Pretendimi: Një studim japonez ka treguar rritjen e tumoreve dhe vdekshmërinë prej tyre pas vaksinave mRNA.
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————————
Disa media shqipfolëse kanë raportuar së fundmi mbi një studim japonez i cili pretendohet se ka zbuluar rritje të rasteve të kancerit dhe vdekshmërisë së tyre pas vaksinave anti-Covid.
Artikujt e mësipërm i referohet një postimi në rrjetet sociale të mjekut Edvin Prifti.
‘Studimi’ në fjalë është botuar në revistën Cureus më 8 prill 2024. Ai konsiston në një analizë statistikore të dhënash publike mbi nivelet e vdekshmërisë së kancerit gjatë pandemisë (2020-2022) të cilat krahasohen me vdekshmërinë e pritshme bazuar në vdekjet nga kanceri përpara pandemisë (2010-2019). Më pas, autorët diskutojnë “shpjegime të mundshme” për gjetjet e tyre, përfshi këtu edhe një lidhje me vaksinimin.
Të metat e analizës
Autorët pranojnë se gjetjet e tyre nuk janë “vërtetuar klinikisht,” dhe, më interesante, se nevojiten “analiza të mëtejshme statistikore me status vaksinimi.”
Kjo do të thotë se studimi, i cili pretendon të vërejë rritjen e kancerit “pas dozës së tretë të vaksinës mRNA” nuk merr parasysh statusin e vaksinimit të personave të përfshirë. Sipas të dhënave zyrtare, deri në Prill 2024, 67% e popullsisë kishte marrë tre doza vaksine. Pra, ⅓ e personave të përfshirë në studim nuk përmbushin përcaktimin e të marrit tre doza.
Profersor Jeffrey Morris nga Universiteti i Pensilvanisë tha për Reuters se studimi “nuk prezanton të dhëna që ndajnë vdekjet nga kanceri sipas satusit të vaksinimit” dhe nuk “ofrojnë ndonjë provë epidemiologjike që vaksinat rrisin rrezikun e vdekjes nga kanceri.”
Më tej, studimi merr të mirëqenë vaksinimin me mRNA megjithëse Japonia ka përdorur vaksina të llojeve të ndryshme.
Studimit i mungon një grup kontrolli, që në këtë rast do të ishin njerëzit e pavaksinuar. Në mungesë të këtij grupi kontrolli, vdekshmëria e lartë e pretenduar nga ky studim mund të jetë si pasojë e vdekjeve nga kanceri të personave të pavaksinuar.
Studimi gjithashtu duket se vuan nga një ngushtësi pikëpamjeje. Ai zgjedh të përqendrohet vetëm në tre vite: 2020, 2021, 2022. Megjithatë, nëse do ta zgjeronim pamjen do të shihnim se vdekjet nga kanceri kanë qenë në rritje prej vitesh.
Niveli i vdekshmërisë nga kanceri në Japoni 1995-2022
Siç tregohet në grafikun e mësipërm, rritja më e madhe e vdekshmërisë nga kanceri në Japoni ka qenë mes 1995 dhe 2014, duke u pasuar nga një rritje më e ulët, dhe më pas shifrat nisin të rriten në vitin 2019, përpara vaksinimit mRNA anti-Covid.
Më tej, siç shpjegon dhe profesor Marc Veldhoen në Twitter, Japonia ka një popullsi të moshuar. 30% e popullsisë është mbi 65 vjeç dhe 10% është mbi 80 vjeç. Kjo mund të shpjegojë rritjen e rasteve të kancerit, si dhe vdekshmërisë.
Kanceri ka qenë shkaku kryesor i vdekjes në Japoni që nga viti 1981. Një studim i vitit 2023 parashikon se, bazuar në të dhënat e viteve 1975-2019, rastet e kancerit do të rriten me 13.1% nga 2020 në 2025, një rritje që nuk ka të bëjë me vaksinat mRNA, të cilat u miratuan për përdorim në 2020.
Profesor Morris shtoi gjithashtu se autorët “citojnë një tufë artikujsh që flasin për mekanizmat e mundshme me anë të së cilave vaksinat mund të rrisin rrezikun e kancerit pas vaksinimit, por asnjë prej tyre nuk është provuar të bëjë këtë.”
Revista Cureus
Faktoje ka përgënjshtruar edhe më parë studime të botuara në revistën Cureus dhe ka shpjeguar praktikën e dyshimtë të punës së kësaj reviste.
Rishikimi kolegjial, procesi në të cilin kolegët shkencëtarë të japin komente mbi një dorëshkrim dhe mbi nëse ai është i mirë mjaftueshëm për botim, mund të jetë shumë i dobishëm për të siguruar që një punim i caktuar nuk përmban të meta ose gabime të mëdha. Megjithatë, rishikimi nga kolegët është po aq i mirë sa komentet e dhëna – dhe ai nuk do të thotë automatikisht se artikulli është i besueshëm. Jo të gjithë revistat me rishikim kolegjial janë njësoj, sepse secila ka standarde dhe reputacione të ndryshme.
Revista Cureus, për shembull, ka për qëllim botimin e shpejtë të artikujve dhe reklamon rishikim kolegjial “efiçent” dhe një përvojë botimi “pa telashe.” Sipas të dhënave të gjashtë muajve të fundit nga Cureus, koha mesatare nga dorëzimi i artikullit në botim është 33 ditë, dhe 51% e artikujve të depozituar botohen. Për krahasim, revista prestigjoze Nature pranon 8% të artikujve të dorëzuar dhe koha mesatare nga dorëzimi në botim është 267 ditë.
Sipas të dhënave të artikullit, procesi i rishikimit kolegjial zgjati 165 ditë.
Në vitin 2015, duke iu përgjigjur shqetësimeve në lidhje me revistën dhe procesin e saj të shpejtë të rishikimit kolegjial, themeluesi, presidenti dhe kryeredaktori i Cureus, Dr. John R. Adler, tha se “me qëllim, rishikimi kolegjial nuk është pjesë e madhe e procesit tonë të rishikimit” dhe se revista mbështetet gjithashtu në rishikimin pas publikimit për të “zgjedhur atë që është cilësore/e rëndësishme”.
Një punim nga bibliotekarët e Universitetit Emory, prezantuar në një konferencë në 2022, e klasifikoi Cureus si potencialisht “të pabesueshëm ose malinj”. Revista është e disponueshme në PubMed Central, databaza të Instituteve Kombëtare amerikane të Shëndetit për kërkimet biomjekësore, por nuk është e indeksuar në MEDLINE, e cila kërkon një farë verifikimi për t’u përfshirë. (Shfaqja e një artikulli në databazë nuk nënkupton asnjë lloj miratimi nga NIH.)
Cureus publikoi dy studime problematike lidhur me Ivermectin për COVID-19 në 2022. Rezultatet e studimeve nuk përputheshin me studime më të forta që nuk gjetën ndonjë përfitim nga përdorimi i Ivermectin për COVID-19. Të dy studimet kishin të meta metodologjike dhe ishin shkruar nga mbështetës të Ivermectin – një fakt që nuk u tregua në kohën e publikimit.
Edhe pse edhe revistat më të mira i tërheqin herë pas here studimet e botuara, Cureus ka përfunduar disa herë në faqet e Retraction Watch, një databazë online e tërheqjeve të artikujve shkencorë – së fundmi më 26 janar për 56 studime të tërhequra si pasojë e autorësisë së rreme gati dy vjet pasi ishin sinjalizuar. Në 2022, Retraction Watch raportoi se një studim i tërhequr nga revista Frontiers in Medicine u përditësua më vonë dhe u botua në Cureus.