Nga Bardha Nergjoni

Flakët që prej dy ditësh po shkrumbojnë pyjet e kullotat e Gramshit, mëngjesin e së mërkurës iu afruan Nartës, fshatit më të madh të njësisë administrative Skëndërbegas. Banorët u njoftuan të largohen me urgjencë. Shumë u strehuan në konviktin e qytetit, të tjerë në zona të sigurta pranë fshatit.

“Kam punuar 70 vjet dhe i lashë të gjitha atje. Ç’e desha jetën kur humba gjithçka,” thotë një grua e moshuar, e tronditur, teksa largohet nga Narta e rrethuar nga të katër anët nga zjarri. Në duar mban vetëm një trastë me rrobat e trupit. Bagëtitë dhe ushqimet e dimrit i ka lënë pas.

Një tjetër grua, që ka kaluar natën në konviktin e Gramshit, rrëfen se bashkëshorti i saj refuzon të largohet. “Është ende atje, në zonën e rrezikshme. Kur pa dëmin, tha që nuk lë shtëpinë. Nuk e di si do ta bindin të zbresë,” thotë ajo.

Nga fshati Bletas, një burrë rreth të gjashtëdhjetave tregon sesi flakët erdhën nga Kullollasi dhe u përhapën brenda minutash.

“Policia na mori dhe ikëm. Bagëtitë i lashë sipër. Pashë shtëpi të djegura rrugës. Shumë lanë gjithçka mbyllur në kasolle.”

Prefekti i Elbasanit, Ilir Bejtja, i pranishëm në terren prej dy ditësh, e përshkruan situatën si “shumë të rëndë”. Sipas tij, mbi 150 forca zjarrfikëse, 9 mjete, mbi 100 vullnetarë dhe katër helikopterë po luftojnë flakët që, pas shkrumbimit të Kullollasit, Bletasit, Menkollarës, Bulçarit e Shimërit, i janë afruar Nartës. “Është pyll pishe, shpërndahet më keq se baruti,” thotë Bejtja.

Kryebashkiaku Besjan Ajazi konfirmon se rreth 50 banorë të Nartës janë strehuar në konvikt dhe dhjetëra familje të tjera janë zhvendosur në zona të sigurta.

Ndërkohë, një tjetër vatër është regjistruar në Kodovjat, e pavarur nga fronti kryesor i Skëndërbegasit. Në 48 orët e fundit, Gramshi është goditur nga disa zjarre: fillimisht në Sojnik, të hënën, më pas në Kullollas të martën, që u përhap në disa fshatra, dhe tani në Kodovjat.

Dëmet janë të mëdha: qindra hektarë pyje dhe kullota të djegura, katër fshatra të dëmtuar rëndë dhe dhjetëra familje të shpërngulura. Në Nartë, frika se flakët mund të rikthehen është ende e pranishme, edhe pse banorët janë përkohësisht jashtë rrezikut.

Më e rëndë situata shfaqet në njësinë administrative Skëndërbegas, ku 4 fshatra kanë pësuar dëme të konsiderueshme dhe sipërfaqja e djegur llogaritet me qindra hektarë pyje dhe kullota.