Pretendimi: Kjo video tregon një helikopter duke spërkatur “plandeminë e rradhës”
Verdikti: E pavërtetë
——————————–
Në rrjetet konspiracioniste po shpërndahet video e një helikopteri që duket se po spërkat një zonë të banuar nga ajri. Kjo video shoqërohet me pretendimin se kjo spërkatje është pjesë e një plani dashakeq për të dëmtuar popullsinë.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se kjo video, postuar fillimisht më 5 korrik nga gazeta vendase Diario La Huella, tregon “një helikopter MD-530 të Forcës Ajrore salvadoriane duke kryer tymosje në qendër të San Salvadorit.”
Sipas medias vendase, helikopteri po kryen tymosje kundër mushkonjave në Salvador.
E njejta video është postuar edhe nga deputeti nga San Salvadori, Christian Guevara.
Gazeta kolumbiane El Heraldo e ka postuar gjithashtu videon me përshkrimin: “Forcat Ajrore bëjnë spërkatjen kundër etheve tropikale në Salvador.”
Në Korrik 2024, një numër vendesh të Amerikës Qendrore, përfshi Salvadorin, panë një rritje të rasteve me ethe tropikale, një sëmundje që transmetohet nga mushkonjat Aedes aegypti.
Mushkonja Aedes aegypti, transmetuesja kryesore e etheve tropikale
Qeveria e Salvadorit deklaroi emergjencë kombëtare si pasojë e rritjes së hershme dhe të shpejtë të rasteve. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtja Civile nisi zbatimin e një plani kombëtar dezinsektimi të përqëndruar në 30 rrethet me shkallën më të lartë të rasteve. Këto rrethe ishin të përqendruara në zonën metropolitane të kryeqytetit të San Salvadorit dhe në brendësi të vendit.
Ethet tropikale janë endemike të zonave tropikale dhe simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje koke, të përziera, të vjella, dhimbje muskulare dhe, në raste ekstreme, hemoragji që mund të çojë në vdekje.
Në një intervistë më 27 gusht, Ministri i Shëndetësisë i Salvadorit, Francisco Alabi, i quajti ethet tropikale krizën më të madhe shëndetësore në gjithë zonën e Amerikave. Ai tha se 571 nga 11 milionë raste në kontinentet amerikane janë regjistruar në Salvador.
Alabi nënvizoi masat e marra nga qeveria për parandalimin e kësaj sëmundjeje. Personel shëndetësor, forcat e armatosura, Mbrojtja Civile, dhe qindra pompa tymosjeje janë mobilizuar, ndër të tjera, për të kryer spërkatje që kanë për qëllim eleminimin e mushkonjave, agjentët transmetues të sëmundjes.
Kështu, kjo video nuk tregon spërkatjen me “plandeminë e radhës.” Përkundrazi, ajo tregon masat e marra për të parandaluar një epidemi vdekjeprurëse.