.

.

BallinaNë lupën e FakteveSi po e shkatërrojnë ekosistemin krimet “e heshtura” mjedisore në Shqipëri

Si po e shkatërrojnë ekosistemin krimet “e heshtura” mjedisore në Shqipëri

Ina Allkanjari

Pyjet, bregdeti, deri te speciet e rralla në Shqipëri, po shkatërrohen në mënyrë sistematike dhe në heshtje, duke shkaktuar një dëm të madh në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve. Shteti shqiptar ende nuk po tregon seriozitet dhe përgjegjshmëri në ndaljen e kësaj masakre mjedisore, të nisur prej më shumë se 3 dekadash. Ekspertët kërkojnë forcimin e ligjeve dhe zbatimin e masave më efikase ndëshkimore, por të dhënat e prokurorisë për krimet mjedisore tregojnë një numër të ulët procedimesh penale të regjistruara mbi krimet mjedisore.

Në 20 vitet e fundit sipas ‘Global Forest Watch’, një shërbim monitorimi të pyjeve me qendër në SHBA, Shqipëria humbi 41 800 hektar mbulesë pemësh, ekuivalente me një rënie prej 6.5% të mbulesës së pemëve që nga viti 2000. Humbja më e madhe e sipërfaqeve pyjore rezulton të jetë në Shkodër, Korçë, dhe Dibër.

Edhe pse dëmi është katastrofik, në raportin vjetor të vitit 2021 të Prokurorisë së Përgjithshme krimet mjedisore renditen në vendin e 16-të për nga numi i çështjeve hetimore me këtë objekt. Sipas të dhënave zyrtare, për vitin 2021 janë regjistruar vetëm 314 procedime penale si krime mjedisore me 65 të akuzuar që janë dënuar.

Eksperti i mjedisit Olsi Nika tregon për Faktoje:

“Është e vështirë të gjendet statistika mbi të dhënat krahasimore mes dëmtuesve të ndryshëm të pyjeve, pasi flasim për prerje të paligjshme dhe zakonisht nuk ka statisitka për paligjshmëritë. Edhe pse në gjykimin tim ka shumë raste që edhe pse të ligjshme prerjet e bëra nga bashkitë, për nga mënyra sesi operojnë dhe vendi ku aplikojnë prerjet masive në fakt përbëjnë një krim, por të legjitimuar”, tregon eksperti i mjedisit.

Në shkurt të vitit 2020, zv. ministrja e brendshme Romina Kuko në konferencën shkencore ‘Krimi Mjedisor’ paralajmëroi përshkallëzimin e masave ndëshkuese për krimet mjedisore.

“Rritja e masës së ndëshkimit, mund të jetë një masë tjetër që i shërben kësaj kauze prandaj e shohim si të mundshme dhe me interes forcimin dhe përshkallëzimin e masave ndëshkuese për të gjithë autorët që kryejnë vepra penale të parashikuara si krime mjedisore”, deklaroi Kuko.

Në Kodin Penal, neni 205 thuhet se prerja e paligjshme e pyjeve apo dëmtimi, kur nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në një vit.

“Të dhënat për 9-mujorin e vitit 2020 tregojnë se janë regjistruar 129 procedime penale për prerje të paligjshme të pyjeve, ku 20 prej tyre kanë filluar proces të rregullt gjyqësor, ndërsa 80 prej tyre jo.

Prerja e pemëve pa leje, kur është kundërvajtje administrative dënohet me gjobë nga 5000 deri 10.000 lekë sipas ligjit 57/2020 “Për pyjet”, shkruan Eco Albania.

Eksperti i Mjedisit, njëkohësisht drejtues i Qëndrës për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (Eco Albania), i pyetur nga Fakotje nëse kanë kërkuar forcim te ligjit dhe rritje të ndëshkueshmërisë për krimet mjedisore tregon:

“Ne kemi qenë pjesë e tryezave të konsultimit në vitet 2019-2020 kur është ndryshuar Kodi Penal dhe ku kanë hyrë dhe janë rritur masat shtrënguese për veprat penale kundër dëmtimit të mjedisit. Por kjo nuk është nisur nga ne (EcoAlbania) por ka qenë një nisme e Prezences së OSCE në Shqipëri.

Megjithate ajo çfarë ne kemi propozuar është një studim në kuadër të një metodologjie mbi vleresimin pasuror të dëmit si pasojë e krimit mjedisor, duke marre si rast pikërisht dëmtimin nga prerja e paligjshme në pyje”, tregon eksperti i mjedisit Olsi Nika.

Në studimin e realizuar nga Eco Albania mbi Vlerësimin Pasuror të Krimeve Mjedisore në Shqipëri theksohet se individët dhe kompanitë zakonisht i kryejnë krimet kundër mjedisit për përfitime ekonomike dhe marzhi i fitimit varion nga vetëm disa euro në miliona euro.

