Përshtatur nga KHN
Dr. Megan Ranney ka mësuar shumë rreth COVID-19 që kur filloi të trajtonte personat e infektuar në departamentin e urgjencës në muajin shkurt.
Por ajo ende nuk mundet t’i përgjigjet një pyetjeje: Çfarë i bën disa pacientë të sëmuren shumë më shumë se të tjerët?
Mosha e madhe dhe problemet shoqëruese shëndetësore shpjegojnë vetëm një pjesë të fenomenit, ka thënë Ranney, e cila ka parë pacientë të grupmoshave, historikëve dhe gjendjeve shëndetësore të ngjashme të ndjekin trajektore shumë të ndryshme nga njëri-tjetri.
“Pse një 40-vjeçar sëmuret shumë ndërsa një tjetër nuk ka nevojë as të shtrohet në spital?”, – pyeti Ranney, një profesore e asociuar e mjeksësisë së urgjencës në Universitetin Brown.
Në disa raste, hulumtime të reja provokative tregojnë se disa persona, veçanërisht meshkujt, përkeqësohen për shkak se sistemi i tyre imunitar goditet nga “zjarri mik”. Hulumtuesit shpresojnë se ky zbulim do t’i ndihmojë që të zhvillojnë terapi që do të shënjestrojnë këta pacientë.
Një studim ndërkombëtar në revistën “Science” tregon se 10% e afërsisht 1 mijë pacientëve me Covid, të cilët kanë zhvilluar pneumoni që iu rrezikon jetën, kanë pasur antitrupa që çaktivizojnë proteina thelbësore të sistemit imunitar, të quajtura interferone. Këto antitrupa, të njohura si autoantitrupa për shkak se sulmojnë vetë trupin, nuk u gjetën fare në 663 persona me infeksion Covid që varionte nga i lehtë në asimptomatik. Vetëm katër në 1,227 individë të shëndetshëm kishin autoantitrupat. Studimi, i publikuar më 23 tetor, u drejtua nga Përpjekja Gjenetike Humane kundër COVID, e cila përfshin 200 qendra kërkimore në 40 vende.
“Kjo është një nga gjërat më të rëndësishme që kemi zbuluar për sistemin imunitar që nga fillimi i pandemisë”, – tha Dr. Eric Topol, zëvendës president ekzekutiv për hulumtimin në Qendrën Kërkimore Scripps në San Diego, i cili nuk u përfshi në studimin e ri. “Ky është një zbulim i madh”.
Në një studim të dytë të “Science” nga e njëjta skuadër, autorët zbuluan se një 3.5% shtesë i pacientëve të sëmurë në mënyrë kritike ka pësuar mutacione në genet që kontrollojnë interferonet e përfshirë në luftën ndaj viruseve. Duke qenë se trupi ka 500 deri në 600 gene të tilla, është e mundur që hulumtuesit të gjejnë më shumë mutacione, tha Qian Zhang, autori kryesor i studimit të dytë.
Interferonet shërbejnë si linja e parë e mbrojtjes së trupit ndaj infeksionit, duke i rënë alarmit dhe duke aktivizuar një ushtri genesh që luftojnë virusin, tha virologia Angela Rasmussen, një shkencëtare hulumtuese e asociuar në Qendrën e Infeksionit dhe Imunitetit në Shkollën Mailman të Shëndetit Publik në Universitetin e Kolumbias.
“Interferonet janë si alarmi i zjarrit dhe sistemi i shuarjes së tij, të gjitha në një”, – tha Rasmussen, e cila nuk u përfshi në studimet e reja.
Studimet laboratorike tregojnë se interferonet shtypen në disa persona të infektuar me COVID-19, ndoshta nga vetë virusi.
Interferonet janë veçanërisht të rëndësishme për të mbrojtur trupin kundër viruseve të reja, të tilla si koronavirusi, me të cilat trupi nuk është përballur kurrë, tha Zhang, një hulumtues Labroratorin St. Giles të Gjenetikës Humane të Sëmundjeve Infektive, pranë Universitetit Rockefeller.
