Pretendimi: Kryeministri Edi Rama dha dorëheqjen pas kërkesës së Altin Dumanit
Verdikti: E pavërtetë
Të shumtë ishin ata që kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pas arrestimit nën akuzën për korrupsion të kryebashkiakut Erion Veliaj. Megjithatë, një profil në Youtube që mban emrin “Fakte interesante”, njofton në 16 shkurt se kryeministri e ka dhënë dorëheqjen në 16 shkurt, pas një urdhri të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani.

Në videon që shoqëron lajmin, e cila ngjan si një kronikë edicioni lajmesh, spikeri flet për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe sulmet e kryeministrit Rama ndaj SPAK. Pamjet e videos tregojnë në njërën anë folësin, që duket sikur flet për ngjarjen, por që nuk ka një përputhje të zërit me figurën. Ndërsa nga ana tjetër është një tekst dhe një foto e kryeministrit Rama dhe Dumanit.
Megjithë entuziasmin që mund të shkaktojë ky lajm në rradhët e opozitës, gjithë kjo histori është e sajuar, pasi kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë dorëheqjen. Nëse do kishte ndodhur një ngjarje e tillë, lajmi do ishte pasqyruar në të gjitha mediat në vend dhe jo vetëm. Në rrjetet e tij sociale, Rama vazhdon të bëjë postime nga puna e tij e përditshme dhe në asnjë moment nuk ka deklaruar që do të dorëhiqet.
Madje, dy javë më parë, i pyetur nga ndjekësit online se kur do japë dorëheqjen, kryeministri deklaroi: “Jo mo, dorëheqjen ta harrosh ….që kur kam hyrë në politikë dhe për të më larguar nga politika ka vetëm dy rrugë, ose më largon zemra nëse nuk më rreh mjaftueshëm që të më zgjojë të parin në mëngjes dhe të mos më lërë të fle para se të bien gjithë të tjerët, ose më largon populli i Shqipërisë …”.
Një tjetër detaj që vihet re është se spikeri është një krijim nga programet e Inteligjencës Artificiale dhe për këtë arsye shihet se si herëpashere nuk ka përputhje mes figurës dhe zërit.
Faqja në Youtube e “Fakte interesante” ka mbi 14 mijë ndjekës, edhe pse lajmet që shpërndan janë të rreme, duke krijuar idenë se bëhet fjalë për një kanal që synon tërheqjen e ndjekësve nëpërmjet lajmeve të bujshme për të siguruar përfitime marketingu apo nga shitja e kanalit.