“Çfarë e bën krimin mjedisor aq fitimprurës është fakti që vetëm disa keqbërës janë kapur në të vërtetë dhe madje edhe më pak janë dënuar përfundimisht.25 Dënimet që jepen shpesh janë të lehta. Gjobat janë të papërfillshme në krahasim me fitimet dhe pak organizatorë të veprës penale dënohen me burg. Duke pasur parasysh shkallën e dëmit që mund të shkaktojë krimi mjedisor në njerëz, kafshë dhe bimë, përpjekjet për zbatimin e ligjit dhe dënimet shpesh duken jo të përshtatshme duke dështuar të pengojnë shkelësit potencialë”, theksohet në studim.

Raportet vjetore të prokurorisë

Faktoje analizoi raportet vjetore të Prokurorisë së Përgjithshme 2021 dhe 2020 mbi gjendjen e kriminalitetit sa i përket krimeve mjedisore.

Nga 331 procedime të regjistruara në vitin 2020, në 2021 janë regjistruar në total 314 procedime për vepra penale kundër mjedisit.

Ndërkohë raporti që zënë veprat penale kundër mjedisit në numrin e përgjithshëm të procedimeve të regjistruara në prokurori për vitin 2021, është 1,11 %; Duke i renditur krimet mjedisore në vendin e 16 në raportin vjetor të kriminalitetit në Shqipëri.

Në 2021 numri i procedimeve që ka shkuar në gjykatë është 89 nga 314, ndërsa në vitin 2020 nga 331 procedime rezultojnë 70 të dërguara në gjykatë.

Tabelë e krijuar nga Faktoje mbi veprat penale kundër mjedisit për periudhën 2020-2021 në Shqipëri, bazuar në Raportin e Prokurorisë së Përgjithshme për gjendjen e kriminalitetit në vend

Të dënuarit për krime mjedisore

Krimet mjedisore janë shoqëruar me një numër të ulët ndëshkueshmërie për vitin 2021 ndonëse kjo shifër është më e lartë se një vit më parë. Konkretisht nga 314 procedime penale të regjistruara, vetëm 65 të akuzuar janë dënuar me vendim gjykate për vitin 2021. Ndërkohë në vitin 2020 nga 331 procedime penale janë dënuar me vendim gjykate vetëm 47 të akuzuar.

Krimet mjedisore më të shpeshta në Shqipëri

Në analizën e realizuar nga Faktoje mbi raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme për gjendjen e kriminalitetit në vend, evidentuam se peshën më të lartë të krimeve mjedisore e zene prerja e paligjshme të pyejeve, konkretisht 47,13 %, e procedimeve të regjistruara në organet kompentente.

Konkretisht në vitin 2021 janë regjistruar 148 procedime penale për prerje të paligjshme të pyjeve.

Nga të dhënat statistikore vihet re një ulje e procedimeve të regjistruara për këtë vepër penale, në krahasim me vitin 2020 e cila u raportua 55.89%, ose ndryshe 185 procedime.

Pylli i Rrajcës në Parkun Shebenik – Jabllanicë

Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania) në një publikim në faqen zyrtare në muajin shtator të vitit 2021, shkruan rreth vështirësive të hasura për të ruajtur pyllin e Rrajcës në Parkun Shebenik – Jabllanicë nga prerja e paligjshme e pyjeve.

Ligji nr. 5/2016 “Për shpalljen e moratoriumit të pyjeve në Republikën e Shqipërisë” ka si objekt ndalimin e veprimtarisë shfrytëzuese të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat për një periudhë 10-vjeçare si dhe ndalimin e tregtimit të produkteve drusore. Megjithatë, në praktikë ky ligj has vështirësi në realizim”, shkruan EcoAlbania.

Xhek Nezha, specialist menaxhimi në AdZM-në Elbasan tregon për Eco Albania se gjatë viteve 2019-2020, ka plotësuar vetë plot 17 proces-verbale për prerje të paligjshme të pyjeve në Rrajcë, zonën e përdorimit tradicionale të parkut, që më pas tregtohen në zonat përreth.

“Jemi organizuar nga drejtoria po nuk kemi ecur në rrugën kryesore që të çon në zonën ku priten drunjtë. Arsyeja është pikasja, se janë të organizuar në mënyrë të atillë që mjetet e mia, qoftë mjeti privat por edhe mjeti i kolegut tim që është banor në Përrenjas, i dinë të gjitha lëvizjet se ku shkojmë ose mjetet tona”, kujton ai.

Specialisti Xhek Nezha shprehet më tej për Eco Albania se shpesh duhet të manovrojnë dhe të gjejnë metodika të reja në mënyrë që t’i kapin në flagrancë prerësit e pyjeve, pasi edhe ata marrin sinjalizimet e tyre se punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura kanë dalë në terren.

