Komuniteti rom dhe egjiptian në bashkinë Korçë, mbetet në kushte të mjerurara sidoms në aspektin e strehimit. Të dhënat e sakta për numrin e familjeve të kësaj kategorie në Korçë mungojnë, por mendohet se 800 të tilla janë vendosur në zona të ndryshme të qytetit Juglindor. Nëse plani vendor 2021-2025 do ishte zbatuar, ky komunitet do kishte thuajse të zgjidhur, të paktën probleminn e strehimit. Verifikimi në terren dhe shifrat zyrtare tregojnë se në rastin më të mirë, 7 familje rome egjiptiane kanë përfituar nga programi I banesa sociale me qira, në një vit, ndërkohë që objektivat parashikojnë shumë herë më tepër.
Enxhi Kosturi
Situata e strehimit të kategorive në nevojë, ku një pjesë i përkasin komunitetit rom egjiptian, mbetet një prej problematikë e mprehtë edhe në Korçë. Sipas planit vendor 2014-2020, në Korçë banojnë rreth 800 familje rome dhe egjiptiane.
Ne vendosëm të verifikojmë ecurinë për përmbushjen e deritanishme të Programit 5-vjeçar të Strehimit Social 2021-2026 shpallur nga Bashkia Korçë, të parashikuara edhe në Planin Kombëtar të Veprimit për Barazi, Përfshirje dhe Pjesëmarrjen e Romëve dhe Egjiptianëve 2021-2025 (PKVBPPRE 2021-2025).
Kryebashkiaku i Korçës Z. Sotiraq Filo theksoi se për vitin 2023 buxheti total për përmirësimin e kushteve të banimit të komuniteteve në nevojë do kapte vlerën 60 milionë lekë të reja bashkë me financimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.
Të dhënat zyrtare
Pas kërkesës për informacin drejtuar Bashkisë Korçë për mbështetjen dhe strehimin e komunitetit rom/egjiptian, rezulton se ky institucion nuk disponon një numër të saktë të personave që i përkasin këtyre komuniteteve.
Bazuar në të dhënat e Programit 5-vjeçar të Strehimit Social 2021-2026 që bazohen tek të dhënat e censusit të viti 2011, në Bashkinë Korçë jetojnë rreth 2400 romë dhe egjiptianë.
Nga programet e strehimit social në Bashkinë e Korçës për periudhën 2020 – 2023, sipas përgjigjes së dërgur nga Bashkia Korçë kanë përfituar rreth 350 familje të komuniteteve Rom dhe Egjiptian (ku shumica ka përfituar nga granti “Për përmirësimin e kushteve të banimit për familjet që banojnë në zona të varfëra dhe të pafavorizuara”.)
*Numri i familjeve të varfëra të mbështetura në 2020-223 (komuniteti rom-egjiptian):
2020 janë mbështetur 62 familje
2021 janë mbështetur 85 familje
2022 janë mbështetur 94 familje
2023 janë mbështetur 109 familje
Po i njëjti institucion zotohej madje për mbështetje të 200 familjeve rome egjiptiane, çdo vit, që jetojnë në kushte ekstreme me përmirësim të kushteve të banimit, por nga përgjigjja zyrtare rezulton se ky objektiv nuk është përmbushur.
Plani lokal i Strehimit, bashkia Korçë
Tjetër përparësi e Bashkisë Korçë ka qenë sigurimi i strehimit për të paktën 80% të aplikuesve që i përkasin shtresave që përfitojnë ndihmë ekonomike, nëpërmjet programit të Banesave Sociale me Qira të banimit. Tabela e mëposhtme paraqet numrin e familjeve që janë mbështetur nga Bashkia Korçë përmes subvencionimit të qirasë në treg. Dukshëm numri i familjeve rome/egjiptiane që kanë përfituar mbështetje mbetet i ulët jo vetëm krahasuar me synimet e programit 5-vjeçar hartuar prej saj, por krahasuar edhe me numrin total të familjeve të kësaj kategorie që banojnë në qytetin e Korçës.
VITI | FAMILJE ROME | FAMILJE EGJIPTIANE | TOTAL |
2019 | 1 | 4 | 5 |
2020 | 2 | 4 | 6 |
2021 | 1 | 4 | 5 |
2022 | 2 | 5 | 7 |
2023 | 2 | 4 | 6 |
Gjithashtu, PKVBPPRE 2021-2025 parashikon se brenda vitit 2025 numri i familjeve që përfitojnë nga ky program do të jetë 492 krahasuar me 171 në vitin 2020. Por nga një analizë e thjeshtë e tabelës numri i familjeve përfituese në Bashkinë Korçë nuk ka pësuar rritje përgjatë 5 viteve të fundit, duke variuar midis 5-7 familjeve përfituese në vit, shumë herë më pak se parashikimet.
