Shqiptarët, populli më i varfër në Europë e Rajon, paradoksalisht renditen në “krye të klasifikimit” për çmimin e produkteve. Raporti i Institutit europian të Statistikave, i publikuar të premten, tregoi se në Shqipëri, çmimet janë sa 57% e mesatares së BE-së, më të lartat në rajon.
Eurostat publikoi të premten të dhënat e krahasueshme mbi nivelin e Indeksit të Çmimit të konsumit për mallrat dhe shërbimet për vitin 2019, i cili mat diferencat në çmime mes vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë dhe rajonin. Sipas raportit, në përgjithësi, në Shqipëri, çmimet janë sa 57 për qind e mesatares së BE-së, më të lartat në rajon, së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi. Më e lira është Maqedonia, sa 50 për qind e mesatares së BE-së dhe më pas Bosnja, me 55 për qind.
Çmimet e produkteve, burimi: Eurostat
Por, për disa kategori produktesh, Shqipëria është më e shtrenjta. Për ushqime dhe pije jo alkoolike, çmimet janë sa 82 për qind e mesatares europiane, ndërsa Mali i Zi, me të ardhura më të larta e ka 79% për qind, Serbia 78 për qind, Bosnjë-Hercegovina 76 për qind ndërsa më të lira, ushqimet janë në Maqedoninë e Veriut, 61 për qind. Maqedonia e Veriut është vendi ku ushqimi kushton më lirë se në çdo vend tjetër të Europës.
Shqiptarët, përveç faktit se paguajnë më shtrenjtë se popujt e rajonit e madje edhe se ata të vendeve të Bashkimit Europian, vuajnë edhe rritjen e pajustifikuar të çmimeve gjatë muajve, mars, prill dhe maj, periudha kulmore e pandemisë “Covid-19”.
Për ekspertin e ekonomisë, Fatos Çoçoli, varësia e lartë ndaj produkteve të importit dhe mungesa e investiemeve në tregun e brendshëm janë disa prej shkaqeve që çojnë në rritje të çmimeve të produkteve.
Shqipëria është ndër ato vende që kanë një varësi të lartë nga produketet e importit. Nga ana tjetër, mungesa e investimeve dhe stabilitetit në tregun e brendshëm rrit kostot për qytetarët shqiptarë, shprehet eksperti i ekonomisë Çoçoli.