Sulmet amerikane nuk shkatërruan varrin e ish-presidentit Chavez në Venezuelë

29

Pretendimi: Sulmet amerikane në Venezuelë kanë goditur edhe mauzoleumin e ish-presidentit venezuelian Hugo Chavez

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————–

Pasi forcat amerikane sulmuan objektet ushtarake në kryeqytetin e Venezuelës dhe rrëmbyen presidentin Maduro më 3 janar 2026, në rrjete sociale po qarkullon lajmi se një nga vendet e bombarduara ishte edhe varri mauzoleum i ish-presidentit historik të Venezuelës Hugo Chavez.

Eshtrat e Hugo Chavez, i cili kryesoi Venezuelën nga viti 1999 deri në vitin 2013, pushojnë në Kazermat Malore, një kompleks historik dhe ushtarak i vendosur në Karakas, kryeqytetin venezuelian.

Megjithatë, lajmi se mauzoleumi u bombardua më 3 janar nuk është i vërtetë.

Kolegët spanjollë të verifikimit të fakteve të Newtral.es arritën të kontaktojnë të nesërmen e operacionit një punëtor vendas në një biznes pranë Kazermave Malore, i cili konfirmoi se vendi i varrit të Hugo Chavez nuk u sulmua. Si provë, ai dha një video dhe një fotografi (flaka që shihet në video është nga një pishtar që mbahet ndezur përgjithmonë në ndërtesë).

Foto nga Newtral.es

Ronna Rísquez, një gazetare investigative nga Venezuela, gjithashtu konfirmoi për Newtral.es se mauzoleumi nuk u bombardua nga Shtetet e Bashkuara më 3 janar. Sipas saj, ishte një ndërtesë 500 metra larg që strehon një Komandë të Përgjithshme të Milicisë Bolivariane (ish-Observatori Cagigal) që u bombardua.

Për më tepër, kazermat ku ndodhet varri i Hugo Chavez nuk janë përfshirë në listën e vendeve të sulmuara që qarkullon në grupet e zyrtarëve ushtarakë venezuelianë, të dërguara në këtë media nga gazetarët në vend. Zyrtarët e Maduros që mbeten në pushtet nuk kanë lëshuar ende një raport zyrtar mbi dëmet.

Kolegët faktverifikues venezuelianë Cazadores de Fake News gjithashtu pajtohen se varri i Hugo Chavez nuk është sulmuar dhe tregojnë se disa përdorues po përhapin imazhe të Observatorit të vjetër Cagigal në flakë sikur të ishin Kazermat Malore.

“⚠️ Kjo video nuk tregon një sulm ndaj Kazermat Malore 4F, por ndaj Komandës së Përgjithshme të Milicisë Bolivariane, Observatori i vjetër i Cagigal, 500 m. Ne konfirmojmë strukturën e prekur nëpërmjet gjeolokacionit. Ka gjithashtu përdorues të mediave sociale që konfirmojnë se Observatori i vjetër i Cagigal ishte ndërtesa që u godit.”