.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaSpahiu: Shkollat “Qemal Mici” dhe “Bedrie Bebeziqi” në Durrës do hapin dyert më 26 nëntor

Spahiu: Shkollat “Qemal Mici” dhe “Bedrie Bebeziqi” në Durrës do hapin dyert më 26 nëntor

AURORA SHPATAJ

Durrësi është ndër bashkitë me numër më të madh institucionesh arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Dy prej tyre, janë shkollat 9-vjeçare “Qemal Mici” dhe “Bedrie Bebeqizi”. Sipas një premtimi të deputetes së qarkut Durrës, Klodiana Spahiu, këto shkolla do të hapnin dyert me datë 26 nëntor të këtij viti.


Në një postim në rrjetin social Facebook me datë 3 shtator të vitit 2020 deputetja e Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu, premtoi se shkolla “Qemal Mici” që ndodhet në rrugën “Abaz Çelkupa”, në zonën e ish-Kënetës në Durrës, do të hapej më 26 nëntor.

Screenshot nga faqja zyrtare e deputetes Klodiana Spahiu.

“Faktoje” ishte në Durrës për të verifikuar këtë premtim, pas datës 26 nëntor 2020, një vit pas fatkeqësisë natyrore. Gjatë vëzhgimit në terren, mësuam se punimet për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Qemal Mici” nuk kishin përfunduar dhe sipas konfirmimit të inxhinierit ato do të donin më shumë kohë për shkak të specifikave që paraqet zona.

Shkolla “Qemal Mici” më 26 nëntor, foto: Aurora Shpataj

“Kemi gërmuar dy herë, kjo sepse gjatë gërmimit të parë dolën disa probleme se filluan dhe reshjet e shiut. Prandaj u detyruam të bënim një gërmim të dytë duke zbatuar të gjitha parametrat.”- konfirmon inxhinieri për “Faktoje”.

Edhe shkolla 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi” që u rrënua 26 nëntorin e vitit të kaluar, duhej të hapej më 26 nëntor të këtij viti, po sipas premtimit të deputetes socialiste të Durrësit, Spahiu m #8C6B60 datë 1 shtator të këtij viti.

Screenshot nga faqja zyrtare e deputetes Klodiana Spahiu, projekti i shkollës 9 vjeçare “Bedrie Bebeziqi”

Por, nga një verifikim që Faktoje bëri në terren, as shkolla “Bedrie Bebeqizi” nuk i ka hapur dyert për shkak të punimeve që ishin në proces. Edhe për këtë projekt, inxhinieri konfirmoi se kishte nisur me vonesë.

Shkolla “Bedrie Bebeqizi”, foto: Aurora Shpataj 26.11.2020

“Ishte e pamundur ta përfundojmë shkollën më 26 nëntor, sepse ne kemi filluar punimet nga fundi i muajit shtator, pasi kishim ca probleme me pozicionimin e objektit dhe me lejen e ndërtimit, e cila doli andej nga data 21 shtator, nëse nuk gabohem.”- tha për “Faktoje” kryeinxhinieri që po ndiqte punimet në terren.

Shkolla “Bedrie Bebeqizi” është 5 kate dhe llogaritet të ketë afërsisht 480 nxënës. Kati i parë i shkollës do jetë holl dhe në çdo kat do ketë nga një laborator dhe sallë kompjuterash.

Nga verifikimi në terren, “Faktoje” i kategorizon të pambajtura premtimet e deputetes Klodiana Spahiu, për hapjen më 26 nëntor të shkollave “Qemal Mici”dhe “Bedrie Bebeqizi” në Durrës.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img