Pretendimi: Shqipja rezulton gjuhë zyrtare në Zvicër pas anglishtes, sipas Entit Federal të Statistikave
Verdikti: Mungon konteksti
Shqipja nuk është gjuhë zyrtare në Zvicër, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale. Faktoje sjell të dhënat që dëshmojnë se kemi të bëjmë me një keqintepretim të lajmit për ngjitjen e shqipes si gjuha e dytë e huaj më e folur.
Në kronika televizive, të shpërndara më pas si informacioneve edhe në rrjetet sociale pretendohet se shqipja është tashmë një nga gjuhët zyrtare në Zvicër.
“Shqipja gjuhë zyrtare në Zvicër pas anglishtes”, njofton në titull një video e ndarë në Facebook nga TVA news.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Ndërkohë, nëse do të dëgjojmë kronikën bashkëngjtur tekstit njoftohet lajmi se gjuha shqipe së fundmi flitet më shumë se gjuha portugeze në Zvicër.
“Shqiptarët rrëzojnë portugezët për herë të parë pas 10 vitesh në Zvicër. Sipas një sondazhi të Entit Federal të Statistikave, më shumë njerëz flasin shqip sesa portugalisht në Zvicër”, theksohet më tej në kronikë.
Pra, që këtu kemi një mospërputhje mes kronikës dhe tekstit krahas saj. Në asnjë moment, kronika televizive nuk përmend që gjuha shqipe është bërë gjuhë zyrtare pas anglishtes.
Duke qenë se postimi ka impakt tek një numër i konsideruar lexuesish, pasi ka mijëra shikime, ne vendosëm të bëjmë një verifikim të mëtejshëm.
Të dhënat nga Enti Federal i Statistikave publikuar më 18 mars, të cilave u referohet media në kronikën e bërë tregojnë se gjuha më e folur e huaj në Zvicër, është gjuha angleze, ndërsa gjuha me numrin më të madh të folësve nga gjuhët zyrtare në vend, është gjuha gjermane.
Zvicra ka katër gjuhë zyrtare, të cilat janë gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja dhe gjuha Reto-Romanike.
Pavarësisht se është ngjitur në statistika, shqipja mbetet gjuhë e huaj dhe jo gjuhë zyrtare në Zvicër.
Një pretendim i ngjashëm nga media online që mund të kenë krijuar ngatërresën, është verifikuar edhe nga kolegët në Kosovë të “Hibrid Info”.