.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookSkenat e filmit publikohen si provë e udhëtimeve të rreme në Hënë

Skenat e filmit publikohen si provë e udhëtimeve të rreme në Hënë

Pretendimi: Kjo video provon se udhëtimi në Hënë u regjistrua nga NASA në shkretëtirën e Nevadës

Verdikti: E pavërtetë

“Provat” se provojnë teorinë se njeriu nuk ka udhëtuar asnjëherë në Hënë gjejnë gjithmonë vend në rrjetet sociale. Një prej këtyre dëshmive se udhëtimi i NASA në satelitin e Tokës është i rremë pretendohet se është publikuar si pjesë e dokumentave sekretë të rrjetit WikiLeaks.

Një video e publikuar në 19 shkurt në Facebook, e cila tregon disa skena bardhezi të astronautëve duke ecur në një terren të ashpër ranor, shoqërohen me tekstin: “WikiLeaks ka publikuar skena të fshira të uljes në Hënë të filmuara në shkretëtirën e Nevadës”.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Në lidhje me këto pretendime, ne bëmë fillimsht një kërkim në faqen e internetit të Wikileaks, duke përdorur fjalët kyçe, ‘Hënë’, ‘ulje’, ‘Nevada’, por nuk kishte asnjë rezultat.

Duke analizuar videon nëpërmjet mjeteve të verifikimit të pamjeve, rezultoi se në fakt skenat janë shkëputur nga prapaskenat e filmit “Capricorn One“, një film fiction i vitit 1977. Skenari i filmit ndërtohet mbi një mashtrim të publikut pas dështimit të fluturimit në planetin Mars. Autoritetet në ankth duhet të përpiqen të shpëtojnë fytyrën dhe të ruajnë fondet e tyre – dhe kështu krijohet një komplot i paimagjinueshëm për të falsifikuar misionin.

Foto nga xhirimet e filmit Capricorn One (1977)

Referuar të dhënave nga “IMDb”, vendet e xhirimeve ishin shkretëtirat Mojave në Kaliforni dhe Yuma, në Arizona. Aty nuk përmendet Nevada.

Ndërkohë, videoja që ndahet në rrjet së fundmi përdor klipe autentike nga zbarkimi në Hënë në 1969, ku tregohen edhe astronautët Buzz Aldrin dhe Neil Armstrong; misioni hënor i Apollo 14 në 1971; misioni hënor i Apollo 16 në 1972, të miksuara me prapaskenat e xhirimeve të filmit Capricorn One.

Këto pretendime janë verifikuar edhe nga kolegët e mediave të huaja si informacione të rreme.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img