.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookStruktura për rritjen e koraleve akuzohet si shkaktare e uraganit Milton

Struktura për rritjen e koraleve akuzohet si shkaktare e uraganit Milton

Pretendimi: Uragani Milton është shkaktuar nga sistemi kërkimor HAARP që ndodhet në bregdetin e Floridës

Verdikti: I pavërtetë

Uragani ‘Milton’ goditi Floridën të mërkurën, duke lënë pas disa të vdekur dhe shumë dëme materiale. Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se ky uragan është pasojë e sistemit HAARP. Si provë për këtë sillen pamjet e marra nga hartat nënujorë të Google map, ku dallohen disa struktura artificiale të ndërtuara në afërsi të bregdetit të Floridës.  Video shoqërohet me pretendimin se po ndan pamjet nga sistemi HAARP, që “duket se është aktivizuar… para uraganit Milton.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre pamjeve të publikuara nga Google Map. Video është publikuar fillimisht në një postim në TikTok në 2021, që ngre pikëpyetje mbi ndërtimet nënujore. Duke ndjekur të njëjtat koordinata dhe vendndodhje në hartën globale, zbulojmë se struktura nënujore që shfaqen në videon e publikuar i përkasin një siti të mbrojtur të barrierës korale në Florida, të quajtur Snapper Ledge Reef.

Sipas prezantimit zyrtar, kjo zonë e pasur nënujore me korale dhe anije të mbytura që shfrytëzohen për sportin e zhytjes, i është besuar organizatës “Snapper Ledge SPA”, e cila po zhvillon teknika për restaurimin e burimeve të ekosistemit të degraduar të shkëmbinjve koralorë. Strukturat që mendohen si antena të sistemit HAARP, janë në fakt struktura që ndihmojnë rritjen e koraleve në zonat e dëmtuara.

Përsa i përket ndikimit të HAARP në ndryshimet klimatike, Faktoje ka verifikuar një sërë pretendimesh të ngjashme. Në artikujt e publikuar tregohet se HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e “Aurora borealis”, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.

Në një reagim për kolegët e “Reuters”, një zëdhënës i HAARP tha se ky sistem nuk mund të krijojë, modifikojë ose manipulojë një uragan. Howard Diamond, drejtor në Laboratorin e Burimeve Ajrore të NOAA, tha në një email për “Reuters” se HAARP nuk ka: “absolutisht asnjë lidhje me formimin e uraganeve si Helene ose Milton”.

“As HAARP dhe asnjë strukturë nuk mund të ndikojë në uraganet. Nuk ka asnjë teknologji në përdorim nga njerëzimi që mund të krijojë, shkatërrojë, modifikojë, intensifikojë ose drejtojë uraganet”, theksoi ai.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img