Në rastet kur ata kapin autorë duke prerë pyje, situata vijon kështu; kryhen materiale filmike me video dhe foto, plotësohet proces-verbali dhe më pas çështja delegohet te Policia e Shtetit.

Prokuroria është hallka e fundit që merr vendim rreth çështjes në fjalë përpara se të dërgojë shkelësit e ligjit përpara drejtësisë. Pavarësisht konstatimeve dhe referimit te Policia e Shtetit, Xhek Nezha pohon se rastet kanë qenë vazhdimisht të përsëritura nga persona të njëjtë.

“Po të ishte në dorën tonë, një proces-verbal konstatimi dhe gjobitje në vend do të ishte më e prekshme për autorin”, – tregon ai.

Ndotja e ajrit, e ujrave dhe e tokës si dhe dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore janë disa prej krimeve të tjera mjedisore të cilat zejnë një peshë më të vogël në krahasim me prerjen e paligjshme të pyjeve.

Eksperti i mjedisit Olsi Nika deklaron për Faktoje se: “Edhe pse në raportet e Prokurorisë së Përgjithshme vepra penale “prerje e paligjshme e pyjeve” është ajo që dominon grupin e krimeve kundër mjedisit dhe vepra të tjera si ndotja e ajrit, ujerve dhe dëmtimi i habitateve e specieve të rralla janë shumë pak të raportuara ose mungojnë. Në fakt kjo nuk përputhet gjithnjë me situatën faktike. Veprat më sipër janë gjithashtu shumë frekuente në realitet por ka disa arsye pse ato nuk përfshihen nëpër raporte.

Në ndryshim nga prerja e pyjeve që le pasoja të dukshme në mjedis dhe që kërkon kohë dhe perfshirje në punë fizike me mjete dhe njerëz, e për rrjedhoje është më lehtësisht e evidentueshme, veprat e tjera kanë pasoja më difuze, të pamatshme në momentin që kryhen dhe kur kjo kombinohet me aftësinë e limituar të OPGJ-ve për t’i administruar siç duhet provat, krime të tilla përfundojnë të mos raportohen fare”.

Menaxhimi dhe transportimi i mbetjeve të rrezikshme

Menaxhimi dhe transportimi i mbetjeve dhe mbeturinave toksike është një ndër krimet mjedisore me impakt në vendin tonë, ndonëse Shqipëria nuk ka kapacitet të trajtojë asnjë mbetje të rrezikshme në vend.

Përgjatë vitit 2020 dhe 2021 sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme janë regjistruar në total vetëm 21 raste dhe 2 prej tyre janë dërguar për procedim në gjykatë.

Një prej tyre është regjistruar në 20 shkurt të vitit 2020, ku policia e Vlorës ndaloi një traget me mbetje të rrezikshme që vinte nga Italia dhe dyshohej se do të groposeshin në qytetin bregdetar.

Faktoje disponon dosjen e prokurorisë së Vlorës në të cilën tregohen detaje nga hetimi i realizuar, të dhëna mbi mbetjet e rrezikshme si dhe procedimet.

“Në datë 20.02.2022, rreth orës 09:00, nga ana e sallës operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, është marrë njoftim se në Portin Detar Vlorë, në hambarin e tragetit të linjës Brindizi-Vlorë me emrin “St. Damian”, ishte konstatuar një sasi e papërcaktuar mbetjesh, të dyshuara të rrezikshme të llojit “Amiant”… Nga verifikimet paraprake, është konstatuar një sasi e konsiderueshme mbetjesh të përziera dhe të padeklaruara. Nga inspektimi vizual dyshohej se një pjesë e këtyre mbetjeve (në pamje të parë si sfungjer apo mbetje filtrash industrial), janë të rrezikshme (të dyshuara me përmbajtje radioaktiviteti, toksiciteti apo me përmbajtje amiant dhe kancerogjene)”, thuhet ndër të tjera në dosjen e prokurorisë.

Screenshot pjesë nga dosja e prokurorisë së Vlorës, mbetjet që kanë qenë të ngarkuara në target

Në dosjen e prokurorisë theksohet se sasia e mbetjeve të gjendura në traget ka qenë gjithsej 15m3.

Screenshot pjesë nga dosja e prokurorisë së Vlorës, sasia e mbetjeve të gjendura në traget

“Në rastin konkret, nisur nga mënyra e transportimit të tyre, faktin që nuk kanë qenë të ambalazhuara sipas kërkesave të akteve ligjore dhe nënligjore, faktin që pika e grumbullimit e shtetasit Zamir Kormuzi nuk ka qenë e licensuar jo vetëm për asgjesimin e tyre por edhe për grumbullimin e këtyre lloj mbetjeve (të rrezikshme), arrihet në konkluzionin se grumbullimi dhe më tej asgjesimi I këtyre mbetjeve në kundërshtim me kërkesat e legjislacionit në fuqi në fushën e menaxhimit të mbetjeve në vendin tonë, këto mbetje përbënin rrezik për cilësinë e ajrit, cilësinë e tokës ose të ujit, në kafshë ose në bimë, sipas parashikimeve të anës objective të figurës së veprës penale të parashikuar nga neni 201/a i Kodit Penal”, thuhet në dosje.

