Pretendimi: Platforma e investimit QuantAI është lançuar nga Elon Musk në Gjermani duke alarmuar sistemin bankar gjerman.
Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi
—————————————————————————-
Një artikull i botuar më 17 qershor në portalin Patriotik Media pretendon me superlativa se miliarderi Elon Musk ka goditur rëndë bankat gjermane duke larguar 1 miliardë euro për 24 orë nga sistemi financiar.
Artikulli tregon se si, pas përplasjeve mes miliarderit Musk dhe presidentit amerikan Donald Trump, Musk hoqi dorë nga bashkëpunimi me administratën amerikane për t’u përqëndruar plotësisht në “një projekt të ri revolucionar: QuantAI,” një platform investimi. Në 24 orët pas lançimit të QuantAI, pretendon artikulli, “mbi 1 miliard euro investime private janë derdhur në platformë – një shifër që ka alarmuar rëndë sistemin financiar gjerman.” Banka Qendrore Gjermane pretendohet të jetë në alarm, ndërsa kancelari gjerman, “i pyetur për këtë zhvillim, pritet të mbajë një deklaratë urgjente mbi këtë situatë që po përshkruhet si kërcënimi më serioz ndaj sistemit financiar gjerman që nga kriza e vitit 2008.”
Sipas artikullit, “përdoruesi i thjeshtë thjesht depoziton një shumë fillestare – zakonisht 200 euro.”
Në të vërtetë artikulli i mësipërm, i cili prezantohet si lajm, në fakt është një reklamë e fshehtë dhe e ndërlikuar për platformën QuantAI, e cila nuk ka asnjë lidhje me Musk.
E vetmja e vërtetë në artikull janë përplasjet mes Trump dhe Musk. Nga ky fakt, autori i artikullit ka tjerrë një histori relativisht të besueshme, e gjitha për të bindur njerëzit që e lexojnë të investojnë në platformë, pa e kuptuar se po mashtrohen.
Për të plotësuar sa më bindshëm artikullin e rremë, autori përdor logon e medias gjermane Tagesschau, dhe një postim të kancelarit gjerman që pretendohet se flet për QuantAI, por në fakt është modifikuar nga një postim real.
Postimi i modifikuar i kancelarit Merz dhe majtas postimi i tij i vërtetë
Një kërkim me fjalët “QuantAI musk” na dërgon në një postim në forumin Reddit nga i cili kuptojmë se ky mashtrim ka që në vitin 2023 që qarkullon në rrjet. Përdoruesi i Reddit ka postuar në forumin rreth skemave të mashtrimit duke treguar: “3 ditë më parë pashë këtë video rreth inteligjencës artificiale kuantike të shpjeguar nga Elon. Më çoi në një faqe interneti dhe kishte informacione realiste dhe të gjitha këto gjëra. Kështu që e besova pa mend dhe hyra në regjistrim dhe futa emrin tim, email-in dhe numrin e telefonit. Pak më vonë, 2 minuta më vonë, një mashtrues indian më telefonoi për të futur 250 dollarë në këmbim të kriptomonedhës. Kam pasur më shumë se 10 telefonata gjatë ditëve të fundit…”
Një zbërthim i plotë i skemës së mashtrimit me QuantAI mund të gjendet në gjuhën angleze këtu.