Pretendimi: Një studim nga Korea e Jugut ka gjetur se vaksinat janë kontaminuar qëllimisht me nanorobotë.
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————-
Në rrjetet sociale po qarkullon lajmi se një studim që vjen nga Korea e Jugut ka konfirmuar praninë e strukturave nanoteknologjike tek vaksinat Pfizer dhe Moderna. Postimi në Facebook-un personal të ish-shefit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Edvin Prifti, është publikuar më tej edhe nga një portal shqiptar.
Studimi në fjalë mban titullin “Vetë-montimi në kohë reale i strukturave artificiale të dukshme stereomikroskopike në kampionë të inkubuar të produkteve të mRNA kryesisht nga Pfizer dhe Moderna: Një Studim Gjithëpërfshirës Afatgjatë,” dhe është botuar në korrik 2024 në botimin Revista Ndërkombëtare e Teorisë, Praktikës, dhe Hulumtimit të Vaksinave (IJVTPR).
Studimi nuk i është nënshtruar procesit të rishikimit nga kolegët (peer review), i cili është një element kyç i çdo studimi shkencor.
Më tej, dy autorët e studimit janë një gjinekologe nga Korea e Jugut dhe një profesor gjuhësie nga Japonia. Asnjëri prej tyre nuk është ekspert mikrobiologjie apo vaksinash.
Vlen të përmendet se revista IJVTPR është një revistë që doli gjatë pandemisë Covid-19 dhe që nga numri i parë ka botuar artikuj kritikë ndaj vaksinave që po zhvilloheshin kundër Covid-19. Përveç kësaj, bordi i saj editorial përbëhet nga profesionistë të letërsisë, filozofisë, gjuhësisë dhe drejtësisë, ndër të tjera, pra jo specialistë të imunologjisë.
Mungesa e ekspertizës së autorëve dhe redaktorëve mund të ketë shkaktuar difektet metodologjike të studimit.
Sipas studimit, kampionet e vëzhguara nga autorët u inkubuan për muaj deri në një vit. Studimi nuk përshkruan ndonjë masë të marrë për të parandaluar zhvillimin e baktereve apo kërpudhave gjatë kësaj kohe, si antibiotikë apo fungicid. Kjo është një procedurë standarde e rritjes së kulturave qelizore.
Struktura e mësipërme është fotografuar në një substancë të lëngshme pas në ditën e 316 të inkubimit në temperaturë dhome. Natyrisht, shpjegimi më i logjikshëm për to është se janë nano-robotë, jo kontaminim mykotik apo kristale kolesteroli, sheqeri apo kripe.
Autorët, bazuar vetëm në vëzhgimin nën stereomikroskop, dalin në përfundimin se vaksinat përmbajnë “komponentë të inxhineruar”. Duke përdorur terminologji jo shkencore, konfuzuese dhe për lexuesin me eksperiencë shkencore, autorët i referohen vaksinave si “platforma të injektueshme mRNA të modifikuar”. Si përfundim, duke mos habitur askënd, ata bëjnë thirrje për “një ndalim të menjëhershëm global” të vaksinave.
Nëse një gjinekologe dhe një gjuhëtar kanë arritur vërtet të gjejnë nano-robotë në vaksina vetëm me anën e një stereomikroskopi, atëherë rezultatet e këtij studimi duhet të jenë lehtësisht të përsëritshëm nga shkencëtarë të fushës me mjete edhe më të specializuara.
Deri atëherë, ky studim nuk mund të përdoret si provë e ekzistencës së qëllimshme të nanobotëve në vaksina.
Ekspertë të sëmundje infektive kanë shprehur skepticizëm lidhur me këtë studim.
Dr. James Lawler nga Divizioni i Sëmundjeve Infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nebraskës tha për Lead Stories se IJVTPR, ku u botua studimi “nuk është revistë e vërtetë.”
“Studimi … duhet të bëhet rast studimor se si të dallojmë dezinformimin. Përmbajtja është dërdëllitje shkencore pa bazë në biologjinë reale apo metodën shkencore. Për të qenë i sinqertë, është një dërdëllitje relativisht amatore, që një person i arsyeshëm me një arsim biologjik të nivelit të shkollës së mesme duhet të jetë në gjendje ta përgënjeshtrojë lehtësisht.
