.

.

BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingStatusi i minatorit, premtimi i pambajtur i qeverisë Rama

Statusi i minatorit, premtimi i pambajtur i qeverisë Rama

Voltiza Duro

Premtimi i papërmbushur i qeverisë për miratimin e statusit të minatorit, ka lënë të zhgënjyer një komunitet të madh individësh që punojnë apo kanë qenë të punësuar në këtë sektor. Shifrat e publikuara nga Inspektoriati Shtetëror i Punës, tregojnë se 20% e aksidenteve në punë në Shqipëri shpesh me pasoja fatale për jetën, ndodhin në miniera, çka tregon se sa i dobishëm do të ishte statusi i minatorit për këtë kategori. Sipas minatorëve pensioni mesatar akualisht është 25 mijë lekë të reja, ndërsa sipas statusit ende të pamiratuar kërkohet pension jo më pak se 40 500 lek të reja, pagë minimale të paktën 70 mijë lekë në muaj, rimbursim i shpenzimeve shëndetësore, etj.

—————————-

“Në mandatin e parë qeverisës premtuam uljen e moshës së daljes në pension për minatorët dhe e ulëm, premtuam rritjen e sigurisë në miniera dhe e kemi rritur, premtuam rritje tërësore pagash në sektor dhe e mbajtëm. Këtë mandat kemi premtuar statusin dhe do ta mbajmë” – deklaroi Kryeministri Edi Rama në prill të 2018-s para një grupi minatorësh.

Statusi i minatorit parashikon një sërë lehtësirash për shkak të vështirësisë dhe rrezikut që paraqet natyra e punës.

Kërkesat e parashtruara nga grupet e interesit për Statusin e Minatorit

Nga një kërkim në faqen zyrtare të parlamentit, rezulton të jetë miratuar ligji nr. 29/2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”. Por ky ligj parashikon vetëm një pjesë të kërkesave që përmban statusi i minatorit.

Screenshot, ligji nr. 29/2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”

Kjo gjë është pranuar edhe nga zëvendësministri i Ekonomisë në atë kohë, Elton Haxhi gjatë seancës në Komisionin Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, gjatë shqyrtimit të këtij projektligji, mbajtur në 20 maj 2019.

“Ky projektligj është një trajtim financiar shtesë dhe nuk është një status për këto profesione. Përfshirja në një ligj i tre profesioneve të vështira është bërë për shkak të ngjashmërisë në lidhje me vështirësinë e punës, dhe brenda këtij parimi janë bërë dallime në punë të vështira dhe shumë të vështira.”- theksoi ndër të tjera z. Haxhi.

Më datë 1 dhjetor 2021, ne i dërguam një kërkesë për informacion Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të mësuar arsyet përse statusi i minatorit nuk është miratuar ende.

Screenshot i kërkesës për informacion drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, datë 1.12.2021

Në 14 janar, ose një muaj e gjysmë pas dërgimit të kërkesës për informacion dhe në shkelje të afatit të përcaktuar në ligjin për të Drejtën e Informimit, Ministria e Financave dërgoi një shkresë ku devijohej krejtësisht përgjigjja për pyetjet e drejtuara.

Screenshot i përgjigjes së Ministrisë Ekonimisë, datë 14 janar 2022

Më datë 2 dhjetor 2021 ne i dërguam edhe Kryeministrisë një kërkesë në emër të Faktoje, ku kërkuam informacion përse nuk është miratuar statusi i minatorit dhe përse nuk po zbatohet as ligji për trajtimin financiar të këtij komuniteti, i miratuar në 2019-n.

Screenshot kërkesa për informacion drejtuar Kryeministris, datë 2.12.2021.

Në një përgjigje të mbërritur në datë 5 janar 2022, kryeministria rendit ligje dhe VKM, pa dhënë asnjë shpjegim mbi ndryshimet mes ligjit të miratuar dhe statusit të kërkuar.

Screenshot përgjigjia nga Kryeministria në datë 5 janar 2022

Mark Gjergji, ish minator sot në pension, thotë për Faktoje se ndihet i zhgënjyer dhe i nëpërkëmbur nga qeveria.

“Me djersën dhe të drejtat e minatorëve po luajnë partitë politike ndër vite. Miratimi i statusit na u premtua, por më tej çdo gjë u bë në mënyrë të pabesë. Nuk kemi as të drejtat minimale, por arrijmë që me pensionet që marrim të mbijetojmë. Pensioni mesatar i minatorëve sot është 250 mijë lekë të vjetra, ndërkohë ne kërkojmë që të mos ketë pension nën 405 mijë lekë.”-tha Gjergji.

Foto. Ish minatori, Mark Gjergji

Ish-minatori tregon se nëse statusi miratohet, familjarët e minatorëve që kanë humbur jetën gjatë punës nëntokë, bashkëshortja e ve kur nuk është e punësuar, fëmijët deri në moshën 18 vjeç, ose 26 vjeç kur ndjekin studimet e larta do të përfitojnë pension në masën 100% të pagës minimale zyrtare. Shqetësim për Gjergjin mbeten pensionet e miratuara me ligjin actual, të cilat janë të pamjaftueshme.

