Në fund të vitit të kaluar, kryeministria në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës vendosën shtatoren e diktatorit Joseph Stalin në mjediset e jashtme të Vilës qeveritare 30, pas vendimit për rikonstruksionin e Galerisë së Arteve. Faktoje u interesua për arsyet e këtij vendimi të diskutueshëm, kur pak metra më larg qëndron memoriali me kolonat e burgut të Spaçit, simbol i vuajtjes nga egërsia e regjimit diktatorial. Ekspertët argumentuan përse kjo zgjedhje duket e papërshtatshme, duke sugjeruar një tjetër mënyrë për ruajtjen e veprave të artit që i bëjnë jehonë vuajtjeve 50 vjeçare të shqiptarëve. Ndërsa argumenti që kryeministria i ofroi interesimit të Faktoje mbi çështjen, ishte sa komike aq edhe indinjuese.
Jona Plumbi
Nisur nga përgjigjja që Kryeministria i ofroi interesimit të Faktoje mbi kuptimin e ekspozimit të diktatorit Joseph Stalin në ambjentet e Vilës qeveritare 30, redaksia vendosi ta trajtojë këtë rast me satirë. Por, më parë disa fakte dhe ekspertizë mbi ngjarjen:
– Dhjetor 2021, Ministria e Kulturës dhe kryeministria vendosin për ruajtjen e statujës së Stalinit në oborrin e jashtëm të Vilës qeveritare 30
– Dyqind metra larg kësaj shtatoreje gjendet instalacioni i quajtur “postbllok” ndërtuar nga dy ish të burgosur politikë, Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi, në bashkëpunim me ambasadën gjermane. Monumenti përbëhet nga kolonat e burgut famëkeq të Spaçit në periudhën regjimit komunist.
– “Procesi i menaxhimit të së kaluarës është një proces i mundimshëm, i vështirë dhe me pengesa të shumta ndaj është mirë që me shqiptarët të shkëmbejmë përvoja që padrejtësitë e së shkuarës të mos përsëriten më” – deklaronte Ambasadorja gjermane Holtkemper në përurimin e instalacionit “Postbllok”.
– Ky mundim dhe kjo vështirësi në menaxhimin e të kaluarës, për të cilën flet ambasadorja gjermane, nuk duket të ketë qënë marrë në konsideratë kur u vendos shtatorja e Stalinit në një pozicion aq “strategjik”. Ndaj Faktoje pyeti Kryeministrinë për kuptimin e kësaj përzgjedhjeje.
– Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, përgjegjëse për administrimin e ambjenteve qeveritare tha për Faktoje se “rezidencat qeveritare dhe mjediset e tyre, qofshin të brendshme apo të jashtme nuk janë mjedise publike apo të aksesueshme nga publiku.”
– Në fakt, Vila 30 është “pronë e paluajtshme shtetërore”, dhe nga aspekti juridik në legjislacionin shqiptar njihet si “pronë private”.
Pikëpamje urbanistike
– Për një përkufizim të qartë të asaj që tingëllon paradoksale “pronë shtetërore private”, Faktoje mori mendimin e një eksperti. Urbanistit Gent Kaprata shpjegoi se “një ndërtesë ose mund të jetë private ose publike. Që do të thotë se, nëse interpretojmë përgjigjen zyrtare, “…nuk është publik…”, mbetet të jetë private. Vështirë të pranohet, edhe nga individi më i pashkolluar se një ndërtesë në pronësi publike, dhe në përdorim nga qeveria, të jetë një ndërtesë private.”
– Për nga qasja ndërtimore, Kaprata shpjegon se “veçanërisht në zona urbane, çdo ndërtesë apo hapësirë ka impakt në vendin ku ndodhet dhe në këtë kuptim ka dimensionin e saj publik. Është kështu për çdo ndërtesë, pavarësisht se ajo në kuptimin pronësor mund të jetë private. Kjo është arsyeja pse edhe në Shqipëri duhet të pajisesh me leje (deklarim paraprak/ leje zhvillimi/ ndërtimi) për kryerjen e punimeve, edhe nëse këto punime janë në brendësi të objektit.”
– Në përfundim, është edhe interpretimi logjik, thekson eksperti urbanist Kaprata. “Për sa kohë fotoja që shoqëron artikullin tregon shtatoren e diktatorit komunist në oborrin e ndërtesës qeveritare, dhe kjo foto është shkrepur nga një pikë e hapsirës publike, atëherë vetë fotografia është prova që vërteton se në kundërshtim me përgjigjen e Kryeministrisë, në fakt, shtatorja e diktatorit është e aksesueshme nga publiku.”
Pikëpamje historike
“Historia e kësaj shtatoreje duhet treguar” – tha për Faktoje studiuesja e historisë, Nevila Nika. “Asnjë vepër arti nuk duhet shkatërruar, pasi është pjesë e së shkuarës. Por si e tillë duhet të ketë kuptim vendi ku ekspozohet.” – përfundoi ajo.
– Fillimisht statuja është vendosur nga Enver Hoxha në Sheshin Skënderbej.
