.

.

BallinaTë pambajturaStadiumi i Kukësit duhej të ishte gati në 2020-n, por punimet vazhdojnë

Stadiumi i Kukësit duhej të ishte gati në 2020-n, por punimet vazhdojnë

Floridona Ademaj

Stadiumi i Kukësit “Zeqir Ymeri” që duhej të kishte përfunduar së rikonstruktuari në nëntor të vitit 2020, ende s’është gati. Kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici kishte premtuar se punimet për projektin mbi 576 mln lekë do të përfundonin që në muajin gusht, ose dy muaj para afatit. Edhe pse ndërtimi i kësaj kategorie veprash publike nuk janë kompetencë e pushtetit vendor, ndodh shpesh që ato jepen si premtime nga kryebashkiakët. Pavarësisht se kujt i takon kompetenca, fakt është që premtimi për afatin e përfundimit të stadiumit rezulton i pambajtur.


Skuadrës së Fk. Kukësit i duhet të ‘shëtisë’ ende në fushat kundërshtare për të realizuar ndeshjet si pritëse. Kjo vjen për shkak se punimet e stadiumit “Zeqir Ymeri” nuk kanë përfunduar, ndonëse Kryetari i Bashkisë Kukës kishte premtuar se ai do ishte gati në fund të Gushtit të vitit 2020.

“Do jetë gati në fund të gushtit” – u shpreh Safet Gjici në një intervistë për ABC News më 9 Maj 2020, ndërsa inspektonte punimet e stadiumit së bashku me Kryeministrin Edi Rama.

Ndërkohë në një postim në faqen zyrtare të FK. Kukësit, me 21 Korrik 2020 premtohej se stadiumi do ishte gati në muajt shtator-tetor të vitit 2020.

Screenshot nga faqja zyrtare e FK, Kukësit

Në mesin e muajit janar, Faktoje shkoi në terren, ku konstatoi se në stadiumin e Kukësit punimet janë ende larg përfundimit.

Pamje që tregojnë që punimet nuk kanë përfunduar. Foto-Floridona Ademaj

Sipas të dhënave të tabelës së projektit, stadiumi duhej të përfundonte brenda 15 muajsh, që nga fillimi i punimeve.

Punimet kanë filluar në Gusht 2019 dhe sipas gjithë parashikimeve, ai duhej të ishte gati në muajin nëntor 2020.

Tabela me të dhënat e projektit. foto:Floridona Ademaj

Në një bisedë me punëtorët në terren, mësuam se punimet për tribunën qendrore, thuajse kanë përfunduar, ndërsa për pjesën tjetër mbetet ende shumë për të bërë.

Brenda kanë mbetur shumë pak punime për të bërë, ndërsa jashtë akoma nuk është zgjidhur pjesa e rrugës që duhet të ketë stadiumi, 3 tribunat ekzistuese kanë përfunduar, ka ngelur vetëm vendosja e stolave”-thonë punëtorët duke shtuar:
“Më problematike është tribuna perëndimore, ku janë ndërprerë punimet, sepse nuk ka fonde të mjaftueshme. Ndërsa fusha është gati për shtrim”.

Mjediset e brendshme të tribunës qëndrore. Foto:Floridona Ademaj

Tribuna Perëndimore, ku janë ndërprerë punimet. Foto:Floridona Ademaj

Ndërtimi i stadiumit ashtu si edhe disa vepra të tjera publike, në fakt nuk është kompetencë e pushtetit vendor, por e qeverisë, e megjithatë ka shumë raste kur kryebashkiakët nuk hezitojnë t’i japin si premtime të tyre, sidomos gjatë periudhës zgjedhore.  Gjithsesi, afatet për përfundimin e stadiumit të Kukësit janë shkelur, ndaj këtë premtim, Faktoje e kategorizon si të pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img