Seksionet e metodave dhe rezultateve janë të gjera, duke pasqyruar një praktikë të zakonshme në dezinformim dhe propagandë për të trullosur lexuesit me një vëllim të madh proze që tingëllon si shkencore. Por, siç e përmenda, cilësia e përgjithshme është amatore. Nuk sheh çdo ditë vizatime me ngjyra dhjami në një revistë shkencore,” tha Lawler.
Vizatimi në fjalë
Ai theksoi dhe tregues të tjerë që studimi është “propagandë e sajuar”:
“Këto përfshijnë faktin se ‘International Journal of Vaccine Theory, Practice, and Research’ nuk është një revistë e vërtetë. Një kërkim i shpejtë në databazën e Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë së ShBA konfirmon se kjo revistë nuk është e kataloguar në revistat shkencore të rishikuara nga kolegët.
Treguesi i dytë është se autorët nuk duket se kanë ndonjë ekspertizë legjitime në këtë fushë. Njëri është një gjinekologe që duket se ka klinikën e saj në Kore, gjë që vështirë se është kualifikim për të qenë ekspert në vaksina, toksikologji ose ‘nanobotë’ (çfarëdo janë ato).
Autori tjetër është një ‘profesor i gjuhësisë së aplikuar’ në Okinaëa Christian University. Përsëri, vështirë të kuptohet se si kjo i jep atij ndonjë ekspertizë të aplikueshme. Një vizitë e shpejtë në faqen e internetit të këtij universiteti konfirmon se ata nuk kanë asnjë departament në shkencat e jetës, ose ndonjë shkencë tjetër.
[…]
Struktura e eksperimentit (e përdor këtë term lehtësisht) të diskutuar në studim nuk është shkencërisht e shëndoshë dhe është sinqerisht e çuditshme.
Materialet që ata përshkruajnë se përdorën në ‘eksperimentet’ e tyre përfshijnë birrën soju (një pije e distiluar koreane), spermë dhe një karikues celulari pa tela. Nuk po gënjej.
Ndërsa kjo tingëllon si një natë e çmendur në Seoul, nuk tingëllon vërtet si shkencë e mirë. Sepse nuk është.”
Dr. William Schaffner, profesor i mjekësisë në divizionin e sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt tha se studimi “është shkruar në një mënyrë disi informale, në një revistë jo shumë të spikatur. Nëse ky do të ishte vërtet një zbulim revolucionar i vërtetuar nga të tjerë, virologë molekularë, për shembull… Unë mendoj se do të botohej në një revistë të zakonshme. Kështu që unë jam shumë skeptik.”
Ai theksoi se vendet në mbarë botën kanë sisteme të mbikëqyrjes së sigurisë së vaksinave që mbulojnë miliarda njerëz dhe do të sinjalizonin nëse diçka si “nanorobotët” po gjeheshin tek njerëzit: “Nuk ka patur asnjë shqetësim sigurie në lidhje me, po vendos thonjëza, ‘nanobotët’ në vaksina. Dhe sigurisht, Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe agjenci homologe në vende të tjera nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë se të ashtuquajturit ‘nanobotë’ gjenden ose tek njerëzit ose tek vaksinat mRNA.”
Lawler përfundoi duke thënë se “nuk ka nanobotë apo aditivë të tjerë dashakeqë dhe misterioz në vaksinat anti-Covid të miratuara nga FDA. Kontrolli i cilësisë, kriteret e dokumentacionit dhe kriteret e vlerësimit të pavarur laboratorik të FDA janë më të rreptat në botë. Vaksinat tona kundër Covid-19 kanë profile të shkëlqyera sigurie, u janë administruar miliarda njerëzve në mbarë globin dhe kanë shpëtuar dhjetëra miliona jetë. Ne duhet të festojmë arritjen e mahnitshme në shkencën amerikane që ato përfaqësojnë.”