.

.

BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingSi devijoi premtimi për libra të rinj falas për arsimin bazë

Si devijoi premtimi për libra të rinj falas për arsimin bazë

Nxënësit e arsimit bazë do t’i rikthehen mësimit me libra të përdorur, edhe pse në programin qeverisës 2021-2025 parashikohet pajisja me libra të rinj falas. Këtë e konfirmojnë prindër të nxënësve në disa shkolla 9-vjeçare të Tiranës, dhe vetë DPAP. Vitin e kaluar, që përkoi me zgjedhjet e përgjithshme, qeveria u tregua dorëlëshuar duke shpërndarë libra falas për nxënësit deri në klasën e 9. Mirëpo sipas përgjigjes zyrtare nga DPAP për Faktoje, librat që shpërndahen falas për nxënësit e arsimit bazë do të ripërdoren deri në tre vite, në varësi të gjendjes së teksteve, duke devijuar kështu nga VKM e vitit 2019 që përcakton se nxënësit nga klasa e 1-5 duhet të kenë në përdorim tekste të reja.

————————————————————————————————–

Një Vendim i Këshillit të Ministrave që mban datën 31 korrik 2019 përcakton se nxënësit nga klasa e parë në të pestë do të marrin libra të rinj falas.

“Institucionet arsimore publike, si dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar, brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të teksteve për përdorim falas dhe të reja, nga klasa e parë deri në klasën e pestë”, përcaktohet në VKM.

Screenshot nga VKM

Në lidhje me këtë çështje, në gusht të vitit 2021, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi deklaroi se librat për nxënësit nga klasa 1-3 do të jenë njëpërdorimësh.

“Ndërkohë nga viti tjetër, deri në klasën e tretë duke qenë se ka shënime në libra ne do ta bëjmë që të jenë një përdorimësh”, theksonte ministrja Kushi.

Faktoje raportoi në shkurt se këtë vit shkollor, Ministria e Arsimit dhe Sportit kishte përfshirë në skemën e librave falas edhe nxënësit e klasave të 8-ta dhe të 9-ta. Ndryshe nga një vit më parë, edhe nxënësit e klasave 1-7 përfituan libra të rinj falas, jo si vitet e mëparshme kur atyre u jepeshin libra të përdorur. Madje dhënia e librave falas për arsimin bazë përfshihet edhe në programin qeverisës së PS 2021-2025.

Screenshot nga program qeverisës 2021-2025 për Arsimin

Por, çfarë ndodhi me shpërndarjen e librave të rinj falas këtë vit? Nxënës dhe prindër të disa shkollave në Tiranë i thanë Faktoje se ndryshe nga një vit më parë kanë marrë libra të përdorur dhe se ato u janë shpërndarë ditët e fundit të mbylljes së vitit të ri shkollor.

Librat që kanë marrë për përdorim nxënësit për vitin shkollor 2022-2023

“Unë futem në klasën e katërt këtë vit dhe librat që mora janë të përdorur. Janë të shkruara dhe më duhet t’i fshij. Ndërsa fletoret e punës nuk ishin, na thanë që duhet t’i blejmë. Edhe librat do i blej të rinj, sepse nuk ia vlen që t’i fshij të gjitha një nga një. Vjet librat i morëm të rinj, të paketuar dhe me të gjtha fletoret e punës”, thotë një nxënëse e një prej shkollave në kryeqytet.

Librat që kanë marrë për përdorim nxënësit për vitin shkollor 2022-2023

Një nxënëse e klasës së nëntë pohon: “Librat i morëm falas, por ishin të përdorura. Vjet i kisha të reja”.

Librat që kanë marrë për përdorim nxënësit për vitin shkollor 2022-2023

Për të mësuar se për se sivjet po shpërndahen libra të përdorur për nxënësit, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar.

Kërkesa për informacion dërguar DPAP, 14 qershor 2022 

Në përgjigjen zyrtare DPAP sqaron se librat që shpërndahen falas janë për përdorim deri në 3 vite dhe më pas hiqen nga qarkullimi, duke u zëvendësuar me libra të rinj. Ndërsa theksohet se klasat e para i marrin çdo vit librat të rinj.

“Në zbatim të pikës 2, Kreu I, ‘Dispozita të Përgjithshme’ të Udhëzimit nr. 21, datë 13.08.2020 ‘Për përcaktimin e procedurave për administrimin e teksteve shkollore ne përdorim falas në arsimin parauniversitar”, ku citohet: Tekstet shkollore, të cilat janë pronë e institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, të përdoren për një periudhë kohore deri në tri vite shkollore, ju informojmë se:

Në vitin shkollor 2021-2022 tekstet shkollore të klasës së II, III, IV, VIII, IX janë në vitin e parë të përdorimit falas. Për vitin shkollor 2022-2023 do të jetë viti i dytë i përdorimit të këtyre librave.

Tekstet shkollore të klasës VI dhe VII cilat u janë shpërndarë nxënësve këtë vit, pjesërisht janë në vitin e dytë të përdorimit falas dhe për vitin shkollor 2022-2023 do të jenë viti i tretë i përdorimit falas (nëse vlerësohen si të tillë).

Për klasën e V pjesa e teksteve të përdorura nga vitet e kaluara janë në vitin e tretë të përdorimit dhe për vitin shkollor 2022-2023 do të jenë të reja, pra do të jetë viti i parë i përdorimit falas. Tekstet shkollore të klasës i, jepen çdo vit falas”, thekson Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar.

Më tej DPAP shton se mësuesit dhe drejtoritë e shkollave monitorojnë gjendjen e teksteve shkollore, duke sqaruar se vetëm një përqindje e vogël e librave ripërdoren nga vitet e kaluara.

“Theksojmë se shumica e teksteve që përdorin nxënësit në arsimin bazë është tërësisht e re dhe vetëm një përqindje e vogël ripërdoret nga vitet e kaluara.

Ky proces menaxhohet nga mësuesit dhe drejtoritë e shkollave të cilat në përfundim të vitit mësimor vëzhgojnë gjendjen e librave që dorëzojnë nxënësit dhe nëse vlerësohet se janë në kushtet për t’u përdorur, planifikohen për t’u shpërndarë në vitin pasardhës.

Shkollat kujdesen që secili nxënës në paketën e librave që do të marrë falas në përdorim të ketë një alternim të drejtë midis librave të rinj dhe të përdorur nga viti paraardhës”, njofton zyrtarisht DPAP.

Pavarësisht nismës së qeverisë për të shpërndarë librat falas për arsimin bazë, që në vitin e dytë qeverisës rezulton një premtim i pambajtur, ekspertët kanë ngritur shqetësimin në lidhje me cilësinë në përmbajtje të këtyre teksteve. Ata shprehen se librat jo vetëm që janë të përkthyera keq, por janë edhe me gabime kuptimore, duke krijuar probleme si për nxënësit, ashtu edhe për vetë mësuesit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img