Pretendimi: Më 1 dhjetor në Shqipëri do të vendosen në përdorim “med beds” që kurojnë sëmundjet e shkaktuara nga COVID-19 dhe se shpërndarja e tyre do të bëhet nga një “aleancë ndërgalaktike”.
Vlerësimi: e Pavërtetë
Jona Cenameri
Një postim në Facebook pretendon se më 1 dhjetor në Shqipëri do të vendosen në funksion pajisjet e quajtura “med beds”, të afta të shërojnë sëmundjet kronike që “shkaktojnë variantet e armëve biologjike të COVID-19”. Në përshkrim përmendet edhe se teknologjia “po shpërndahet nëpër botë nga aleanca ndërgalaktike”.

Fotoja e qarkulluar në Facebook është marrë nga një artikull i AMG-News.com për “med beds”, logo-ja e së cilës shfaqet në kënd të imazhit. Artikulli përshkruan funksionet e teknologjisë së “med beds”, por nuk është i mbështetur në prova shkencore apo publikime mjekësore. Faqja në vetvete rezulton të mos ketë as staf editorial, as transparencë mbi pronësinë, as referenca shkencore apo dokumente institucionale. Përmbajtja e saj përzien elemente të pseudo-shkencës, “deep state”, UFO, teknologji fantaziste dhe mjekime të paverifikuara.
Teoria e “med beds” është e njohur në hapësirat konspirative amerikane. CNN raportoi në shtator 2025 se ish-presidenti Donald Trump kishte shpërndarë një video të krijuar me inteligjencë artificiale, që e imitonte atë duke premtuar shpërndarjen e “med beds” për të gjithë amerikanët, megjithëse segmenti nuk kishte ekzistuar kurrë në realite. Videoja ishte një produkt i krijuar për të ushqyer narrativën e QAnon se qeveria amerikane posedon teknologji sekrete shëruese, të cilat po mbahen të fshehta nga “elitat globale”.
BBC ka raportuar më herët se pretendimet për teknologji të tilla lidhen me teoritë e vjetra për UFO-t dhe idenë se qeveritë kanë pajisje jashtëtokësore për të krijuar teknologji shëruese. Këto narrativa janë rishfaqur prej vitesh në forume alternative, kanale Telegram dhe faqe me natyrë konspirative. Pra, “med beds” nuk janë produkt i ndonjë zhvillimi shkencor, por i një mitologjie konspirative që bashkon elemente të pseudo-shkencës, UFO-ve dhe teknologjisë së supozuar sekrete.
Pas verifikimit të burimeve shkencore ndërkombëtare, databazave të teknologjive mjekësore, rregulloreve të FDA-së, EMA-s, raporteve të OBSH-së dhe publikimeve të qendrave kërkimore, nuk gjendet asnjë pajisje mjekësore ose teknologji e certifikuar me emrin “med beds”. Nuk ka prova klinike, dokumente teknike, protokolle, udhëzime përdorimi, studime shkencore apo institutionale.
Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka asnjë deklaratë ku të përmendet teknologjia “med beds”. OBSH në përgjithësi paralajmëron kundër “shërimeve të menjëhershme”, pajisjeve të pambështetura në prova dhe teorive konspirative që shpesh rrezikojnë shëndetin publik.
Nuk rezulton të ketë asnjë njoftim nga ndonjë institucion shqiptar i shëndetësisë që lidhet me ekzistencën, blerjen apo ardhjen e “med beds”. Në faqet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik, Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore apo QSUT nuk gjendet asnjë referencë për teknologji të ngjashme. Nuk ka as tender, as raport, as datë instalimi, as projekt dhe asnjë program pilot që lidhet me pajisje të kësaj natyre. Në mungesë totale provash institucionale dhe shkencore, pretendimi se Shqipëria do të vendosë në përdorim “med beds” është i pabazuar.
Postimi e lidh pretendimin e “med beds” me “armët biologjike të COVID-19”. Institucionet ndërkombëtare dhe studime shkencore të pavarura, kanë konfirmuar vazhdimisht se COVID-19 nuk është armë biologjike. Kjo narrativë është përhapur që prej vitit 2020 nga faqet konspirative.
Përmendja e një “aleance ndërgalaktike” që shpërndan teknologji shëruese i përket të njëjtit univers narrativ ku përzihen UFO-t, qeveritë sekrete dhe shpëtimtarë jashtëtokësorë. Nuk ekziston asnjë provë, raport apo dokument zyrtar që mbështet ekzistencën e një strukture të tillë, e aq më pak përfshirjen e saj në sistemet shëndetësore të ndonjë vendi.
Pretendimi se në Shqipëri do të vendosen në përdorim “med beds” më 1 dhjetor është i pavërtetë. Burimi i fotos (AMG-News.com) është faqe e njohur për teori konspirative dhe nuk ka lidhje me institucione shkencore apo shëndetësore. OBSH nuk njeh ekzistencën e kësaj teknologjie, dhe asnjë institucion shqiptar i shëndetësisë nuk ka njoftuar ndonjë projekt që lidhet me pajisje të tilla. Po ashtu, lidhjet me “armë biologjike të COVID-19” dhe “aleanca ndërgalaktike” janë pjesë e narrativave fantastike të përhapura në internet, të cilat nuk kanë bazë reale apo shkencore.