– Më pas ajo është zhvendosur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, pranë Galerisë së Arteve, ku ka qëndruar deri në vitin ’90 kur ky bust u rrëzua bashkë me atë të Leninit.
– Nga viti 1990, statuja e Stalinit është ruajtur në ambjentet e pasme të Galerisë së Arteve.
Shtatorja e Stalinit dhe e Leninit mund të ekspozohen tek muzeu “Shtëpia e Gjetheve” në oborrin e pasëm – sugjeron historiania Nevila Nika. “Aty ku flitet për diktaturën, mund të vendoset edhe shtatorja e një diktatori të egër”. – shpjegon ajo.
Pyetësor online
Nisur nga debati që mund të ngjallë ky rast, Faktoje pyeti ndjekësit e saj në rrjete sociale nëse e shohin të përshtatshëm ekspozimin e shtatores së Stalinit në Vilën qeveritare nr.30, shumë pranë memorialit të burgut të Spaçit.
Rezultati tregon se 92% e atyre që u përgjigjën, nuk janë dakord me vendin e përzgjedhur për ta mbajtur.
Reflektim Satirik
Pasi votuan bashkë ndryshimin e ligjit për të hapur dosjen e çdo deputeti përpara se të marrë detyrën, ligjvënësit e mazhorancës dhe opozitës dolën nga dera e hekurt anësore e Kryesisë së Kuvendit, krenarë për dakordësinë e arritur për përmirësimin ligjor dhe moral të një shoqërie e cila ende i vuan rëndë pasojat e komunizmit.
Por, siç ndodh shpesh me rastet kur çështje shumë të rëndësishme bëhen viktima të të bërit politikë, fati nuk e deshi që kjo “fitore për qytetarët”, të mos shoqërohej nga një ironi e zezë pis.
Njëzetë hapa më tutje, në veri të derës së Kuvendit, kjo krekosje e përbashkët, i ra në sy edhe dikujt tjetër. Nga hija e shelgut, me dorën e djathtë nën tunikë, i hekurt, po i vëzhgonte nën beretë comrade Stalin, “dora vetë”. Pasi priti që t’i afroheshin portës së Vilës 30, kur deputetët mend po bëheshin gati të largoheshin, qesëndisi nën mustak “bah, shih si hiqen sikur s’më shohin. Ata e dinë shumë mirë që unë jam këtu. Vetë më lanë këtu, sa të përfundojë meremetimi i Galerisë së Arteve.”
Ffffshhiiuuu … kumboi rruga fund e krye.
Fërshëllima, edhe pse e shkurtër, ishte aq shpuese sa deputetët nuk mund të hiqeshin kinse nuk e dëgjuan. Disa nga hutimi, pa kuptuar se kush i thirri, ndërsa të tjerët, ata që e dinin shumë mirë kush ishte, nga shtysa e fortë që shkaktojnë tipa autoritarë si Soso, kthyen kryet.
– Puna e mbarë! – thirrën ata.
– Mbarë paçi – ua ktheu Stalini nën zë. Çka ndodhur kështu. Si erdhi puna që u bëtë bashkë? U bëra gjashtë muaj këtu, por kurrë s’ju kisha parë kështu.
Kush prej tyre nuk arrinte ta shihte ironinë, u përgjigj.
– Po ja, nuk na ndodh shpesh të bëhemi në një mendje kur votojmë ligjet. Sot i bëjmë 94 vota nga 98 që ishim të pranishëm.
– Po mirë, ç’të mirë na sollët? – pyeti Stalini.
Aty pllakosi heshtja.
Si t’ja thonin shokut Stalin, që kush e deshi për 50 vjet, kush e mbrojti dhe e ngriti lart peshë, sot nuk do lejohet të veshë më kostumin e deputetit. Si t’i shpjegonin se demokratët kërkuan edhe heqjen nga transmetimi të filmave artistikë të kohës së komunizmit, ku shfaqet propaganda komuniste?
Pas një qetësie aspak të rehatshme, dikush u hodh e tha:
Po ja vendosëm një plan 5 vjeçar për të arritur dekomunistizimin edhe në Shqipëri.
Ah, bukur shumë, – tha Stalini – dmth rri këtu unë edhe nja 10 vjet të tjera!
Teksa po largoheshin, kur arritën semaforin e Kryeministrisë, deputetët kthyen edhe njëherë kokën nga Vila 30. Përtej shtyllave të burgut të Spaçit, ekspozuar në lulishten pranë Vilës 30, dukej nga larg shoku Stalin që i shoqëronte me sy.
Njëri prej tyre pyeti:
– Po ne, si e menduam kur vendosëm ta çonim Stalinin te Vila 30-të se s’po më kujtohet fare kjo punë? – tha X-ja – Rikonstruksioni i Galerisë do të paktën edhe 2 vjet të tjera të mbarojë o burrë!
– Po çke dhe ti, – tha Ypsiloni – në fund të fundit, ai ambjent privat është, ç’punë kanë njerëzit që shohin andej!