JOEL ÇELA
Thuajse një muaj pas tërmetit me pasoja tragjike, dëmet janë ende duke u llogaritur. Përveç 51 viktimave, qindra shtëpi e pallate u bënë të pabanueshme duke lënë mijëra të pastrehë. Disa orë pas tërmetit, më 26 nëntor kryeministri Rama premtoi strehimin në kushte optimale të të gjitha familjeve që mbetën të pastreha. Verifikimi i bërë nga “Faktoje” tregon se si ndryshoi ky premtim deri sot, kur afërsisht gjysma e të pastrehëve jetojnë në çadra.
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………
“Dimri nuk kalohet dot as nën qiell të hapur e as në tenda, prandaj qeveria do të nënshkruajë një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe Vlorës po të jetë nevoja, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale, t’i kalojnë edhe festat e fundvitit në kushte optimale bashkë me fëmijët e tyre”.
*Në këtë deklaratë të datës 26 nëntor kreu i qeverisë, specifikoi se asnjë nga familjet e mbetura pa çati nuk do ta kalojë dimrin në tenda.
Më 2 dhjetor, kryeministri Rama gjatë mbledhjes së Jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, mori një tjetër zotim. Ai përcaktoi një afat për strehimin e përkohshëm të personave të prekur, në varësi të dëmeve të pësuara.
“Më 1 dhjetor ka filluar sistemimi në shtëpitë e reja. Duhet të përfundojë maksimumi i maksimumit më 15 dhjetor.”
*Në këtë mbledhje kryeministri vendosi një afat, por nuk u ndal në mënyrën se si do të strehoheshin të gjithë personat pa çati për shkak të tërmetit.
Në një deklaratë të datës 3 dhjetor, në mbledhjen e jashtëzakonshme të radhës, kryeministri bëri një kategorizim të personave, banorë në qytete dhe atyre në fshatra kur foli për strehimin.
“Bonus qeraje për të gjithë të prekurit nga tërmeti në zonat urbane. Tenda dimërore me standarte në zonat rurale.” –ishte postimi i kryeministrit Rama në rrjetin social Facebook.
**Kjo ndarje u arsyetua prej tij me argumentin se personat në zonat rurale kanë nevojë të qëndrojnë pranë shtëpisë për t’u kujdesur për gjënë e gjallë.
Foto: Faktoje
Ndërsa zotimi për strehimin e përkohshëm pësoi ndryshime me kalimin e ditëve, kryeministri i qëndroi afatit të vendosur për përfundimin e këtij procesi që ishte 15 dhjetori.
“15 dhjetori, afati fundor për të sistemuar në shtëpi familjet më fatkeqe”-ishte premtimi i zotit Rama.
Pas konstatimit se kryeministri ndryshoi disa herë brenda pak ditëve zotimin për strehimin e të gjitha familjeve të mbetura pa shtëpi tërmeti, “Faktoje” verifikoi edhe shifrat zyrtare.
Sipas Kryetarit të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ministri Bledi Çuçi në mbledhjen e mbajtur në 11 dhjetor janë 13 294 persona të mbetur pa çati nga tërmeti dhe që janë strehuar përkohësisht.
Bazuar në të dhënat e publikuara nga zoti Çuçi rezulton se në hotele janë sistemuar 4149 persona, pra një e treta e numrit të përgjithshëm zyrtar të të pastrehëve.
Ndërkohë personat e sistemuar në çadra janë më shumë se gjysma e numrit total të të pastrehëve nga nga tërmeti. Ja çfarë shpjegimi jep drejtuesi qëndror i Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, ministri Bledi Çuçi, në intervistën për emisionin “Wake Up” në Top Channel në 13 dhjetor:
“Banorët e zonave rurale kanë shprehur vetë vullnetin që të qëndrojnë në çadra. Detyrimi ynë është që t’i sigurojmë çadra dimërore ose “4 stinët” siç quhet, pra janë çadra që i përballojnë të katërta stinët”.
Vetë kryeministri i cili më 26 nëntor dha premtimin se asnjë prej familjeve të mbetura pa shtëpi nga tërmeti, nuk do e kalonte dimrin në tenda, publikoi të mërkurën e 18 dhjetorit në Kuvend shifrat që tregojnë një realitet ndryshe.
- 4132 persona janë strehuar në hotele.
- 3452 familje dhe 202 studentë kanë marrë bonusin e qerasë për t’u akomoduar në apartamente.
- 6178 persona në fshat janë strehuar në çadra.
Në total janë strehuar në mënyrë të përkohshme mbi 13964 persona.
Foto: Faktoje