, autori do të përgjigjet për pasojën e ardhur bazuar në dispozitën e veçantë, që e parashikon atë në pjesën e posaçme të këtij Kodi, në varësi të formës së fajit të shfaqur prej tij.
3. Nëse viktima është i mitur, dënimi i bashkuar penal për veprat e kryera shtohet deri në një të dytën e tij.”
Mungesa e një legjislacioni efektiv ka sjellë që, në pjesën dërrmuese, prej 330 të dyshuarish për sulme online, ata të procedohen në gjendje të lirë ose t’i shpëtojnë përgjegjësisë penale.
Ky shkrim është realizuar nga Faktoje si pjesë e projektit “Thuaj po dashurisë, jo gjuhës së urrejtjes”, mbështetur nga iniciativa rajonale e Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP.
Pikëpamjet e shprehura këtu janë përgjegjësi e autorit dhe nuk shprehin domosdoshmërisht ato të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Paqen , UNDP-së apo UNFPA-së.