.

.

BallinaPertejSi bullizimi për moshën dhe gjininë përpiqet të zmbrapsë gratë e guximshme

Si bullizimi për moshën dhe gjininë përpiqet të zmbrapsë gratë e guximshme

Vijimi i studimeve në moshë madhore bëhet shkak bullizimi, sidomos ndaj grave. Studimet tregojnë se një përqindije e lartë, pëfshirë edhe gra, mendojnë se puna, edukimi, bizneset dhe postet drejtuese janë për burrat. Njihuni me historinë e Fatmës, 37 vjeçaren që vijon studimet për gazetari dhe klimën aspak të lehtë, që e ka ndjekur prej viteve të gjimnazit për shkak të bullizimit. 

Juliana Zguro

Fatma Banka është studente gazetarie, por ajo ndihet ndryshe për shkak të diferencës në moshë me studentët e tjerë. Në fakt, janë njerëzit që e rrethojnë ata që ia vënë në dukje si anormalitet faktin që është 37 vjeç dhe ‘ende në bankat e shkollës’. E njëjta klimë refuzuese dhe bullizuese e ka ndjekur Fatmën edhe gjatë viteve të gjimnazit në Elbasan, qytetin ku është rritur.

Situatat, siç tregon ajo, krijoheshin nga persona të ndryshëm, pa dallim moshe dhe fyerjet ndodhnin madje edhe në prani të stafit pedagogjik. “U bërë ti 35 vjeçe për shkollë!”, ka qenë një nga ofendimet më të shpeshta që merrte.

“Injorancën, sharjet nuk i devijoja dot me indiferencë, por, aty në moment, ua ktheja me të njëjtën monedhë!”. E di, jam e drejtpërdrejtë dhe kjo nuk më ka ndihmuar, por nuk mundesha dhe nuk mund të veproj ndryshe!”, – shprehet ajo.

Ato që nisën si ofendime sporadike, morën forma edhe më të rënda deri në sulm fizik. Fatma tregon se një ditë, teksa debatonte me një 45- vjeçar, pjesë e stafit të shkollës, u godit prej këtij të fundit me një ngrohëse elektrike, por, për fat, shpëtoi pa u dëmtuar. Fatma e frikësuar dëgjonte ulërimat në korridoret e shkollës dhe fyerjet nga agresori: “E çmendur, ajo është e çmendur!”.

“Ne njiheshim, ishim komshinj tek gjyshja dhe ishim nga i njëjti vend. Ai thjesht donte të më linte pa shkollë, donte të më bënte keq.”, – tregon Fatma e cila kishte vënë në dijeni edhe drejtuesin e shkollës.

“Isha ankuar për këtë person edhe më parë, por drejtori i shkollës përpiqej të më qetësonte me fjalët: ‘Fatma, këtu në shkollë nate ka lloj-lloj tipash, duhet t’i hapim rrugë.’” 

Fatma vendosi të merrte vetë situatën në dorë, duke refuzuar të pajtohet me bullizimin dhe sulmet fizike. Ajo e denoncoi në polici personin që shkaktoi këtë situatë.

Ekspertja për çështje gjinore gjinore, Edlira Çepani, tërheq vëmendjen në lidhje me raste të tilla, duke këshilluar: “Në këto raste, nëse dhuna ndodh brenda mjediseve të institucionit, duhen njoftuar menjëherë drejtuesit e tij me shkrim dhe, nëse problematika vijon, të njoftohet zyrtarisht policia. Në rast se kjo dhunë ndodh jashtë institucionit, në një përballje individuale, atëherë duhet njoftuar menjëherë policia në mënyrë individuale.” 

Në situata të tilla, aspak të lehta, Fatma gjeti mbështetje tek poezitë që krijonte dhe publikoi librin e saj të parë, por as këto nuk e shpëtuan nga gjuha e urrejtjes. Komente të tipit “ti i ke kopjuar” ose “u bëre ti poete” vinin edhe nga gratë.

Ëndrra e Fatmës ka qenë të bëhet gazetare dhe, pavarësisht peripecive, ajo fitoi të drejtën për të studiuar në këtë degë në universitetin e Elbasanit. Por zhgënjimi nisi shumë shpejt, pasi, që në ditën e parë të universitetit, i thanë se nuk mund të vijonte studimet për Gazetari, por mund të zgjidhte mes Gjuhë-Letërsisë ose Historisë, ose në të kundërt do të humbte vitin akademik. Me dëshirën për të vazhduar pasionin e saj për degën që e donte aq shumë, këmbënguli derisa, me ndihmën e një emisioni investigativ, u regjistrua në degën e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës. 

Duke thënë gjithmonë atë që mendon me sinqeritetin që e karakterizon, Fatma shpesh has kundërshtime të cilat kthehen në debat mes saj dhe studentëve të tjerë. Debate të cilat shpesh përfundojnë me përdorimin e “argumentit” të moshës dhe se ndodhet në “vendin e gabuar, në kohën e gabuar”. 

Mirëpo, në bazë të ligjit nr.80/2015 (këtu) të drejtën për të ndjekur arsimin e lartë e ka çdo individ që përmbush kriteret, mesataren e caktuar etj. Vetë ligji nuk parashikon kufizime për moshën.

Kjo situatë bën të ngremë pyetjen: a do të reagonin studentët në të njëjtën mënyrë në rastin e një burri 37-vjeç në universitet?

Rezultatet e anketës së UN Women mbi perceptimin e roleve gjinore në shoqërinë shqiptare, tregojnë se 25-30% e personave që plotësuan anketën mendojnë se puna, edukimi, bizneset dhe drejtimi janë për burrat.

“Nuk mendoj se do të kishin reaguar në të njëjtën mënyrë po të ishte një burrë në vend të Fatmës.”, – shprehet Kejsi Leka, studente Gazetarie.

Aktivistja Edlira Çepani thekson:

“Është e papranueshme që situata të tilla të ndodhin edhe në vitin 2024. E para, e drejta e edukimit nuk ka asnjë limit moshe. E dyta, e drejta për edukim nuk ka gjini.”

Me guxim dhe vendosmëri, Fatma arriti të përballojë presionin dhe të vijojë rrugën e saj të arsimit me qëllimin që një ditë të bëhet gazetare.

Ajo ka një kërkesë për të gjithë ne: “Duhet të bëni mirë, ndihmoni njëri-tjetrin. Vetëm kështu do të rritemi dhe do të ecim përpara pa urrejtje.”

*Ky shkrim është realizuar nga Juliana Zguro, studente e vitit të dytë gazetari, si pjesë e projektit “Thuaj po dashurisë, jo gjuhës së urrjetjes”, që mbështetet nga iniciativa rajonale e Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP. 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img