Shkodra nuk e ka ende “Strehëzën e re për qentë endacakë”, çka do ndihmonte në zgjidhjen problemit me praninë e tyre nëpër rrugë. Këtë shtator Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia premtoi se investimi për strehëzën do të ishte gati brenda dy muajve. Por një verfikim i Faktoje në terren tregon se punimet për strehimin e qenve endacakë në Shkodër nuk kanë përfunduar.
Esmeralda Topi
“Shkodra do të ketë në më pak se 2 muaj “Strehëzën e re për qentë endacakë”.-premtoi më 22 shtator Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, gjatë një inspektimi në nisje të punimeve për investimin i cili i jep zgjidhje një problematike shqetësuese në qytet, pranisë së shtuar të qenëve endacak.
Screenshot nga profili në Facebook i Bashkisë Shkodër
“Një investim bashkëkohor në një zonë larg qendrës së banuar, që të mos krijojë shqetësime për komunitetin. Shkodra bëhet e para bashki në vend që krijon një standart të tillë.” – theksonte kryebashkiaku i Shkodrës gjatë inspektimit në kantierin e punimeve.
Ndërkaq, në fillim të muajit nëntor, në prag të përfundimit të afateve të këtij investimi Bashkia e Shkodrës lajmëronte në facebook:
“Kanë hyrë në fazën përmbyllëse punimet për strehëzën e qenve të rrugës. Investimi i Bashkisë Shkodër pritet të jetë gati brenda pak javësh, për të nisur më pas proçesin e grumbullimit dhe sistemit të tyre në këtë strehëz.”
Screenshot nga profili i Bashkisë Shkodër në facebook
Nisur nga rëndësia që ka kjo problematikë për qytetarët shkodranë, Faktoje vendosi të verifikojë nga afër ecurinë e investimit. Ne ishim në Shkodër më 17 nëntor, dy ditë para përfundimit të afatit të punimeve për “Strehëzën e qenve endacakë”.
Nga verifikimi në terren rezultoi se punimet nuk ishin mbyllur ende, madje në kantier nuk kishte asnjë punëtor nga firma që e ka marrë përsipër investimin e Bashkisë Shkodër.
Sipas tabelës informuese të Bashkisë Shkodër, vlera e investimit për ndërtimin e strehëzës është 3.785.670 lekë me TVSH. Punimet për ndërtimin e Strehëzës kanë filluar më 16 shtator. Referuar afatit zyrtar puna në kantier do të zgjaste dy muaj dhe punimet duhet të kishin përfunduar më 19 nëntor. Për të mësuar mbi arsyet e kësaj vonese, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Shkodër. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi ne nuk kemi ende një përgjigje prej saj.
Screenshot nga kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Shkodër
Shkodra është një nga qytetet me praninë më të lartë të qenëve të rrugës dhe qytetarët e kanë ngritur këtë shqetësim herë pas here.
“Shkodra vuan tash sa vjet nga prania e qenve të rrugës.” – thotë një banore pranë Sheshit “Demokracia” në Shkodër.
“Si vjen puna, me vlerësu një punë që nuk i ka shku mend kujt, por që ka jo pak randsi!”- shton një tjetër banor.
Edhe gjatë qëndrimit tonë në Shkodër më 17 nëntor, gjatë një dite me shi, binte në sy prania e qenve endacakë rrugëve kryesore të qytetit.
Nisur nga verifikimi në terren dhe informacionet e mbledhura premtimin e kryebashkiakut Spahia do ta kategorizojmë si gjysmë të mbajtur.
*Bashkia e Shkodrës u përgjigj më 25 nëntor, tre ditë pas publikimit të lajmit nga Faktoje, duke sqaruar se projekti për ndërtimin e “Strehëzës së qenve” është i ndarë në dy faza.
“Ndërtimi për strehëzën e qenve ka qenë i planifikuar në 2 faza. Faza e parë e ndërtimit ku përfshinte sistemime, gërmime dheu, mbushje me material në trupin e rrugës etj, kishte afat të fundit datën 19.11.2022. Puna për këtë fazë ka përfunduar brenda datës 17.11.2022. Presim të fillojmë fazën e dytë të punimeve. Ndërtimi total do të jetë mbas përfundimit të fazës së dytë të ndërtimit.”
Nisur nga kjo përgjigje, ne u rikthyem sërish në Shkodër për të verifikuar nëse Bashkia kishte arritur të përmbyllte në afat fazën e parë të investimit.
Nga verfikimi në terren më 17 shkurt, rezultoi se Bashkia e kishte përmbyllur investimin në fazën e parë të këtij projekti. Strehëza kishte hapur dyert duke strehuar 50 qentë e parë, ndërkohë që kapaciteti i këtij vendi arrin të mbulojë strehimin e 180 qenëve në total.
Në fazën e dytë të investimit parashikohet ndërtimi i një dhome mjekësh veterinerë pranë strehëzës, tualetet, magazina si dhe rrethimin me gardh i këtij vendstrehimi për qentë e rrugëve.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.