Kur infektohesh me koronavirusin e ri, “trupi yt duhet të ketë alarme që bien nga të gjitha anët”, – tha Zhang. “Nëse nuk përhapet alarmi, mund të kesh viruse kudo në numra të mëdhenj”.
Në mënyrë të konsiderueshme, pacientët nuk krijuan autoantitrupa në përgjigje të virusit. Në vend të kësaj, dukej sikur i kishin përpara se të fillonte pandemia, tha Paul bastard, autori kryesor i studimit të antitrupave, dhe gjithashtu një hulumtues në Unversitetin Rockefeller.
Për arsye që hulumtuesit nuk i kuptojnë, autoantitrupat kurrë nuk shkaktuar probleme derisa pacientët u infektuan me COVID-19, tha Bastard. Në një farë mënyrë, koronavirusi i ri, ose përgjigja imune që shkaktoi, duket se i ka vënë në lëvizje.
“Përpara Covid, gjendja e tyre ishte e heshtur”, – tha Bastard. “Shumica e tyre nuk ishin sëmurur më parë”.
Bastard tha se tani pyet veten nëse autoantitrupat kundërinterfereonit e rrisin gjithashtu rrezikun nga viruse të tjera, të tilla si influenza. Mes pacientëve në studimin e tij, “disa prej tyre kishin marrë gripin në të kaluarën dhe po kërkonin të shihni nëse autoantitrupat mund të kishin pasur efekt tek gripi”.
Shkencëtarët e kanë ditur prej kohësh se viruset dhe sistemi imunitar konkurrojnë në një lloj gare të armatosur, me viruset që zhvillojnë mënyra për t’iu shmangur sistemit imuntar, madje edhe shtypin përgjigjen e tij, tha Sabra Klein, profesore e mikrobiologjisë molekulare dhe imunologjisë në Shkollën Bloomberg të Shëndetit Publik pranë Universitetit John Hopkins.
Antitrupat zakonisht janë heronjtë e sistemit imunitar, duke mbrojtur trupin ndaj viruseve dhe rreziqeve të tjera. Por ndonjëherë, në një fenomen të njohur si sëmundja autoimune, sistemi imunitar shfaqet konfuz dhe krijon autoantitrupa. Kjo ndodh kur sëmundjet të tilla si artriti reumatoid, kur antitrupat sulmojnë nyjet, dhe diabeti i Tipit 1, në të cilin sistemi imunitar sulmon qelizat që prodhojnë insulinë në pankreas.
Edhe pse doktorët nuk i njohin shkaqet ekzakte të sëmundjeve autoimune, ata kanë vëzhguar se gjendja shpesh ndodh pas një infeksioni viral. Sëmundjet autoimune bëhen më të zakonshme ndërsa njerëzit plaken.
Në një zbulim tjetër të papritur, 94% e pacientëve në studim, që kishin këtu autoantitrupa, ishin meshkuj. Rreth 12.5% e meshkujve me pneumoni të shkaktuar nga Covid, që iu rrezikonte jetën, kishin autoantitrupa kundër interferoneve, krahasimisht me 2.6% e të cilëve ishin femra.
Kjo ishte e papritur, duke llogaritur se sëmundja autoimune është shumë herë më e zakonshme mes femrave, tha Klein.
“Kam studiuar diferencat mes gjinive në infeksionet virale prej 22 vitesh, dhe nuk mendoj se dikush që studion autoantitrupat kishte menduar se ky do të ishte një faktor risku për COVID-19”, – tha Klein.
Ky studim mund të ndihmojë për të shpjeguar se pse meshkujt kanë më shumë mundësi se femrat që të sëmuren në mënyrë kritike nga COVID-19 dhe të vdesin, tha Klein.
“Shihen në mënyrë të konsiderueshme më shumë meshkuj që vdesin, në të 30-at e tyre, jo vetëm në të 80-at” – tha ajo.
Akiko Iwasaki, profesor i imunibiologjisë në Shkollën e Mjekësisë së Yale, vuri re se një sërë genesh të përfshira në përgjigjen e sistemit imunitar ndaj viruseve ndodhen në kromozomin X.
Femrat kanë dy kopje të këtij kromozomi, së bashku me dy kopje për secilin gen. Kjo u jep atyre një kopje shtesë nëse njëra prej tyre bëhet difektoze, tha Iëasaki.