PKVBPPRE 2021-2025 ka si objektiv edhe miratimin e kuadrit ligjor dhe bashkëpunimin midis institucioneve në nivel qendror dhe vendor për adresimin e nevojave për legalizimin dhe strehimin social, por më pak se 1 vit nga përmbyllja e këtij afati, nuk rezulton të jetë ndërmarrë ndonjë hap konkret për koordinimin dhe rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve në nivel qëndror dhe atyre në nivel vendor.
E pyetur se në çfarë faze është legalizimi i vendbanimeve jo formale të komunitetit rom/egjiptian, Bashkia Korçë na informoi se kjo çështje nuk është në kompetencat e saj.
PKVBPPRE 2021-2025 parashikonte edhe rritjen e numrit të familjeve rome/egjiptiane për të cilat plotësimi i dosjes dhe dokumentacionit për aplikim për programin social të strehimit të realizohet me shpenzimet e vetë NJVV-ve. Deri në vitin 2025 duhet të kenë përfituar 50 familje nga 0 që ka qenë numri i përfituesve në vitin 2020. Bashkia Korçë nuk na vendosi në dispozicion numrin e saktë të familjeve që kanë përfituar këtë shërbim gjatë periudhës 2020-2023. Në fund të afatit të këtij program, do të jetë e vështirë matja reale e treguesve të parashikuar çka ndikon edhe në efektivitetin e tij apo adresimin e objektivave të papërmbushura për strategjitë që do të hartohen në të ardhmen.
Verifikimi në terren
Për të kuptuar më të qartë situatën me strehimin e komunitetit rom dhe egjiptian në Bashkinë Korçë, bëmë një verifikim në terren pranë lagjes numër 8 të ose si njihet ndryshe “Kulleiri”, pasi aty jetojnë të veçuar një pjesë e mirë e familjeve të këtye komuniteteve. Nga kqyrjet e banesave së jashtmi dhe nga verifikimi i kushteve brenda tyre, vihej re një amortizim në nivel të lartë. Banorët kanë probleme të shpeshta për furnizimin me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike, si pasojë e pamundësisë ekonomike për të paguar për këto shërbime, por edhe për shkak të infrastrukturës shumë të dobët në atë zonë të qytetit. Gjithashtu, banesat kishin prezencë të shtuar të lagështirës dhe mykut duke i bërë ato të papërshtatshme për një jetesë normale e duke sjellë dëme serioze në shëndetin e banorëve.
Pjesëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian thonë se problemet me strehimin, por edhe kërkesat për mbështtje ekonomike ia kanë drejtuar prej kohësh institucioneve vendore. Një numër i madh i familjeve të këtyre komuniteteve në Bashkinë e Korçës nuk kanë një vendbanim fiks dhe në shumë raste kanë improvizuar banesat e tyre pranë zonave të ndryshme të qytetit të Korçës. Këto banesa jo vetëm që nuk janë të legalizuara sipas legjislacionit në fuqi, por për më tepër nuk përmbushin as standardet minimale të jetesës.
E.A nga komuniteti egjiptian, është një grua e divorcuar nga bashkëshorti, që jeton prej vitesh me gjashtë fëmijët e saj të mitur. Ajo na tregoi se në përditshmërinë e saj has probleme të shumta sociale dhe ekonomike, si pasojë e papunësisë, mungesës së strehimit dhe pamundësisë për plotësimin e nevojave bazë për arsimimin e fëmijëvë të saj të mitur. Familja e saj nuk ka mundur të përfitojë nga asnjë prej programeve të strehimit të ofruara nga bashkia pasi nuk plotëson disa kritere ligjore dhe nga pamundësia e pjesëmarrjes në proceset e aplikimi. Të ardhurat e vetme të sigurta mujore janë ato që përfiton nga ndihma ekonomike, me të cilat nuk ia del të mbijetojë me gjashtë fëmijët e mitur.
Përfundim
Objektivat e shpallura në nivel vendor në Korçë, por edhe në nivel qendror në programet për integrimin dhe përmirësimin e kushteve të jetësës për komunitetin rom egjiptian, sidomos për strehimin, janë shumë larg përmbushjes. Vetë shifrat e dërguara nga bashkia Korçë në lidhje me zbatimin e Programit 5-vjeçar të Strehimit Social 2021-2026, vërtetojnë se strehimi i tyre është një premtim i pambajtur deri më tani.
Gratë dhe fëmijët e këtij komuniteti vazhdojnë të mbeten një prej kategorive më vulnerabël të shoqërisë, të cilët përballen me mungesë të vazhdueshme të programeve sociale që synojnë integrimin e tyre në shoqëri. Thirrjet e tyre të vazhdueshme mbi hartimin e politikave të përshtatshme për arsimimin, mbrojtjen sociale dhe pjesëmarrjen e tyre gjatë hartimit të këtyre politikave duket se nuk po gjejnë akoma zbatim nga aktorët vendimmarrës jo vetëm në nivel lokal.