Duke qenë se Shqipëria nuk ka kapacitet të trajtojë asnjë mbetje të rrezikshme në vend, trajtimi i tyre bëhet në vendet që i plotësojnë këto kapacitete dhe transportimi realizohet duke respektuar në mënyrë strikte traktatet ndërkombëtare. Në këtë mënyrë trageti në fjalë së bashku me mbetjet e ngarkuara, kanë udhëtuar për në Kroaci, ku konkretisht është ankoruar në portin e Mali Losinj. Sipas dosjes së prokurorisë rezulton se në këtë port trageti është ankoruar dhe konform procedurave të ndjekura nga shteti kroat, ka shkarkuar të gjitha mbetjet që ndodheshin në target.

Gjatë këtij operacioni prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, ka dërguar për gjykim të çështjes 5 të pandehur nën akuzat “Transportimit i mbetjeve” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”.

Në kuadër të mbetjeve të rrezikshme eksperti i mjedisit shprehet se duhet të kemi një monitorim më të rreptë nga autoritetet ligjzbatuese për të parandaluar krime të tilla.

“Në këtë rast duhet një përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe monitorim më i rreptë nga autoritetet ligjzbatuese të vendit për të parandaluar krimet mjedisore por edhe për të administruar në mënyrën e duhur provat nëse ky krim ndodh”, tregon eksperti i mjedisit.

Sa efikas është Komisariati Dixhital?

Denoncimi i krimeve mjedisore

Për të parandaluar dhe denoncuar krimet mjedisore, në shtator të vitit 2021, në aplikacionin e “Komisariatit Dixhital” u shtua një rubrike e re për të denoncuar lloje të ndryshme të krimeve mjedisore. Kategoritë e vendosura në aplikacion konsistojnë në krime mjedisore për: Ndotje uji; Ndotje e tokës; Vend depozitim mbetjesh i paligjshëm; Ndotje me inerte; Ndotje akustike.

Screenshot, aplikacioni Komisariati Dixhital kategoria Krimi Mjedisor

Në janar të vitit 2022 Faktoje ju drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Brendshme për mësuar se sa efikas ka qenë ky inovacion dhe se si do të ndikojë në përmirësimin e mjedisit.

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Brendshme datë 25.01.2022

Në përgjigjen e ardhur në 23 shkurt nga Ministria e Brendshme thuhet se në harkun kohor shtator 2021, deri në 11 Janar 2022, janë bërë 568 raportime në Komisariatin Dixhital për krime mjedisore, nga të cilat 134 raportime janë zgjidhur. Ministria e Brendshme në përgjigjet e saj nuk jep detaje mbi efikasitetin e këtij aplikacioni dhe ndikimin që ka në përmirësimin e mjedisit.

Screenshot, përgjigja e Ministrisë së Brendshme datë 23.02.2022

Që nga viti 2015, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka ndihmuar autoritetet vendase të kuptojnë më mirë krimet mjedisore, ka mbështetur krijimin e kapaciteteve të autoriteteve të krijuara në bazë të ligjit dhe jo vetëm, si dhe zhvillimin e mjeteve teknike dhe ndërgjegjësuese për parandalimin, luftimin dhe ndjekjen ligjore të këtyre krimeve.

Grupi Ndërinstitucional kundër Krimit Mjedisor, ku marrin pjesë 11 institucione, u krijua në vitin 2015, me mbështetjen e Prezencës. Po ashtu, Prezenca dha kontribut në ndryshimet e Kodit Penal për krimin mjedisor, rriti ndërgjegjësimin dhe të kuptuarit e çështjeve të krimit mjedisor, si edhe kapacitetet e autoriteteve të Shqipërisë për t’i trajtuar ato.

Gjithashtu vendi ynë, në kuadër të përmbushjes së detyrimeve për transpozimin e direktivave për përgjegjshmërinë mjedisore, në ligjin numër 44/2019 reflektoi disa shtesa dhe ndryshme, ndër to edhe nenet nga 201 në 207.

Por në një raport të publikuar nga Komisioni Europian në tetor të vitit 2021 theksohet se: “Zbatimi i ligjit për ndryshimin e Kodit Penal 2019 dhe transpozimi plotësisht i Direktivës për mbrojtjen e mjedisit përmes ligjit penal duhet përmirësuar, pasi vetëm një pjesë e vogël e këtyre krimeve të raportuara çojnë në dënime”.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img