Si duhet parë nisma e Berishës për dy gjinitë?!

Mediat vendase u fokusuan tek propozimi mbi gjininë, duke vënë në dukje lidhjen midis Berishës dhe Trumpit

53
Ne foto: Kryetari i PD, Sali Berisha

Nga Barbara Halla Në një fjalim me datë 29 janar, Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se do të paraqesë në parlament një ligj për të ndryshuar Kushtetutën shqiptare ku do të njihen vetëm dy gjini: mashkull dhe femër.

Fjalimi i Berishës vjen pas një vendimi ekzekutiv nga ana e Presidentit Donald Trump i cili përcakton se seksi i një personi përcaktohet në momentin e ngjizjes dhe ekzistojnë vetëm dy sekse. Berisha po ashtu përmendi debatin e Prindit 1 dhe Prindit 2.

Fjalimi i Berishës u shpërnda me shpejtësi nga mediat shqiptare. Edhe përse ky fjalim përmbante disa tematike kyçe, mediat vendase u fokusuan tek propozimi mbi gjininë, duke vënë në dukje lidhjen midis Berishës dhe Trumpit.

Në fjalim Berisha tha se, “Ne kemi përgatitur një ligj në kuadrin e desorosizimit që dorëzojmë sot, me të cilin sanksionojmë se Republika e Shqipërisë njeh dy gjini, ato që i ka bërë Zoti, mashkull dhe femër”

Berisha i referohet zotit, edhe përse Shqipëria është vend laik ku respektohen besimet fetare, po ato trajtohen si veçmas interesave të shtetit (siç mund të vihet re nga Neni 10, pika 4 e Kushtetutës së Shqipërisë).

Një ligj i tillë shkon për ndesh me ligjin për mbrojtjen kundër diskriminimit, i cili nuk lejon diskriminimin sipas “gjinisë, identitetin gjinor, orientimin seksual, karakteristikat e seksit”  

Duke i vënë fokusin tek çështja e gjinive, Berisha është fokusuar tek një situatë që nuk përbën rrezik në asnjë formë për shoqërinë shqiptare. Diskutimet mbi atë që njihet si qënurit agjinor apo një person, që nuk i përket gjinisë mashkull apo femër (ajo që në anglisht njihet si të qenurit “non-binary”) është një diskutim që një Shqipëri ndodh në hapësira shumë të vogla mes të rinjsh.

Por nëse narrativa e Berishës ekzagjeron një realitet margjinal të shoqërisë shqiptare, ai gjithashtu përfshin në debate grupe të ndryshme të margjinalizuara.

Siç e kanë treguar studime të ndryshme, përpjekjet për të përcaktuar një mënyrë të padiskutueshme kufijtë biologjikë të gjinive krijon stigma të ndryshme për ata që nuk i përmbushen kritereve të ngurta. Pra gra që shihen si shumë mashkullore, ose burra që kanë tipare të ashtu-quajtura femërore margjinalizohen nga shoqëria dhe bien pre e dhunës.

Së dyti, Berisha ka përdorur termin “desorosizim” duke ju referuar këtu biznesmenit amerikan Xhorxh Soros, shoqata e të cilit vepron prej disa dekadash në Shqipëri. Sulmi ndaj Sorosit dhe shoqatës së tij është po ashtu një temë që Berisha e ka pasur si shënjestër prej vitesh, duke shpërndarë shpesh lajme dizinformuese mbi të.

Përgjatë fjalimit, Berisha përdori termin “agjenda uoke” duke ju referuar termit “ëoke” i cili është përdorur në debate të shumta politike në SHBA dhe më tej. Këtu bëhet fjalë për përpjekje nga e djathta ekstreme globale për të hedhur poshtë ligje dhe lëvizje politike të cilat përkrahin ligje për të drejtat e minoriteteve, qoftë nga pikëpamja e racës dhe etnisë, por edhe gjinisë. Në përgjithësi, Xhorxh Soros (i cili ka origjine hebre) ka qenë në qendër të teorive të shumta konspirative sipas të cilave po përpiqet të kontrollojë qeveritë e vendeve të ndryshme përmes organizatës së tij, Fondacioni Soros.

Këto narrativa, përtej lidhjes me politikat e presidentit Trump, janë pjesë edhe e fushatës që Rusia, nën kontrollin e Putin, ka shpërndarë për të vendosur sidomos vendet e Ballkanit kundër Bashkimit Evropian.

Në të shkuarën Rusia ka shpërndarë në vende si Bullgaria, Ukraina, apo edhe Hungaria, narrativa dizinformuese sipas të cilave lëvizjet pro LGBT, apo dhe lëvizjet feministe, nuk përputhen me vlerat tradicionale të vendeve të Europës Lindore. Këto lloj narrativash ulin besimin ndaj BE-së, e cila shpesh i kërkon vendeve anëtare të përshtasin ligjet e tyre kundër diskriminimit, me ligjet e Bashkimit. Duke i përsëritur këto tema, edhe nëse ato nuk janë të ndikuara nga Rusia drejt për drejt, vihen në rrezik jo vetëm grupe të margjinalizuara duke hequr vëmendjen nga çështje jetike në vend, por edhe biem pre e manipulimit të dizinformatave keqdashëse.