Meshkujt, nga ana tjetër, kanë vetëm një kopje të kromozomit X. Kështu që, nëse ka një gen difektoz ose të dëmshëm në kromozomin X, ata nuk kanë një kopje të tjetër të atij geni që të mund të korrigjojë problemin, tha Iëasaki.
Bastard vuri re se një gruam në studim, e cila zhvilloi autoantitrupat, ka një gjendje gjenetike të rralë në të cilin ka vetëm një kromozom X.
Shkencëtarët kanë pasur vështirësi të shpjegojnë se pse meshkujt kanë një risk më të lartë për t’u shtruar në spital dhe për të humbur jetën nga COVID-19. Kur sëmundja u shfaq fillimisht në Kinë, ekspertët spekuluan se meshkujt vuajtën më shumë nga virusi për shkak se kanë më shumë gjasa të tymosin cigare në krahasim me femrat kineze.
Hulumtuesit vunë re me shpejtësi se në Spanjë meshkujt kishin gjithashtu më shumë mundësi që të vdisnin nga COVID-19, edhe pse meshkujt dhe femrat atje tymosin duhan në të njëjtën shkallë, tha Klein.
Ekspertët kanë hipotetizuar se meshkujt mund të jenë në rrezik më të madh duke qenë më pak të priru për të përdorur maska në publik në krahasim me femrat, dhe më shumë të prirur që të vonojnë kërkimin e ndihmës mjekësore, tha Klein.
Por ndryshimet në sjellje ndërmjet meshkujve dhe femrave sigurojnë vetëm një pjesë të përgjigjes. Shkencëtarët thonë se është e mundur që hormoni i estrogjenit të mbrojë në një farë mënyre femrat, ndërsa testosteroni mund t’i vendosë meshkujt në një rrezik më të madh. Në mënyrë interesante, studimet e fundit kanë zbuluar se obeziteti i vendos meshkujt në rrezik shumë më të madh ndaj COVID-19 në krahasim me femrat, tha Klein.
Megjithatë, femrat kanë mënyrën e tyre për të vuajtur nga COVID-19.
Studimet tregojnë se femrat kanë 4 her më shumë gjasa të përjetojnë simptoma afatgjata të COVID, duke zgjatur nga javë në muaj, përfshirë këtu lodhjen, dobësinë dhe një lloj konfuzioni mendor të njohur si “mjegull truri”, vuri re Klein.
Si femra, “ndoshta i mbijetojmë dhe kemi më pak gjasa të humbim jetën, por gjithashtu kemi këto komplikacione afatgjata”, – tha ajo.
Pasi ka lexuar këto studime, tha Klein, ajo do të donte të mësonte nëse pacientët që sëmuren në mënyrë të rëndë nga viruset e tjera, të tilla si influenza, gjithashtu zhvillojnë gene ose antitrupa që e çaktivizojnë interferonin.
“Nuk ka të dhëna për këtë në gripin e zakonshëm”, tha Klein. “Por nuk kemi kërkuar. Përmes COVID-19, mund të kemi zbuluar një mekanizëm të ri të sëmundjes, të cilën mund ta gjejmë të pranishëm në një numër sëmundjes”.
Për të qenë të sigurtë, shkencëtarët thonë se studimi i ri zgjidh vetëm një pjesë të misterit se pse rezultatet në pacientë të ndryshëm mund të variojnë kaq shumë nga njëri-tjetri.
Hulumtuesit thonë se është e mundur që disa pacientë janë të mbrojtur nga ekspozimet e kaluara ndaj koronavirusëve të tjerë. Pacientët, të cilët sëmurën shumë, mund të kenë përthithur gjithashtu doza më të larta të virusit, të tilla si nga ekspozimi i përsëritur ndaj kolegët e infektuar.
Edhe pse doktorët kanë kërkur për lidhje ndërmjet rezultateve të sëmundjes dhe tipit të gjakut, studimt kanë prodhuar përfundime konfliktuale.