“Një nga pikat që ne kemi kërkuar në status lidhet me pensionet. Nëse statusi miratohet, të gjithë punonjësit e minierave që kanë punuar apo punojnë nëntokë përfitojnë pension të llogaritur sa paga minimale zyrtare herë 40%. Ata punonjës që kanë mbi 10 vjet e 6 muaj në punë në nëntokë, për çdo vit mbi këtë kufi do kenë shtesë pensioni me 2%. Pagat e minatorëve duhet të jenë mbi 1 milionë lekë të vjetra në muaj, madje deklarimi i pagave të bëhet i plotë. Në sigurimet shoqërore rezultojmë që paguhemi me 300 mijë lekë të vjetra”- tregon ai.

Lidhur me këtë çështje, ne iu drejtuam Kreut të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, i cili rendit mangësitë e ligjit të miratuar kundrejt kërkesave të minatorëve të pasqyruara në status.

“Ligji Për trajtim financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit dhe punonjësve që kanë punuar në metalurgji, mbulon pjesërisht kërkesat e sindikatës për këto profesione. Ky ligj mbulon me përfitime përpara kohës së mbushjes së moshës për pension pleqërie, si dhe disa përfitime shtesë mbi ato që akordon ligji nr.7703 dt.11.05.1993. Ky ligj nuk i jep përgjigje kërkesës për Status të veçantë për këto kategori punonjësish. Nuk trajton në mënyrë shterruese rritjen dhe indeksimin real të pensionit të minatorëve të cilët kanë dhënë një kontribut dhe vlerë të shtuar në ekonominë kombëtare dhe nuk kanë marrë asgjë në kompensim”- sqaron Nikollaj.

Foto: Kol Nikollaj, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë

Më tej ai ndalet te përfitimet shëndetësore që kanë kërkuar minatorët në status, gjë e cila sipas tij nuk reflektohet në ligjin e miratuar në Kuvend në maj të vitit 2019.

“Ky ligj nuk merr parasysh asnjë kërkesë të minatorëve për përfitime shëndetësore, për vizita falas, kurim falas brenda dhe jashtë vendit, rimbursim të ilaçeve, apo përfitime të tjera sociale në strehim, në shkollimin e fëmijëve e të tjera kërkesa që ishin bërë prezente për Status Minatori.”-tha për Faktoje kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj.

I pyetur nga Faktoje, eksperti i ekonomisë Zef Preci bën të ditur se përgjithësisht qeveritë nuk i plotësojnë të gjitha kërkesat që kanë grupet e interesit, në rastin konkret minatorët.

“Minatorët si profesion i vështirë meritojnë një trajtim dinjtoz që do të thotë se në kushtet kur minierat nuk janë më pronë shtetërore, por private, qeveria duhet të rregullojë kuadrin ligjor që përfituesit e punës së tyre (sipërmarrjet që merren me nxjerrje, përpunim, eksport etj) të mund të kontribuojnë më shumë në skemën e sigurimeve shoqërore. Për rrjedhojë minatorët mund të marrin status më të favorizuar dhe jo siç e ka zgjidhur qeveria duke i caktuar një 14 milion euro me ato masat korigjuese që ka marrë”

Foto: Zef Preci, ekspert ekonomie

Mungesën e statusit të minatorit, eksperti e sheh si shkurajuese për punësimet në këtë sektor në të ardhmen.

“E shoh me shqetësim ngadalësinë e korrigjimeve edhe për faktin se po bëhet përherë edhe më e vështirë që grupet shoqërore të interesuara (të rinjtë psh), të shkojnë të studiojnë në këto fusha apo të shkojnë në shkolla teknike, kur bëhet fjalë për punëtorë të kualifikuar, sepse nuk kanë ndonjë trajtim. Për rrjedhojë krijohet një zhbalancim i nevojave për fuqi punëtore dhe ofertës që bën tregu i punës. Pra ka nevojë ta shohim në kompleks, mos ta shohim si një zgjidhje favorizuese vetëm për një grup që është në ikje e sipër, që është në pension”- tha për Faktoje eksperti Zef Preçi.

Në analizën e fundit vjetore të publikuar nga Inspektoriati Shtetëror i Punës në kuadër të aksidenteve të ndodhur në punë në vitin 2020,  gjatë vitit 2020 janë regjistruar dhe ka përfunduar hetimi administativ, për 168 raste të aksidententeve në punë. 20% e tyre raportohen të jenë aksidente të ndodhura në miniera. Konkretisht janë regjistruar 28 aksidente për një vit, ku 5 prej tyre kanë rezultuar me pasoja fatale humbje jete. 14% e punëmarrësve me pasoja fatale në punë rezultojnë në subjektet minierare.

Tabelë me të dhënat mbi aksidentet në punë në vitin 2020, publikuar nga Inspektoriati Shtetëror i Punës

Të punësuarit në miniera përballen çdo ditë me kushte ekstreme pune të cilat shpesh herë kanë shkaktuar edhe humbje jetësh.

Thuajse 4 vite pas premtimit të qeverisë, statusi i minatorit mbetet një premtim ne letër. Disa nga kërkesat e minatorëve janë: paga minimale 70 mijë lekë në muaj, përfitim të pensioneve për minatorët dhe familjarët e tyre në rast të aksidenteve në punë, rritjen e pensionit, uljen e moshës së daljes në pension, etj.

Pas miratimit të ligjit “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, minatorët nuk i kanë ndalur protestat dhe kërkesat për miratimin e këtij statusi.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img