Skanimi i pacientëve për autoantitrupa ndaj interferoneve mund të ndihmojë për të parashikuar cilët pacientë janë më të mundshëm për t’u sëmurur rëndë, tha Bastard, i cili është gjithashtu i asociuar me Spitalin Necker për Fëmijët e Sëmurë në Paris. Testimet kërkojnë rreth 2 ditë. Spitalet në Paris mund të skanojnë tashmë pacientët me kërkesën e një mjeku, tha ai.
Edhe pse vetëm 10% e pacientëve të rrezikuar për jetën nga COVID-19 kanë autoantitrupa, “Unë mendoj se duhet të testojmë çdo njeri që shtrohet në spital”, – tha Bastard. Përndryshe, “nuk do të dinim se kush është në rrezik nga një formë e rëndë e sëmundjes”.
Bastard thotë se shpreson që gjetjet e tij të udhëheqin drejt terapive të reja që të mund të shpëtojnë jetë. Ai vë re se trupi prodhon shumë tipe interferonesh. T’u japësh këtyre pacientëve një tip të ndryshëm interferoni, një që nuk është i çaktivizuar nga genet apo autoantitrupat, mund t’i ndihmojë që ta luftojnë virusin.
Në fakt, një studim pilot mbi 98 pacientë, i publikuar të enjten në revistën Sëmundja Respiratore Lancet zbuloi benefite nga një formë e përthitur e interferoneve. Në një studim britanik të financuar nga industria, pacientëve me COVID-19 të shtruar në spital që u është dhënë në mënyrë rastësore interferon beta-1a kishin dyfish më shumë mundësi se të tjerët që të përmirësoheshin në atë pikë sa të rifillonin aktivitetet e tyre të zakonshme.
Hulumtuesit kanë nevojë të konfirmojnë këto gjetje në një studim shumë më të gjerë, tha Dr. Nathan Peiffer-Smadja, një hulumtues në Kolegjin Imperial Londër, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, por ka shkruar një editorial shoqërues. Studimet e ardhshme duhet të testojnë gjakun e pacientëve për mutacione gjenetike dhe autoantitrupa ndaj interferonëve, për të parë nëse përgjigjen ndryshe nga të tjerët.
Peiffer-Smadja vuri re se interferoni i përthitur mund të funksionojë më mirë se në formën e ilaçi të infektuar, për shkak se shkon drejt e në mushkëri. Ndërkohë që versionet e injektuara të interferonit janë përdorur për vite me radhë për të trajtuar sëmundjet e tjera, versioni i përthithur është ende eksperimental dhe ende jo në gjendje për t’u blerë.
Dhe doktorët duhet të jenë të kujdesshëm mbi interferonin tani për tani, pasi një studim i udhëhequr nga OBSH nuk gjeti benefite nga forma e injektuar e ilaçit në pacientët me Covid, tha Peiffer-Smadja. Në fakt, kishte një trend drejt shkallës më të lartë të vdekshmërisë në pacientë që morën interferon, edhe pse ky zbulim mund të ketë qenë për shkak të rastësisë. T’u japësh interferon në një stad më të vonshëm të sëmundjes mund të inkurajojë një mbireagim destruktiv imun i quajtur stuhia e citokinës, në të cilën sistemi imunitar shkakton më shumë dëme se virusi.
Rreth e rrotull botës, shkencëtarët kanë iniciuar më shumë se 100 prova klinike të interfernoëve, sipas clinictrials.gov, një databazë e studimeve hulumtuese nga Instituti Kombëtar i Shëndetit.
Derisa studime më të mëdha të bëhen, thonë doktorët, gjetjet e Bastard vështirë se mund të ndryshojnë mënyrën se si trajtohet COVID-19.
Dr. Lewis Kaplan, president i Shoqatës së Mjekësisë së Përkujdesjes Kritike, tha se i trajton pacientët sipas simptomave të tyre, jo faktorëve të riskut.
“Nëse je pak i sëmurë, trajtohesh me pak përkujdesje”, – tha Kaplan. “Nëse je shumë i sëmurë, trajtohesh me shumë përkujdesje. Por nëse një pacient me COVID vjen me hipertension, diabet dhe obezitet, ne nuk themi: Ata kanë faktor risku, Le t’i vendosim në terapi intensive”.